Nga përmbytjet te ndotja e lumenjve, sfidat që vazhdojnë të rëndojnë Mitrovicën
Pas disa ditësh vërshimesh që shkaktuan dëme të konsiderueshme në shtëpi dhe lagje të ndryshme të Mitrovicës, gjendja aktualisht është stabile. Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Mitrovicë të Jugut, Burim Ibishi, ka deklaruar për KosovaPress, se situata është e qetë dhe nën kontroll. “Gjendja është stabile, lumenjtë janë në shtratin e tyre dhe nuk…
Lajme
Pas disa ditësh vërshimesh që shkaktuan dëme të konsiderueshme në shtëpi dhe lagje të ndryshme të Mitrovicës, gjendja aktualisht është stabile.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Mitrovicë të Jugut, Burim Ibishi, ka deklaruar për KosovaPress, se situata është e qetë dhe nën kontroll.
“Gjendja është stabile, lumenjtë janë në shtratin e tyre dhe nuk ka vend për panik”, ka thënë Ibishi.
Vërshimet që përfshinë lagjen “2 Korriku”, “Parkun e Biznesit” dhe zona të tjera të qytetit më 7 janar 2025, si pasojë e reshjeve të dendura, shkaktuan dëme të mëdha materiale. Si rezultat i daljes së lumit Sitnica nga shtrati, uji depërtoi në shtëpitë e banorëve, ndërsa rreth 22 familje u detyruan të evakuohen.
Banorët janë kthyer në shtëpitë e tyre duke nis pastrimin dhe rregullimin e dëmeve të shkaktuar. Ndërsa, përveç hallit me dëmet, kishim problem edhe me erën e rënd që kundërmonte.
Por problemet me lumenj në këtë komunë nuk janë të tanishme. Ato po shfaqen tash e disa vite.
Aktivisti i shoqërisë civile, Lulzim Hakaj, ka thënë për KosovaPress, se katër lumenjtë kryesorë të Mitrovicës, Ibri, Sitnica, Lushta dhe Trepça, janë në gjendje të rënduar.
“Në qytetin e Mitrovicës i kemi katër lumenj që janë në gjendje jo të mirë: Ibri, Sitnica, Lushta dhe lumi Trepça. Të katër i takojnë pellgut lumor të Ibrit. Sitnica mbetet më e ndotura, duke pasur parasysh edhe lumenjtë Lushta dhe Trepça, që janë shumë të ndotur, ndërsa Ibri qëndron pak më mirë. Sido që të jetë, të katër lumenjtë kërkojnë trajtim të veçantë për mbrojtjen e tyre. Këtu kemi pasur edhe një projekt për trajtimin e ujërave të zeza, pasi të gjitha ujërat e zeza në Mitrovicë derdhen në lumenj. Ky projekt ka mbetur pa u trajtuar dhe pa u implementuar për mbi katër vite”- tha Hakaj.
Sipas aktivistit Hakaj, Mitrovica përballet me probleme serioze mjedisore. Ai përmend si më problematike zonën e deponisë ilegale “Gërmova”, dhe deponin në zonën e lirë ekonomike.
“Zona problematike ka shumë, por po i theksoj disa prej tyre. Është në fshatin Koshtovë, te deponia e “Gërmovës”, që është një prej zonave më problematike në Mitrovicë. Gjithashtu është edhe një zonë tjetër problematike te zona e lirë ekonomike, ku shkaktohen deponi ilegale, pasi ndërtuesit hedhin pa leje mbetje ndërtimore”- potencoi Hakaj.
Pavarësisht bashkëpunimit me institucionet, përpjekjet për të mbrojtur ujërat në Mitrovicë kanë hasur në vështirësi. Hakaj ka theksuar se kjo inciativë nuk ka marrë ndonjë përgjigje pozitive nga komuna e Mitrovicës.“Tek bashkëpunim me institucionet kemi pasur një iniciativë shumë të mirë, ku në kuadër të viteve 2024–2025 kemi pasur iniciativë për hartimin e rregullorës për mbrojtjen e ujërave në qytetin e Mitrovicës. Këtë e kemi bërë në partneritet me Drejtorinë e Mbrojtjes së Mjedisit, por një rregullore e tillë asnjëherë nuk është miratuar në Kuvendin Komunal dhe as nuk ka shkuar në pikë të rendit të ditës. Kjo mbetet një ngecje e institucionit komunal, që do të thotë se nuk janë marrë hapa konkretë, për arsye tyre e që ne si shoqëri civile ende nuk i dimë”- ka thënë ai
Hakaj thekson se nuk është e drejtë të ngrihet vetëm akuza ndaj institucioneve, pasi edhe qytetarët nuk kanë një bashkëpunim të mirë me ta për të avancuar mbrojtjen e mjedisit.
