Nga Ministria e Drejtësisë kërkojnë largimin e menjëhershëm të personit të akuzuar për dhunë në familje nga shtëpia e Big Brother

Koordinatorja Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, dhe Grupi Ndërministror reagojnë ashpër ndaj vendimit të Televizionit Klan Kosova për të futur brenda një shtëpie në kuadër të një emisioni televiziv, personin që është denoncuar për dhunë në familje ndaj të cilit deri në shtator të këtij…

Lajme

05/11/2024 17:34

Koordinatorja Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, dhe Grupi Ndërministror reagojnë ashpër ndaj vendimit të Televizionit Klan Kosova për të futur brenda një shtëpie në kuadër të një emisioni televiziv, personin që është denoncuar për dhunë në familje ndaj të cilit deri në shtator të këtij viti ka pasur Urdhër Mbrojtës.

Grupi ndërministror për mbrojtjen dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, kërkon të ndërmerren veprime urgjente:

  1. Vendimin për largim nga emisioni – show televiziv Big Brother personin e denoncuar për dhunë në familje, Atilla Kardesh
  2. Ndërmarrjen e masave nga Komisioni i Pavarur i Mediave në raport me këtë vendim skandaloz të televizionit Klan Kosova
  3. Vlerësimin e përgjithshëm të përmbajtjeve të emisioneve në Kosovë në raport me raportimin e ndjeshëm gjinor, riviktimizimin e viktimave të dhunës dhe presionin psikologjik që u shkaktohet viktimave të dhunës.

“Republika e Kosovës përmes amandamentimit të Kushtetutës ka bërë Konventën e Stambollit pjese integrale të saj dhe e njëjta mbizotëron mbi legjislacionin vendor. Nisur nga mandati i dhënë sipas kësaj Konvente, respektivisht përgjegjësive institucionale Neni 12 i Konventës së Stambollit  – Detyrimet e përgjithshme:

Pika 2. Palët marrin masat e nevojshme legjislative dhe masa të tjera për të parandaluar të gjitha format e dhunës të mbuluara nga objekti i kësaj Konvente nga çdo person fizik ose juridik.

Pika 3. Çdo masë e marrë sipas këtij kapitulli merr në konsideratë nevojat specifike të personave pa mbrojtje për shkak të rrethanave të veçanta dhe i japin prioritet të drejtave të të gjitha viktimave”, thuhet në reagimin që vie nga ministria.

Koordinatorja Nacionale dhe përfaqësuesit e grupit ndërministror me qëllim të zbatimit ‘’të masave për të promovuar dhe mbrojtur të drejtën për çdokënd, veçanërisht gratë, për të jetuar pa dhunë në sferën publike, si dhe në atë private”, tërheqin vëmendjen e televizionit të lartëcekur, në rastin e Drenusha Latifi pjesëmarrëse e emisionit ‘’Big Brother’’ e cila është e mbijetuar e dhunës në familje, dhe e cila ka poseduar Urdhër Mbrojtje (UM) prej ish bashkëshortit të saj, Atilla Kardesh, i cili UM ishte aktiv nga data 10/02/2024 për periudhën kohore në afat prej 6 muajsh.

“Situata me të cilin potencialisht do të përballet znj. Latifi, në praninë e ish bashkëshortit “dhunues” paraqet rast të veçantë, dhe në emër të prioritizimit të mbrojtjes së dinjitetit të një të mbijetuare të dhunës në familje – viktimë,  e cila është shprehur publikisht për kërcënimet nga ish bashkëshorti, tashmë të provuara, bëjmë thirrje menaxhmentit të Klan Kosova të tërheqë z. Atilla Kardesh nga formati televiziv, për të parandaluar çfarëdo lloj forme të presionit, ose dhunës psikologjike, që rëndon pozicionin dhe krijon kushte për ri-përjetimin e dhunës nga e mbijetuara znj. Latifi”, thuhet në komunikatën për shtyp.

Prandaj, në cilësinë e Mekanizmit institucional për koordinim mbarëkombëtarë kundër dhunës ndaj grave, me synim të parandalimit të çfarëdo lloj dhune psikologjike, verbale, apo fizike apelojmë tek Menaxhmenti i Klan Kosova të marrë vendim për largimin e Atilla Kardesh nga emisioni, me synim të parandalimit dhe mbrojtjes së mirëqenies psikologjike, fizike dhe ruajtjes së dinjitetit të viktimës.

Në reagim tutje thuhet se mediat i konsiderojmë si aleatët më të fuqishëm në parandalimin e dhunës ndaj grave dhe qasja proaktive e tyre për transmetim të programeve mediatike që fuqizojnë rolin e gruas në shoqëri, parandalojnë dhunën ndaj grave duke krijuar ambiente të sigurta dhe jo diskriminuese ndaj grave është imperativ.

“Emisioni në fjalë ka audiencë të gjerë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë e vendos publikun dhe shoqërinë në pozitë të ‘’ bashkëfajtorit’’, në kohë reale,  të presionit dhe dhunës psikologjike, e cila besojmë që nuk është synim i emisionit dhe politikave redaktoriale të Televizionit”, përfundon reagimi.