Nga shërbyes çaji, në “VIP” i rrjeteve sociale (Foto)
Nga shitës i thjeshtë çaji në një treg të Islamabadit, 18-vjeçari Arshad Khan u kthye brenda natës në sensacion të internetit, kur fotoja e tij u përhap me shpejtësi marramendëse pas hedhjes në Instagram.
ShowBiz
Pamja e të riut ka mahnitur shumë njerëz, por modestia e tij kalon çdo kufi.
“Sot në mëngjes e mora vesh që isha shumë i bukur. Nuk e dija. Kanë ardhur plot njerëz që më bëjnë fotografi e më regjistrojnë me kamera”, tha Arshad Khan.
I riu shtathedhur, me sytë bojëqielli, është i kënaqur nga vlerësimi, por edhe i hutuar nga vëmendja e jashtëzakonshme që vërshoi kaq papritur mbi të.
“Në fillim u ndieva mirë, por pastaj filluan të vinin shumë njerëz e të bënin fotografi. Nuk e di deri ku mund të shkojë e gjitha kjo dhe nisa të shqetësohem. Madje edhe u mërzita në një moment se nuk po e kuptoja ç’ishte gjithë kjo rrëmujë”, tha Arshad.
Katapultimi i beftë i Arshadit drejt famës erdhi kur fotografi Jiah Ali hodhi në Instagram një foto të tij duke shërbyer çaj në një tezgë të “Sunday Bazaar”, në kryeqytetin pakistanez. Pamja e tij ishte një hit i vërtetë e tërhoqi me mijëra pëlqime.
Familja e 18-vjeçarit jeton në Islamabad prej 25 vitesh. Khan i përket grupit etnik “Pashtun”, që jeton kryesisht në Pakistan e Afganistan, e disa prej njerëzve të tij i ka me lëkurë të çelët dhe sy me ngjyrë të hapur./ Top Channel