Nis gjykimi i grupit të dyshuar për planifikim të sulmeve terroriste në Kosovë

Pesë të rinj nga Prishtina dhe Gjilani, të arrestuar në nëntor të vitit 2013, të mërkurën do të paraqiten për herë të parë përpara trupit gjykues, me ç’rast edhe do të nisë gjykimi i tyre, nën akuzën se planifikonin kryerjen e veprave terroriste kundër rendit kushtetues të  Republikës së Kosovës. 

Lajme

11/02/2015 10:50

Nga ky grup (Genc Selimi, Nuredin Sylejmani, Valon Shala, Ardian Mehmeti, Musli Hyseni, Fidan Demolli dhe Bekim Mulolli) pesë veta akuzohen për veprën penale terrorizëm, ndërsa dy prej tyre akuzohen për sulmin ndaj misionareve amerikane të kryer pak kohë përpara arrestimit. 

Këta persona, pas indikacioneve të marra, janë përgjuar në telefon si të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste në Kosovë. Sipas Prokurorisë, të akuzuarit ishin duke u përgatitur për të kryer vepra të rënda të lidhura me terrorizëm e që ishin të nxitura nga motivet e urrejtjes racore, fetare apo etnike, përçarjes apo mosdurimit kombëtar.

Sipas burimeve të lajmi.net, njëri prej të akuzuarve dyshohet edhe për pjesëmarrje në luftëra të huaja, pasi Prokuroria ka paraqitur dëshmi për qëndrim disa muajsh në Siri dhe pjesëmarrje në luftë përkrah organizatës terroriste “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIS).

Të arrestuarit janë kapur nga Policia e Kosovës derisa po tentonin të blinin armë dhe pajisje për punimin e lëndëve shpërthyese për sulme terroriste, akte këto që sipas Prokurorisë, planifikonin t’i kryenin në territorin e Republikës së Kosovës.  

Ndërkohë, dy shtetaset amerikane, pretendojnë se janë rrahur brutalisht derisa ishin në Kosovë nga dy prej të akuzuarve të këtij grupi. Ato shërbenin si misionare të Kishës së Jezusit të Shenjtë të Ditës së Fundit dhe ishin pjesë e një misioni me seli në Tiranë në kuadër të Misionit të Adriatikut Jugor, i cili përfshin Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë. /lajmi.net/