Nga shpërthimi në KEK, 12 shtëpi dhe 4 biznese të dëmtuara

Shpërthimi i fuqishëm që sot ndodhi në termocentralin Kosova A në KEK, ka shkaktuar dëme edhe përreth. Si pasojë, janë dëmtuar 12 shtëpi, 4 biznese si dhe janë evakuuar banoret nga vendi i shpërthimit dhe afërsia e tij. 

Lajme

06/06/2014 20:02

Kryetari i komunë së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë për Kosovapress, se dy nga 12 shtëpitë, janë dëmtuar shumë rëndë, ku shtabi i emergjencës është duke e rregulluar qëndrimin e familjeve, kurse për të identifikuar dëmet e shkaktuara nga shpërthimi, është duke u marrë shtabi nga Komuna e Obiliqit. 

Edhe Policia e Kosovës, kishin bllokuar rrugën për të mos kaluar as makinat, as njerëzit nga ajo rrugë. 

“12 shtëpi, 4 biznese, dy shtëpi janë shumë të dëmtuara dhe shtabi i emergjencës po e rregullon qëndrimin e tyre. Janë dy shtabe emergjente njëri është nga QKMF shtab profesional mjekësor, dhe një shtab nga komuna e po merret me identifikimin e dëmeve që janë shkaktuar”, ka theksuar Gashi. 

Banorët të cilët e kanë pasur afër këtë shpërthim, kanë treguar se janë shqetësuar shumë nga shpërthimi, duke mos e ditur se çfarë ka ndodhur. 

Njëri nga ta është Rushit Isufi, nga fshati Mazgit, ku shtëpia e tij ndodhet rreth një kilometër e gjysmë larg termocentralit Kosova A. 

Ai ka treguar, se në momentin e shpërthimit është dëgjuar zhurmë aq e madhe dhe kanë parë shumë tym të zi. 

Isufi, ka thënë se nga ky shpërthim i madh nuk janë bërë dëme në shtëpinë e tij, megjithatë janë hapur plasat në mure të shtëpisë. 

“Po jam dal në atë moment thash u rrëzuar edhe shpija, krejt mundeni me pa qe e ka kris vene vene, nuk dita mo qa u bo hiq, e kemi pa këtu afër tym i zi shkojke, dej vonë e morëm vesh që ka shpërthyer diçka. Unë hala nuk e di, qitu jemi qe s’di sa, as NATO as nuk kom ni qasi krisme. Edhe dritaret i ka livrit. Kjo nganjëherë lëshon një far ushtime por, sikur sot kurrë jo”, ka thënë Isufi. 

Kryetari Gashi, ka thënë se rreziku ka kaluar dhe është shprehur se gjithë banorët e evakuuar mund të kthehen në shtëpitë e tyre përveç dy shtëpive të cilat janë dëmtuar shumë rëndë.