Një e vdekur dhe një e lënduar rëndë, Policia jep detaje për rastin në Klinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “vrasje e rëndë në tentativë”. Rasti ka ndodhur më 6 shtator 2026 në fshatin Poterq të Klinës. Sipas Policisë, i dyshuari, i cili dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor, fillimisht i ka vënë flakën krevatit…

Lajme

07/09/2026 16:34

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “vrasje e rëndë në tentativë”.

Rasti ka ndodhur më 6 shtator 2026 në fshatin Poterq të Klinës. Sipas Policisë, i dyshuari, i cili dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor, fillimisht i ka vënë flakën krevatit në të cilin qëndronte motra e tij, ndërsa më pas, në një dhomë tjetër, ka sulmuar me mjet të fortë edhe nënën e tij.

Si pasojë, të dyja viktimat kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Ato fillimisht janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa më pas, për shkak të natyrës së lëndimeve, janë transferuar në QKUK në Prishtinë.

Policia ka bërë të ditur se më 7 shtator është njoftuar se vajza, e cila kishte pësuar lëndime nga zjarri, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve. Vdekja e saj është konstatuar nga ekipi mjekësor.

Me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Për shkak të gjendjes së rënduar psikike, ai është vendosur në repartin e psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Pejës, nën përkujdesjen e personelit mjekësor dhe mbikëqyrjen e zyrtarëve policorë. /Lajmi.net/