Ngërçi në Kuvend: Kur politika ndeshet me Kushtetutën

Ngërçi në konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka nxitur debate të forta mbi interpretimin e Kushtetutës dhe rolin e partive politike. Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka dhënë disa aktgjykime, zbatimi i tyre ka mbetur i pjesshëm, duke ngritur pyetje mbi nevojën e ndryshimeve të mundshme kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka dhënë tashmë dy aktgjykime për konstituimin…

Lajme

04/09/2025 20:40

Ngërçi në konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka nxitur debate të forta mbi interpretimin e Kushtetutës dhe rolin e partive politike. Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka dhënë disa aktgjykime, zbatimi i tyre ka mbetur i pjesshëm, duke ngritur pyetje mbi nevojën e ndryshimeve të mundshme kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ka dhënë tashmë dy aktgjykime për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe së paku edhe një i tretë pritet.

Paqartësitë dhe dyshimet për hapat e ndërmarrë në këtë proces i kanë detyruar partitë politike t’i drejtohen instancës më të lartë për interpretimin e Kushtetutës.

Nga debati mbi votimin e fshehtë deri te zgjedhja e ndarë e nënkryetarëve nga komunitetet pakicë, një sërë çështjesh janë vënë nën lupën e kushtetutshmërisë.

Por, edhe pse aktgjykimet janë shpallur, ato nuk janë zbatuar plotësisht.

Vendimi i 26 qershorit, që urdhëronte konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh, është shembulli më i qartë: afati ka kaluar, ndërsa Kuvendi ende nuk është konstituuar plotësisht.

Mungesa e masave ndëshkuese në aktgjykimet e Gjykatës ka lënë hapësirë për interpretime të ndryshme – si nga politikanët, ashtu edhe nga ekspertët ligjorë.

Një prej pyetjeve që qarkullon në mesin e komentuesve është: a mund të quhet Kuvendi funksional me një kryetar dhe katër nënkryetarë, siç është sot?

Kushtetuta e përcakton qartë: Kuvendi duhet të ketë një kryetar dhe pesë nënkryetarë, dhe nuk përmend ndonjë formulë tjetër.

Por, në këtë vakum institucional shtrohet edhe një çështje tjetër: a është koha për ndryshime kushtetuese që do të sillnin më shumë qartësi, apo, thjesht, më shumë hapësirë për interpretime të reja?

Disa ekspertë të së drejtës kushtetuese dhe analistë politikë, me të cilët bisedoi REL, nuk e shohin të domosdoshëm ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

Sipas tyre, ngërçi aktual në konstituimin e Kuvendit nuk buron nga paqartësitë kushtetuese, por nga mungesa e vullnetit politik të partive.

“Në parim, kushtetutat janë të hartuara që të jenë të parashikueshme për një kohë të gjatë dhe që dilemat eventuale rreth përmbajtjes së normave kushtetuese të zgjidhen përmes interpretimit kushtetues”, thotë Visar Morina, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, ndryshimet e shpeshta do të zbehnin vetë rolin e Kushtetutës.

“… do të prodhonin pasiguri juridike dhe do ta bënin atë një akt fleksibil, përmbajtja e të cilit ndryshon varësisht nga konstelacioni i dinamikave politike në vend”, thotë Morina në një përgjigje me shkrim për REL.

Kushtetuta e Kosovës u miratua më 9 prill të vitit 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti.

Ajo u ndryshua disa herë, si për të shënuar fundin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës më 2012, apo për të përfshirë Konventën e Këshillit të Evropës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje më 2020.

Morina kujton se për të shmangur ndryshimet e shpeshta, Kushtetuta e Kosovës përmban kritere të rrepta materiale dhe procedurale: ato lejojnë amendamente vetëm kur janë realisht të domosdoshme për një objektiv kushtetues, i cili nuk mund të arrihet përmes mjeteve të tjera, si interpretimi kushtetues.

Kushtetutat nuk janë kurrë dokumente të përkryera dhe me gjuhë plotësisht të qartë, sipas tij.

“Kushtetuta e Kosovës nuk bën përjashtim nga ky standard. Së pari, ato (kushtetutat) përcaktojnë vetëm parimet themelore të funksionimit të shtetit dhe nuk është e pritshme që të përmbajnë detaje për çdo situatë konkrete”, thekson Morina.

Ai shton se gjuha e gjerë që përdoret zakonisht në kushtetuta është e qëllimshme, pasi lë hapësirë për interpretim.

Kjo, sipas tij, u mundëson gjykatave kushtetuese dhe praktikës gjyqësore t’i plotësojnë boshllëqet përmes jurisprudencës dhe zhvillimit të doktrinës.

Njohësi i çështjeve politike, Avni Arifi, vlerëson gjithashtu se Kushtetuta nuk ka nevojë të ndryshohet për të shmangur ngërçet institucionale, si ai aktual.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk mund t’i zëvendësojë partitë politike. Nëse partitë politike duan të devijojnë nga Kushtetuta, atëherë Gjykata Kushtetuese nuk mund ta mbrojë Kushtetutën”, thekson Arifi për REL.

