Nga Trumpi tek Infantino – këto janë të gjitha takimet që i pati Osmani në ShBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përmbyllur një vizitë intensive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Kombeve të Bashkuara, si dhe zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe, multilaterale dhe aktivitete publike me fokus në thellimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe forcimin e pozitës së Kosovës…

Lajme

30/09/2025 17:02

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përmbyllur një vizitë intensive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Kombeve të Bashkuara, si dhe zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe, multilaterale dhe aktivitete publike me fokus në thellimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe forcimin e pozitës së Kosovës në arenën globale.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Presidentja Osmani u takua me liderë të shumtë botërorë, përfshirë Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, transmeton lajmi.net.

Ajo gjithashtu zhvilloi takime bilaterale me presidentë, kryeministra dhe ministra të jashtëm nga dhjetëra shtete anëtare të OKB-së, përfshirë vendet e BE-së, rajonit dhe më gjerë, me qëllim zgjerimin e partneriteteve dhe lobimin për njohje të reja për Kosovën.

Në fokus të takimeve ishin fuqizimi i rolit të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, integrimi euroatlantik, zhvillimi ekonomik dhe siguria. Presidentja mori pjesë edhe në panele të nivelit të lartë, si “Sistemi Global i Refugjatëve dhe Azilit” dhe Clinton Global Initiative, ku theksoi nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar dhe fuqizimin e grave.

Ajo u nderua me çmimin “Women Empowerment Award” nga Fashion 4 Development.

Presidentja vizitoi gjithashtu Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane, u adresua para oficerëve të lartë ushtarakë, dhe mbajti ligjërata në Universitetin e Pittsburgh. Në kuadër të vizitës, u takua edhe me komunitetin shqiptaro-amerikan në disa shtete të SHBA-së, përfshirë New York, Connecticut dhe Pennsylvania, duke theksuar rolin e tyre në forcimin e lidhjeve me SHBA-të./lajmi.net/