Nga Rezalla, kryetari i OVL-UÇK-së kërkon të mos votohet Gjykata Speciale

Institucione të vendit, organizata të dala nga lufta, ish-luftëtarë të UÇK-së dhe familjarë të dëshmorëve, kanë bërë homazhe sot pranë 28 mbetjeve mortore të viktimave që u rivarrosën në fshatin Rezallë të Skenderajt. Me këtë rast përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Xhavit Jashari u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit, që të mos e votojnë themelimin e Gjykatës Speciale.

Lajme

05/04/2015 18:08

Ata u vranë 16 vite më parë ku për gjatë gjithë kësaj kohe ata qenë të zhdukur, për t’u gjetur pastaj vitin e kaluar në Rudnicë të Rashkës.

Të dielën, në 16 vjetorin e vrasjes së tyre, homazhe bëri edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Pranë familjarëve u pa të bëjë homazhe edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Masakra e Rezallës u kujtua si shembull i gjenocidit serb.

Ata që u vranë ditën e 5 prillit të vitit ‘99 u përkujtuan si heronj që dhanë jetën për lirinë që e gëzojmë sot.

“Masakra e Rezallës e vitit 1999 ishte dhe mbetet shembulli tipik i gjenocidit të ushtruar nga forcat paramilitare serbe të luftës në Kosovë. Insititucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ato komunale, në shenjë përkujtimi të të rënëve në Rezallë tashmë kanë ndërtuar një kompleks përkujtimor i cili do të mbetet shenjë e përhershme për kujtimin dhe falenderimin për sakrificën e banorëve të kësaj ane”, tha nënkryetari i Skënderajt, Fadil Nura.

Në emër të Familjës Jashari, Rifat Jashari iu shprehu ngushëllime familjarëve që pas 16 vitesh gjetën më të dashurit e tyre.

“Këto sot duhet të jenë më të forta se kurrë tani, edhe më krenare se kurr tani, për këta bijë dhe bija që ia falën lirisë së Kosovës të cilën e gëzojmë ne sot. Vëllezër dhe motra, ky tubim sot duhet të jetë udhërrëfyes i gjithë ne shqiptarëve brenda dhe jashtë Kosovës që të bashkohemi njëherë e përgjithmonë, të punojmë bashkërisht, si popull e si komb”, tha ai.

E kryetari i OVL UÇK, Xhavit Jashari tha se institucionet e vendit duhet të jenë më të kujdesshme kur bëhet fjalë për luftën dhe sakrificën e të rënëve.

Madje, ai përmendi edhe Gjykatën Speciale, ku tha se nuk kanë nevojë institucionet të votojnë një gjykatë të tillë.

“Sot natyrisht edhe përcjellin mesazhe për ne, për institucionet e vendit që të jenë më të kujdesshëm kur kihet parasysh sakrifica, kur kihet parasysh lufta e shtrenjtë e Ushtrisë Çlirimtare Kosovës. Sot flet Rezalla se sa e pastër ishte kjo luftë. Sot flet Rezalla se kush i bëri krimet ndaj popullatës së pafajshme, pra krimet i bëri ushtria e policia e Serbisë. Andaj sikur sot edhe nga varret dëshmorët na thonë se nuk ka nevojë të formojmë Gjykata Speciale, nuk kanë nevojë institucionet tona që të votojnë dhe t’i aprovojnë këto gjykata sepse pastërtia e luftës ishte drejtë, ishte e shenjtë në shërbim të lirisë së atdheut”, tha ai.

Këta trupa u gjendën vitin e kaluar në Rudnicë të Rashkës.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj tha se për të arritur deri tek gjetja e tyre ka pas nevojë për një punë të madhe ekipore.

“Në këtë punë, për te ardhë këto eshtra këtu dehe për t’i varrosur është dashtë një punë ekipore e përfaqësuesve, e insiittucioneve vendore dhe ndërkombëtare, një këmbëngulësi e veçantë e ekspertëve vendorë dhe të EULEX-it, në punë e gjatë gjithë verës së kaluar. Prandaj edhe ata kanë shpërblimin e vet për punën që e kanë ba. Këta martirë sot qëndrojnë përpara nesh, sepse e deshën lirinë”, tha ai.

Në fshatin Rezallë të Skenderajt, 16 vite më parë, me 5 prill të 99-ës, u vranë 38 persona. Fillimisht paramilitarët serb mblodhën gjithë banorët që gjetën, në oborrin e Hashim Dërgutit me qëllim që t’i pushkatojnë të gjithë.

Më tutje, vendosën që t’i lirojnë gratë dhe fëmijët. E meshkujt i vranë të gjithë.

Pastaj, trupat e tyre u zhduken nga forcat serbe. Vitin e kaluar 28 prej tyre u gjenden në Rudnicë të Rashkës, 2 janë gjetur më herët dhe 8 janë që ende mungojnë.