Ngërçi politik, ekspertët: Presidentja ka kompetenca të ndërhyjë

Presidentja mund të ndërhyjë në situatën e krijuar politike si mbrojtëse e rendit juridik kushtetues nëvend, thonë ekspertët e Kushtetutës. Profesorët Kadri Kryeziu e Muhamet Kelmendi, në Specialen e RTK-së, në analizën e tyre thanë se, sipas Nenit 84, paragrafit 2, Neni 113 e pika e pestë, presidentja i ka kompetencat ku ajo mund të…

Lajme

01/05/2025 21:53

Presidentja mund të ndërhyjë në situatën e krijuar politike si mbrojtëse e rendit juridik kushtetues nëvend, thonë ekspertët e Kushtetutës.

Profesorët Kadri Kryeziu e Muhamet Kelmendi, në Specialen e RTK-së, në analizën e tyre thanë se, sipas Nenit 84, paragrafit 2, Neni 113 e pika e pestë, presidentja i ka kompetencat ku ajo mund të ndërhyjë.

Gjendja e tanishme politike në Kosovë, e ngërçit aktual vjen si pasojë e papjekurisë politike, sipas profesorëve dhe ekspertëve të Kushtetutës së Kosovës.

Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, vlerëson se vonesat e zgjidhjes së krizës politike mund të kenë pasoja serioze politike, ekonomike dhe ndërkombëtare.

“Ne e kemi pasë përfaqësuesin special, bota demokratike e ka konsideruar që ne jemi të pavarur për marrjen e vendimeve sidomos edhe politike duke pasë parasysh që ka kalua edhe një kohë e gjatë derisa kemi shpallë pavarësinë, unë konsideroj se duhet të shterren edhe kompetencat edhe të presidentes, bota do të na shikojë derisa edhe presidentja mund të bëjë diçka, nëse jo unë jam i bindur që duhen të ndërhyjë se ka pasoja, pasoja politike ekonomike, të karakterit ndërkombëtar e shoqërore. Një ditë kam rekomandua që mos të mblidhen derisa të dakordohen”, tha Kryeziu.

Profesori Muhamet Kelmendi, deklaroi se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me kompetencat e saj juridike duhet të drejtohet në Gjykatë Kushtetuese.

“Më vjen keq për këtë gjendje që kemi ra dhe unë e shohë të rrugës janë dy baza juridiko kushtetuese që ia shohë presidentes me kompetencën që institucionet e Kosovës të cilat duhet të funksionojnë neni 84 paragrafi 2 flet se presidentja garanton dhe neni 113 pika e pestë duhet të bëjë kërkesë pranë gjykatës kushtetuese për çështje të tilla sepse është çështje kushtetuese kjo”, tha Kelmendi.

Këtë situatë të krijuar politike nuk e kishte parashikuar kushtetuesja. Vetëm, me konstituimin e kuvendit mund të merret iniciativa për ndryshimin e rregullores dhe krijimin e afateve, u tha në specialen e RTK-së.