Konstituimi i Kuvendit ngeci te zgjedhja e nënkryetarit serb.

Lista Serbe, si partia më e madhe në Kuvend, propozoi vetëm një kandidat, i cili në tri runde votimi nuk i mori votat e mjaftueshme.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ndryshe nga ajo që shkruan në Kushtetutë, hodhi shortin për të përcaktuar kandidatin tjetër serb, dhe ndryshe nga praktikat e deritashme, nuk e futi për t’u votuar në paketë me kandidaten e pakicave joserbe.

Asnjëri prej nëntë kandidatëve të zgjedhur me short, nuk mori 61 votat e kërkuara.

“Kushtetuta është e qartë dhe i jep të drejtë shumicës së deputetëve të komunitetit serb që ta propozojë nënkryetarin”, thotë Arifi.

Lista Serbe iu drejtua pastaj Kushtetueses për mënyrën e votimit të nënkryetarit serb.

Çfarë thonë partitë politike?

Nëse duhet apo jo të bëhen ndryshime kushtetuese për të shmangur ngërçet institucionale, deputetët e partive parlamentare ndajnë mendime të ndryshme.

Arbër Rexhaj, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për REL se sa i përket konstituimit të Kuvendit dhe bllokadës që ka zgjatur prej muajsh, Kushtetuta ofron zgjidhje të qarta dhe, sipas tij, nuk ka nevojë për ndryshime.

“Deputetët i kanë shfrytëzuar të gjitha të drejtat kushtetuese për të votuar”, thotë Rexhaj.

Ndryshe nga ai, Nait Hasani, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, vlerëson se ngërçi në konstituimin e Kuvendit ka dëshmuar se Kosova ka hyrë në një fazë politike ku ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme për të ofruar zgjidhje të qarta dhe për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.

Në këtë drejtim, ai i sheh si të nevojshme sidomos ndryshimet që lidhen me mënyrën e zgjedhjes së presidentit.

Sipas tij, presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga deputetët e Kuvendit, siç ndodh aktualisht, dhe shpjegon përse:

“Kjo do t’i shkarkonte mundësitë e kombinacioneve politike për krijimin e Qeverisë dhe konstituimin e Kuvendit. Partitë që dalin në zgjedhje, partia e parë [fituese] e ka më të lehtë me partinë e dytë ose të tretë të bëjë kombinime të qeverisjes, në rast se nuk do të ishte në këtë kombinim posti i presidentit”.

Nga ana tjetër, Lutfi Haziri, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, vlerëson se ngërçi aktual në Kuvend nuk lidhet me paqartësitë kushtetuese, por me mungesën e gatishmërisë së partive politike për të bashkëpunuar në zbatimin e frymës së Kushtetutës.

Sipas tij, kjo mungesë vullneti ka bërë që partitë politike t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, e më pas t’i riinterpretojnë edhe vetë vendimet e saj.

“Më eksplicite se i ka Kushtetuta jonë, asnjë kushtetutë nuk i ka… shumë eksplicite i ka të drejtat dhe mekanizmat. Krejt problemi është politik. Duke u thirrur në procedura e rregullore, mundohen ta deformojnë frymën kushtetuese. Ky është problemi. Kushtetuta nuk ka asnjë problem”, sipas Hazirit.

Partia tjetër në Kuvend, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për të komentuar në këtë temë.

Sidoqoftë, për çdo ndryshim kushtetues janë të domosdoshme dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, si dhe dy të tretat e votave të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.

Morina, edhe pse nuk e sheh të nevojshëm ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës tash për tash, thotë se, në parim, ajo duhet të mbetet e hapur ndaj evoluimit shoqëror, pasi realitetet politike, ekonomike dhe shoqërore ndryshojnë vazhdimisht.

Në të njëjtën kohë, ai përmend edhe “klauzolat e përjetshme”, të cilat “për shkak të karakterit fundamental që kanë, nuk mund të jenë objekt i ndryshimit kushtetues”.

“Në rastin e Kosovës këtu do të mund të hynte, pa diskutim, pakësimi i lirive dhe të drejtave kushtetuese”, thotë, mes tjerash, Morina.

Opinioni publik tani është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi kërkesën e Listës Serbe.

Kësaj gjykate i është drejtuar më herët edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me kërkesën për të sqaruar se çfarë ndodh në rast se nuk respektohet afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i vendosur nga gjykata.

Më pas, Osmani e ka tërhequr kërkesën, duke u bazuar në faktin se gjykatësin Radomir Llaban, i cili ishte raportues për këtë rast, e konsideron “rrezik për sigurinë kombëtare”.

Megjithatë, njohës të çështjeve kushtetuese vlerësojnë se, edhe pas tërheqjes së kërkesës nga Osmani, Gjykata ka të drejtë të vazhdojë procedurën./Radio Evropa e Lirë/