Ngërçi politik, a janë në rrezik mandatet e deputetëve?

Për situatën politike të krijuar në Kuvendin e Kosovës, një deputete e Kuvendit të Kosovës sot ka paralajmëruar se vonesa e konstituimit të legjislaturës së 9-të mund të ketë pasoja për deputetët. Sipas kryetares së partisë Alternativa, Mimoza Kusari Lila, si rrjedhojë e ngërçit politik, pasojat mund të jenë të rënda, që të gjithë 120…

Lajme

07/07/2025 19:00

Për situatën politike të krijuar në Kuvendin e Kosovës, një deputete e Kuvendit të Kosovës sot ka paralajmëruar se vonesa e konstituimit të legjislaturës së 9-të mund të ketë pasoja për deputetët.

Sipas kryetares së partisë Alternativa, Mimoza Kusari Lila, si rrjedhojë e ngërçit politik, pasojat mund të jenë të rënda, që të gjithë 120 deputetëve aktualë t’u merret mandati. Por, një mundësi e tillë është hedhur poshtë nga hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli.

Cakolli deklaron se nuk ekziston asnjë bazë kushtetuese apo procedurale që deputetëve të Kuvendit të Kosovës t’u merret mandati në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor. Sipas tij, debatet për masa ndëshkuese ndaj deputetëve janë të pabazuara dhe nuk qëndrojnë juridikisht.

Ai në një deklaratë për KosovaPress thotë se një veprim i tillë nuk ka asnjë mbështetje procedurale dhe sipas tij, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“Edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk ka specifikuar se cilat do të ishin pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30 ditor, në fakt gjykata në aktgjykimin e fundit ka përcaktuar që deputetët duhet të sillen konform Kushtetutës, jo për shkak se ka pasoja për këtë gjë, por në fakt betimi i tyre si i tillë është që të veprojnë. Problemi kryesor qëndron tek fakti që kemi të bëjmë me deputetë e me parti politike, të cilat kanë një mendësi të mbrapshtë politike ku aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese apo cilësdo instancë tjetër për sa kohë që nuk kanë pasojë juridike apo nuk e kanë këtë elementin e kërcënimit me pasojë juridike nuk respektohen në tërësi, e ky është në fakt pjesa kryesore e problemit aktual. Kohëve të fundit janë shpeshtuar opsionet dhe modelet se çfarë mund të ndërmerr Gjykata Kushtetuese në rast të skadimit të afatit duke u përfshirë këtu, por pa u limituar vetëm në humbjen e mandatit, burgosjen e deputetëve të tjera. Të gjitha këto opsione, e me theks të veçantë tek humbja e mandatit, nuk qëndrojnë, as proceduralisht, as në bazë të Kushtetutës”, thotë Cakolli.

Ai shton se dështimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit apo për konstituimin e tij nuk përbën shkak për humbjen e mandatit.

Sipas tij, nuk ka asnjë vend në sistemin evropian, por edhe në raste të tjera, ku Gjykata Kushtetuese, për shkak të vendimmarrjes politike t’ua ketë marrë deputetëve mandatin apo cilido prej tyre.

“Proceduralisht deputetëve nuk mund t’u merret mandati, sepse me Kushtetutë janë të specifikuara rrethanat në të cilat deputeti e humb mandatin si i tillë. Ndër to bëjnë pjesë të zëmë dorëheqja, vdekja, mosdhënia e betimit, dënimi me vendim formës së prerë, me burgim efektiv e të tjera, por që asnjë prej këtyre rrethanave nuk janë konsumuar. Askund në Kushtetutë nuk thuhet që mosvotimi i kryetarit të Kuvendit apo dështimi për konstituim të Kuvendit nënkupton humbje të mandatit. Nuk është aspak e logjikshme, duhet ta kemi të qartë që përgjegjësia nuk mund të jetë kolektive…Në aspektin kushtetues, Gjykata Kushtetuese në radhë të parë nuk mund të marrë vendim të tillë, sepse nuk ka asnjë vend në sistemin të paktën evropian, por edhe në raste të tjera, ku Gjykata Kushtetuese, për shkak të vendimmarrjes politike t’ua ketë marrë deputetëve mandatin apo cilido prej tyre”,ka shtuar Cakolli.

Derisa flet për moskonstituim të Kuvendit, ai thotë se, pasojë kryesore do ta ketë faktin që Kosova do të hyjë në një terren të pashkelur Kushtetuese politik që nënkupton se cilado zgjidhje pas atij afati do të jetë zgjidhje jashtëkushtetuese.

“Tejkalimi i afatit, edhe nëse ndodh si i tillë, do të jetë vështirë të përcaktohet nga gjykata se kush ka pasur barrën më të madhe të përgjegjësisë, ndonëse politikisht mund të argumentohet që këtë e ka Lëvizja Vetëvendosje si partia që ka dalë e para në zgjedhje. Megjithatë, të gjitha palët mund të arsyetohen, ta zëmë Lëvizja Vetëvendosje me thirrjen e takimeve partitë e tjera që nuk i kanë fituar zgjedhjet dhe që kanë qenë më parë pjesë e opozitës, me faktin që janë deklaruar të hapur për të votuar kandidatë të tjerë. Pra, secila palë nominalisht mund ta ketë përmbushur obligimin për konstituim të Kuvendit, por thjesht dështimi i konstituimit të Kuvendit, pasojën kryesore do ta ketë faktin që Kosova do të hyjë në një terren të pashkelur kushtetuese politik që nënkupton se cilado zgjidhje pas atij afati do të jetë zgjidhje jashtëkushtetuese, pra jo medoemos kundërkushtetuese”, ka nënvizuar Cakolli.

Sipas Cakollit, diskutimet për humbje mandati apo masa tjera ndëshkuese janë bërë më të shpeshta me afrimin e afatit kushtetues, por ato, sipas tij, nuk qëndrojnë.

“Deklaratat sikur kjo e sotmja dhe deklaratat që unë pres që do të vijnë ditëve në vijim janë thjesht si rezultat i afrimit të afatit 30 ditorë. Meqenëse partitë po dështojnë që të gjejnë në zgjidhje, cila i ka përshkruar Gjykata Kushtetuese, e që janë konsensusi dhe kompromisi politik partitë e me theks të veçantë besoj Lëvizja Vetëvendosje do të vijojë që edhe ditë vijmë vijim të përmend opsione të tilla, të cilat thjesht i shërben një narrative publike mbi bazën apo premisat e fajësimit të oponentëve politikë për situatën aktuale, ku secila palë e gjen fajin tek tjetra, derisa asnjëra prej tyre, e aq më pak ajo që e ka barrën më të madhe të përgjegjësisë nuk bën asgjë në drejtim të arritjes së një konsensusi apo një kompromisi politik, i cili do ta zhbllokonte situatën aktuale”, ka përfunduar Cakolli.

Kryetarja e Alternativës, deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila paralajmëroi sot se pasojat ligjore të kësaj situate mund të jenë të rënda, përfshirë mundësinë që të gjithë 120 deputetëve aktualë t’u merret mandati.

Dështimet për konstituimin e Kuvendit po vazhdojnë edhe pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka obliguar deputetët që ta bëjnë Kuvendin më së largu deri më 26 korrik.

Konstituimi i Kuvendit dështoi edhe për herën e 43-të. Vazhdimi i kësaj seance dështoi në mungesë kuorumi për votimin e komisionit që mundëson votimin e fshehtë. Në sallë kanë qenë të pranishëm 99 deputetë, ku kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ka ftuar partitë politike për propozim të emrave për komision./kp