Nisin hetimet për incidentin në shkollën “Pavarësia”, nga Drejtoria për Arsim presin raportin disiplinor

Një incident ka ndodhur në shkollën fillore “Pavarësia”  në Prishtinë. Një mësimdhënës shihet duke e goditur disa herë radhazi një nxënës, derisa ky i fundit reagon dhe e godet më pas në pjesën e stomakut. Në lidhje me këtë rast janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e…

Lajme

09/02/2026 15:15

Një incident ka ndodhur në shkollën fillore “Pavarësia”  në Prishtinë.

Një mësimdhënës shihet duke e goditur disa herë radhazi një nxënës, derisa ky i fundit reagon dhe e godet më pas në pjesën e stomakut.

Në lidhje me këtë rast janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana tha për lajmi.net se mësimdhënësi dhe nxënësi veçse janë shoqëruar në stacion policor.

“Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën për një rast sulmi fizik të ndodhur në një shkollë fillore në Prishtinë.Menjëherë policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar në stacion policor palët e përfshira në rast”, tha Pllana.

Ai po ashtu deklaroi se Policia në koordinim e Prokurorinë, kanë filluar hetimet për zbardhjen e rastit.

“Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur një hetim për zbardhjen e rastit”, shtoi zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës.

Rasti tanimë është konfirmuar edhe nga Drejtoria për Arsim në Prishtinë ku u tha se janë në djeni për rastin dhe se po presin raportin disiplinor të shkollës për të parë hapat e mëtutjeshëm.

“Aktualisht jemi në dijeni për rastin e dhunës, por fillimisht duhet që përmes komisionit disiplinor të mblidhen të gjitha dëshmitë nga mësimdhënësi, nëse lirohet nga Policia e Kosovës, më pas të fillohet me dëshmi nga nxënësi dhe personat e pranishëm në vendngjarje.Në bazë të pamjeve, jemi në pritje të mbledhjes së informatave dhe më pas të thirret edhe prindi i nxënësit”, deklaroi drejtori i Drejtorisë për Arsim Samir Shahini.

“Në këtë rast duhet të shqyrtohet edhe se si ka filluar e gjithë ngjarja, të suspendohet më pas mësimdhënësi dhe procedurat tjera nëse duhet t’i ndërrohet shkolla apo t’i hiqet licenca”,tha ai./Lajmi.net/

Dalin pamje – Mësimdhënësi rrah një nxënës brenda shkollës “Pavarësia” në Prishtinë