Hakaj: Institucionet dhe qytetarët bashkërisht nuk kanë një korelacion ndërmjet vete
VIDEO:
“Lehtë është me e hedh fajin te institucionet, por edhe institucionet edhe qytetarët bashkërisht nuk kanë një korelacion ndërmjet vete që të ketë mirëkuptim për t’i shërbyer më shumë mbrojtjes së mjedisit në qytetin e Mitrovicës. Shpresoj që kjo situatë të ndryshojë dhe mjedisi në qytetin e Mitrovicës të marrë një pamje më të mirë sesa aktualisht”- ka përfunduar Hakaj.
Shefi i Sektorit për Mbrojtjen e Mjedisit, Bahri Sinani, tha për Kosovapress, se lumi Sitnica është i ndotur nga shumë burime, përfshirë prodhimin e energjisë në Kosovë A dhe B dhe aktivitetet e Parkut Industrial me metale të rënda.
Ai theksoi se edhe lumi Trepça përballet me grumbullim të madh të mbeturinave, megjithëse drejtoria ka ndërmarrë pastrime derë më derë që nga viti 2017, dhe gjatë vitit 2025 lumi Trepça u pastrua mbi katër here.
“Komuna e Mitrovicës i ka katër lumenj. Dy prej tyre, për nga kapaciteti, llogariten në kuadër të lumenjve të mëdhenj të Kosovës, Ibri dhe Sitnica, ndërsa dy janë lumenj më të vegjël, lumi Trepça dhe Lushta. Lumi Sitnica, fatkeqësisht, është një lum i ndotur nga shumë faktorë, duke filluar nga Kosova A dhe B, të cilat ndotjen e bëjnë gjatë procesit të prodhimit të energjisë elektrike dhe shkarkimit në ujërat e lumit Sitnica. Ndotja vazhdon edhe në kuadër të Parkut Industrial me metale të rënda dhe është një lum që lë shumë për të dëshiruar. Ndërsa lumi Trepça mbetet një “macë e zezë” për nga grumbullimi i mbeturinave“- tha Sinani.
Sinani, tha se deponitë ilegale mbeten një problem i madh në Mitrovicë, si në gjithë Kosovën. Gjatë vitit 2025, janë ekzekutuar gjashtë urdhra për largimin e tyre në të gjithë territorin e qytetit.
“Numri i deponive ilegale varion çdo vit. Që nga viti 2017, kur në Kosovë filloi një qasje më ndryshe për menaxhimin e mbeturinave, falë mbështetjes së donatorëve, GIZ-it gjerman, kena filluar që çdo vit të bëhet evidentimi i deponive ilegale, të cilat ndahen në tri kategori: të mëdha, të mesme dhe të vogla. Numri i tyre shpesh kalon 20 apo 30, ndërsa deponitë e mëdha, ku duhet ndërhyrë me makineri të rënda, janë zakonisht 4 ose 5”- ka thënë Sinani
Ai tha se gjatë vitit 2025 nuk janë shqiptuar gjoba mandatore administrative, pasi udhëzimi administrativ është shfuqizuar dhe me të janë hequr kompetencat e inspektorit për mbrojtjen e mjedisit.
Ai theksoi se ky ndryshim ka ndikuar negativisht në rritjen e deponive ilegale.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në kompaninë “UNITETI”, Ylber Murtezaj, tha për Kosovapress se kompania ka marrëveshje me Komunën e Mitrovicës për grumbullimin e mbeturinave, mirëmbajtjen e shesheve dhe zbrazjen e shportave të vogla në qytet.
Në fund të vitit 2025, Mitrovica mbetet e sfiduar nga deponitë ilegale dhe lumenjtë e ndotur. Pa koordinim institucional, masa ndëshkuese dhe angazhim qytetar, ambienti i pastër mbetet një sfidë e papërmbushur për vitin e ri.