Nisma për Kosovën nis zgjedhjet e brendshme me kritika për Qeverinë
Partia opozitare, Nisma për Kosovën, mbajti sot Kuvendin e Parë Zgjedhor të Degës së saj në Prishtinë, ku u zgjodhën 57 anëtarët e Këshillit të kësaj dege dhe 30 delegatët e Kuvendit Qendror Zgjedhor.

Lajme
Në këtë Kuvend u prezantua puna e kësaj partie e bërë deri tani, u dhanë premtime se ky subjekt politik do të punojë për qeverisje të mirë, përderisa u hodhën kritika mbi Qeverinë e vendit si dhe mbi qeverisjen në Prishtinë.
Kryetari i Nismës Dega në Prishtinë, Shyqri Bytyqi tha se me subjektin politik të cilit i takon, Prishtinës po i ofrohet një qeverisje më e mirë.
“Kam një lajm të mirë për kryeqytetin tonë. Po ofrohet dita e një qeverisje të mirë, një qeverisje për të cilën ka aq shumë nevojë kryeqyteti dhe qytetarët tanë. Kjo qeverisje është Nisma për Kosovën. Pra, më nuk mund të mendohet qeverisja e Prishtinës pa ne, sepse tashmë ne jemi faktorë në ndërtimin e qeverisjes në kryeqytetin tonë”, tha ai.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi tha se kuptimi i organizimit në parti politike është se duhet të angazhohen njerëz që më shumë mendojnë për kombin dhe vendin e tyre se sa për vetën.
Duke akuzuar qeverisjen aktuale për krijimin e një gjendje të rëndë në vend, Krasniqi potencoi se kjo Qeveri po t’i ketë edhe 50 vjet hapësirë, prapë nuk do të dijë të qeveriste ndryshe.
“Kur në vendet drejtuese të shtetit vendosen njerëz të paditur ata hapin perspektiva për të tjerët. Ata hapin perspektiva vetëm për një grup të caktuar, të ngushtë të njerëzve. Kjo politikë që është udhëhequr deri më tani në Kosovë ka prodhuar këtë gjendje, gjendje mjaft të rëndë. Gjendja në të cilën jemi nuk jep shumë perspektivë, por jo vetëm kaq”.
Këta njerëz që e kanë degraduar, shton Krasniqi, “dhe e kanë sjellë këtë frymë të qeverisjes në Kosovë, jo pesë vjet, jo dhjetë vjet, por edhe 50 vjet për t’u dhënë hapësirë për të qeverisur, këta njerëz nuk do të dinë të qeverisin ndryshe. Krejt çka kanë pasur të japin për këtë vend e kanë dhënë dhe diçka të re nuk mund të japin. Prandaj, duhet të një frymë e re, një angazhim i ri i djemve dhe vajzave që kanë kryer shkollë, por edhe duhet të angazhohen për ta ndryshuar këtë gjendje në të cilën jemi”, tha ai.
Për këtë, ai tha se Nisma për Kosovën është themeluar sepse Kosova duhet ta ketë një subjekt politik të përgjegjshëm, që e dinë çka është shteti i së drejtës dhe i dijes, duke theksuar se progresit në Kosovë i është nxënë fryma nga qeverisja e tanishme.
Gjatë fjalimit të tij, Krasniqi u ndal edhe te demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe në Kosovë, transmeton kosovapress.
Ai tha se Mali i Zi është i gatshëm që të rishikojë shënimin e kufirit, mirëpo Qeveria e Kosovës dhe komisioni qeveritar po thonë se kufiri është mirë, duke shtuar se kjo do të duhej të riprodhonte një komision të ri, për të definuar dhe për t’i bindur qytetarët e Kosovës se vërtetë shënimi i kufirit është bërë mirë.
Sipas Krasniqit, të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk janë të mira për Kosovën. Ndërsa, marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, ai e konsideron kulm të marrëveshjeve të këqija.
Ai shtoi se qeverisja e vendit akoma ka të bëjë me marrëveshje të reja në Bruksel, të cilat sipas tij janë të dëmshme.
“Vetë fakti që me këtë janë marrë bisedimet në Bruksel, vetë fakti që me këtë merret Qeveria jonë, se për këtë merret Kuvendi jonë dhe Gjykata Kushtetuese, tregon se aty ka diçka më tepër. Por, e keqja nuk ndalet këtu në marrëveshjet e Brukselit, që qëllim kishin normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk janë marrëveshje të përfunduara.
Është marrëveshje e papërfunduar. Çka do të thotë kjo?. Do të thotë se akoma qeveritarët tanë kanë të bëjnë marrëveshje të reja në Bruksel dhe gjithashtu edhe ato marrëveshje do të jenë të dëmshme dhe do të jenë kështu siç ishin këto, thjeshtë për të legjitimuar një nivel të ri të pushtetit që nuk e kemi me Kushtetutë. Pra këto marrëveshje janë anti-kushtetuese”, tha Krasniqi.
Ai gjithashtu tha se me korrupsion zhvillimi i Kosovës është i pamundur, ndërsa fjalën e tij e përfundoi duke shtuar se duhet ndryshimi për t’u ndërtuar shteti i së drejtës, dhe që Kosova të zhvillohet ekonomikisht.