Nga prania e vazhdueshme në protestë, kritikat ndaj policisë për dhunë e deri tek heshtja pas votimit: Ku mbetën zërat e djemve të Thaçit e Veselit?
Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, familjarët e ish-krerëve të UÇK-së u bënë pjesë e protestave të njëpasnjëshme në Prishtinë, ndërsa disa prej tyre u prononcuan edhe publikisht për zhvillimet. Në mesin e personave që u panë vazhdimisht në këto protesta ishin Endrit Thaçi,…
Lajme
Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, familjarët e ish-krerëve të UÇK-së u bënë pjesë e protestave të njëpasnjëshme në Prishtinë, ndërsa disa prej tyre u prononcuan edhe publikisht për zhvillimet.
Në mesin e personave që u panë vazhdimisht në këto protesta ishin Endrit Thaçi, djali i Hashim Thaçit, dhe Klestor Veseli, djali i Kadri Veselit, djali i Jakup Krasniqit, Altini e në ditët e fundit iu bashkuan edhe fëmijët e Rexhep Selimit.
Më 17 shtator, vetëm një ditë pas shpalljes së aktgjykimit, Endrit Thaçi dhe Klestor Veseli iu bashkuan protestës në Prishtinë. Endriti falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe deklaroi se “populli është me UÇK-në, ushtria është e pastër”. Klestor Veseli, ndërkaq, tha se nuk kishte çfarë të shtonte përtej asaj që kishte deklaruar Endriti dhe u bëri thirrje gazetarëve që t’i dëgjonin qytetarët e mbledhur në protestë, shkruan lajmi.net.
Një ditë më pas, më 18 shtator, të dy u panë sërish në protestë. Klestor Veseli u shfaq me një bluzë ku shkruhej “LIRIA KA EMËR”, ndërsa në pjesën e pasme ishin portretet e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Pas përfundimit të protestës së 18 shtatorit, Klestor Veseli dha edhe një deklaratë më të gjatë për mediat. Ai tha se familjarët dhe mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së nuk e kishin humbur besimin te bota perëndimore dhe drejtësia e saj.
“Nuk e kemi humbur besimin te bota perëndimore, tek drejtësia e tyre. Ne vetëm po kërkojmë korrigjim të një gabimi që ka qenë i zhytur në politikë”, kishte deklaruar Klestor Veseli.
Edhe më 23 shtator, Klestor Veseli ishte sërish pjesë e protestës në sheshin “Skënderbeu”. Atë ditë, ai u shfaq me një tjetër mesazh në veshje: “Jam krenar që i jam përgjigjur thirrjes së vendit, për lirinë e vendit tim”.
Ndërkohë, Endrit Thaçi vazhdoi me mesazhe publike edhe në ditët në vijim. Më 26 shtator, pas natës së 11-të të protestave, ai shkroi se “zëri ynë nuk shuhet, qëndresa vazhdon”, duke falënderuar pjesëmarrësit për mbështetjen, raporton lajmi.net.
Më 1 tetor, Endrit Thaçi dhe Klestor Veseli u panë sërish në ballë të protestës së madhe në Prishtinë, bashkë me djalin e Rexhep Selimit.
Por derisa kërkesa për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara po bëhej gjithnjë e më e drejtpërdrejtë, edhe paraqitjet e tyre vazhduan. Më 4 tetor, Endrit Thaçi u prononcua gjatë protestës “Jo në emrin tim”, duke iu bërë thirrje partive politike që të bashkoheshin dhe ta miratonin projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Ju ftoj të gjitha partitë që të bëhen bashkë edhe ta kalojnë ligjin për Gjykatën Speciale. I falënderoj të gjithë popullin për mbështetje”, kishte deklaruar Endrit Thaçi.
Më 5 tetor, kur protesta u zhvendos para Kuvendit të Kosovës dhe situata u tensionua, Endrit Thaçi dhe Klestor Veseli u panë sërish mes protestuesve.
Pas përshkallëzimit të situatës gjatë protestës së 5 tetorit, Endrit Thaçi reagoi edhe më 6 tetor. Ai kritikoi veprimet e Policisë ndaj protestuesve dhe bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar për atë ditë. “Është e turpshme se sot, kur jetojmë në liri që e solli UÇK-ja, të kemi një qeveri që godet mbi veteranë, mbi fëmijë dëshmorësh”, kishte shkruar ai.
Po atë ditë, Endrit Thaçi shpërndau edhe thirrjen për protestën e orës 12:00 në sheshin “Skënderbeu”.
Edhe më 6 tetor, në natën e 21-të të protestës, Endrit Thaçi dhe Klestor Veseli u panë sërish në mesin e protestuesve.
Kështu, gjatë gati tri javëve të protestave, prania e tyre publike ishte e dukshme, ndërsa në disa raste ata dolën edhe para kamerave apo përcollën mesazhe në rrjete sociale.
Megjithatë, pas përmbylljes së votimeve në Kuvend, tabloja ndryshoi. Më 6 tetor u votuan ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa në orët e para të 7 tetorit Kuvendi zgjodhi Justina Shiroka Pulën Presidente të Kosovës me 81 vota. Zgjedhja e Presidentes erdhi pas një marrëveshjeje politike që lidhej edhe me ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara.
Pas këtyre zhvillimeve, nuk u bë asnjë prononcim i ri publik nga Endrit Thaçi apo Klestor Veseli lidhur me votimin përfundimtar të projektligjit dhe zgjedhjen e Presidentes.
Kjo krijon një kontrast me javët paraprake, kur ata ishin të pranishëm pothuajse në mënyrë të vazhdueshme në protesta. Klestor Veseli u prononcua në disa raste para mediave, ndërsa Endrit Thaçi përcolli vazhdimisht mesazhe publike dhe bëri thirrje për mbështetjen e protestave dhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Nga deklaratat e drejtpërdrejta për drejtësinë dhe protestat, te prania në rrugë dhe thirrjet për miratimin e Ligjit për Specialen, zërat e tyre ishin të dëgjueshëm gjatë gjithë periudhës së protestave. Kurse pas përmbylljes së procesit në Kuvend, me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e Presidentes së re, nuk u dëgjua asnjë fjalë nga ta. /Lajmi.net/