Një lajm i mirë

Ky projekt bashkon profesionistët e dëshmuar medialë dhe vizionin bashkëkohor sipërmarrës. Do të dominohet nga shkrimet, videot dhe fotografitë origjinale, dhe - video transmetimet e drejtpërdrejta.

Opinion

11/09/2013 16:41

Është e kuptueshme që reagimi i parë ndaj një webfaqe të re të lajmeve të jetë: “Edhe një portal?”, “Ka shumë të tillë!”, ose: “Është vështirë të depërtosh në këtë treg medial”.

Qëndrime të këtilla mund të kenë të gjithë ata që i përcjellin mediat vendore dhe ndërkombëtare, por edhe njerëzit e mediave dhe ata të politikëbërjes.

Webfaqja lajmi.net është synim drejt profesionalizmit, cilësisë, përkushtimit, besueshmërisë dhe shpejtësisë.

Sot, mjedisi mediatik në cilindo vend të botës është bërë shumë konkurrues. Shtypi është i kërcënuar për shkak të zhvillimit të mediave online dhe rrjeteve sociale. Por, edhe mediat online nuk e kanë të lehtë të depërtojnë për shkak të shumësisë së tyre.

Ndodhemi në një tranzicion nga mediat e shtypit në ato online. Gazetat duhet të konkurrojnë me më shumë burime, sidomos me portalet e lajmeve dhe mediat sociale. Ndërkaq, ruajtja dhe rritja e lexueshmërisë ka sfidën të shkojë krah për krah shfrytëzimit të biznesit të reklamimit në web.

Ideja e webfaqes sonë është që të shfrytëzohet hapësira dhe përparësitë online, duke ruajtur kualitetin dhe besueshmerinë e gazetarisë profesionale.

Lajmi.net do të jetë krijues dhe jo kopjues i lajmit. Do të dominohet nga përmbajtjet autoriale. Do të jetë rigoroz në respektimin e etikës.

Webfaqja synon standarde që, në fakt, janë normale dhe të nënkuptueshme në vendet më media të zhvilluara, por që tek ne nuk janë prezente aq sa duhet.

Përveç informacionit përmbajtësor, lajmi.net do të sjellë video dhe fotografi origjinale, dhe – për herë të parë në Kosovë – video transmetime të drejtpërdrejta.

Krijimi i një mediumi të ri është ndërmarrje sfiduese në aspektin profesional dhe atë financiar. Por, gjithsesi ia vlen të provohet ideja nga e cila mund të lindë një produkt cilësor mediatik që kontribuon në informimin e drejtë dhe interesin publik, me ambicie për të krijuar një mjet informimi që lexohet dhe besohet.

Ky projekt bashkon një staf të profesionistëve të dëshmuar medialë dhe vizionin bashkëkohor sipërmarrës.

Me një fjalë – lajmi.net