Nis me Hysni Hoxhën, do të ngrihen aktakuza edhe për ministra, deputetë, kryetarë komunash
Prokurori në Prokurorinë Speciale, Admir Shala tha se ai ka ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të OSHP-së, Hysni Hoxha, dhe një eksperti të OSHP-së.

Lajme
Në emisionin Puls të KTV-së, Shala ka thënë se Hoxha është kapur duke keqpërdorur detyrën zyrtare, përkatësisht duke fshehur prova.
“Unë kam ngritur aktakuzë ndaj shefit të OSHP-së dhe ekspertit të OSHP-së për shkak të fshehjes së provave. Këtu kemi të bëjmë me një operator fitues të tenderit për ndërtimin e ndërtesave në qytezën “Pejton”. Bëhet fjalë për falsifikim të dokumenteve. Ky operator fitues ka përdorur dokumente false sa i përket numrit të punëtorëve dhe njëri nga operatorët e eliminuar ka parashtruar ankesë pranë OSHP-së. Shefi i OSHP-së ka caktuar ekspertin e brendshëm për të shqyrtuar ankesën e operatorit të diskualifikuar që ta shqyrtojë gjithë procedurën e prokurimit, por ky ekspert nuk e ka kryer punën, sidomos rreth ankesës kryesore, pra numrit të punëtoreve që të kërkohet nga Administrata Tatimore, që është kërkuar nga pala ankuese që OSHP-ja ta bëjë”, tha Shala.
Sipas tij, pas përpilimit të raportit të ekspertit të OSHP-së dhe pas ankesës së operatorit diskualifikues, eksperti bën raport dhe ia dërgon shefit të OSHP-së.
“Seanca e mbajtur ku shefi i panelit ishte vet Hysni Hoxha, fsheh raportin e ATK-së, në koordinim me ekspertin, dhe në seancë nuk e tregojnë edhe pse kërkohet nga pala ankuese. Dy anëtarët tjerë të panelit vendosen në lajthitje dhe vendosin pro kompanisë fituese, por njëkohësisht këta dy anëtarë tjerë të panelit kuptojnë se eksperti dhe Kryetari i Panelit dhe njëkohësisht kryetar i OSHP-së e kanë pasur informacionin për numrin e punëtorëve të firmës. Ata kërkojnë më shkrim të ndalohet ose të rishikohet vendimi, por shefi i OSHP-së thotë se vetëm Gjykata mund t’i rishikojë vendimet tona. Kjo është në pika të shkurta se si kanë keqpërdorur detyrën këta zyrtarë të lartë”, tha Shala.
Prokuror në prokurorinë Speciale, Admir Shala foli edhe për rastin e privatizimit të fabrikës së armaturës në Podujevë FAN.
“Unë kam mbledhur prova dhe kam hetuar një kohë të gjatë dhe po ashtu kemi arrestuar shumë zyrtarë. Jemi në fazën përfundimtare dhe mendoj se në bazë të provave do të ketë aktakuzë. Pra gjasat janë pozitive për aktakuzë. Në këtë rast të përfshirë janë menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe bordit të AKP-së. Pra, për të gjithë ata zyrtarë që kanë votuar pro lirimit të kësaj ndërmarrjeje, për të gjithë që kanë bërë keqpërdorim dhe të gjithë këta janë nën hetime. Këtu flasim edhe për deputetë. Do të shihni se muajve në vazhdim, në janar, do të kemi risi, që i bie se do ketë edhe hetime e aktakuza ndaj ministrave, deputetëve, kryetarëve të komunave dhe sekretarëve”, theksoi Shala.
Ndërkaq, Artan Venhari, zëvendës/auditor i përgjithshëm, tha se keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi më i madh i financave bëhet te menaxhimi i kontratave dhe duhet urgjent kompanitë të futen në listën e zezë që e bëjnë këtë.
Sipas tij, kontrata të tilla shohim shpesh që nuk janë implementuar ashtu siç është kërkuar
“Në të gjitha raportet e auditimeve tona kemi gjetur shumë kontrata të tilla. Menaxheri që duhet të ketë përgjegjësinë e që nuk figuron si bartës i përgjegjësisë”, tha Venhari, raporton KTV.