Nga “lëndim i rëndë trupor” në s’ka ekspertizë sepse kishin lëndime të lehta- Prokuroria e Pejës e bën tollovi rastin e Noizyt
Prokuroria Themelore në Pejë pati lëshuar fletëarrest për artistin e njohur, Noizy, saktësisht qytetarin e Shqipërisë -Rigels Rajku. Noizy u shndërrua nga artisti më i kërkuar, në të dyshuarin më të kërkuar. E gjithë kjo si shkak i një rrahje të ndodhur më 2 gusht në një prej diskotekave në Pejë, e ku thuhej se…
Lajme
Prokuroria Themelore në Pejë pati lëshuar fletëarrest për artistin e njohur, Noizy, saktësisht qytetarin e Shqipërisë -Rigels Rajku.
Noizy u shndërrua nga artisti më i kërkuar, në të dyshuarin më të kërkuar.
E gjithë kjo si shkak i një rrahje të ndodhur më 2 gusht në një prej diskotekave në Pejë, e ku thuhej se Noizy bashkë me grupin e tij kishin sulmuar fizikisht tiktokerin Medi Isenin.
Prokuroria shpalli në kërkim Noizyn derisa u tha se nëse ai nuk paraqitet tek organet e rendit, Policia do ta arrestojë qoftë edhe nëse është duke performuar.
Si shkak reperi anuloi disa koncerte në Kosovë, ndërsa ditë më pas u arrestua gjatë një performancë në Shqipëri, madje me forca të shtuara të policisë nga njësi special.
Pas arrestimit Noizy u dërgua në burg, ndërsa pak ditë më parë Gjykata e Durrësit mori vendim për lirim të reperit.
E pas kësaj një “tollovi” tashmë po shkaktohet në Prokurorinë Themelore në Pejë.
Derisa deri më tani Noizy kërkohej për “Lëndim të rëndë trupor” që do të mund t’i kushtonte pesë deri në 10 vite burgim, tanimë duket se ai po kërkohet vetëm për lëndim të lehtë trupor.
Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar zëdhënësin e Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
I pyetur nëse Prokuroria ka pranuar ekspertizën ligjore për reperin Noizy, Nikçi deklaroi se nuk ka ekspertizë.
Madje ai shkoi tutje duke theksuar se “S’ka ekspertizë se nuk ka qenë i përfshirë në rrahje, viktimat kanë lëndime të lehta trupore dhe jo të rënda”.
Ai mes tjerash është pyetur edhe mbi atë se mbi cilat fakte është bazuar Prokuroria Themelore në Pejë kur edhe u shpall Noizy në kërkim, gjë për të cilën nuk ka dhënë shumë informacione.
“E këto nuk i bëjmë publike, na edhe hetimet nuk i bëjmë publike”, ka thënë Nikçi
Kësisoj vetë Prokuroria Themelore në Pejë ka ndryshuar kërkesën për Noizyn, pasi që kohë më parë vetë Nikçi pati deklaruar se rasti u iniciua si “Lëndim i rëndë trupor” dhe se është lëshuar fletëarrest nga Prokuroria, ku duhet ta zbatojë Polica e Kosovës që ka me personin e kërkuar apo me personat që janë të përfshirë në këtë çështje penale, ku janë disa persona.
“Prokuroria Themelore e Pejës, ka autorizuar policinë që edhe njëherë t’i intervistojë viktimat e kësaj çështjeje ku kanë pranuar informata shtesë nga ta dhe njëkohësisht ka marrë në pyetje dëshmitarë okular të ndryshëm të cilat kanë qenë prezent natën kur ka ndodhur përleshja gjatë performancës së këngëtarit në Pejë”, shtoi Nikçi.
Gjithashtu ishte bërë e ditur se ka kërkim intensiv nga Policia për kapjen e Noizyt.
Madje një gjë e tillë është pohuar edhe nga avokati mbrojtës i Noizyt, Besnik Berisha, i cili para se Noizy të lirohej, ka deklaruar se reperi kundërligjshëm po pandehet për lëndim të rëndë trupor, pasi s’ka prova që e dëshmojnë një gjë të tillë.
Madje, Berisha kishte kërkuar publikisht nga Prokuroria Themelore në Pejë që ta demantojë deklaratën e tij, se i dëmtuari në këtë rast ka vetëm lëndime të lehta.
Avokati Berisha madje pati theksuar se lëndimi i lehtë trupor nuk e justifikonte urdhërarrestin që u lëshua ndaj tij e as masën e paraburgimit që iu caktua fillimisht nga autoritetet shqiptare.
E në gjithë këtë tollovi të institucioneve të Kosovës për rastin e Noizyt artisti vazhdimisht e ka potencuar se kërkesa për arrestimin dhe burgosjen e tij po vie vetëm si shkak për të “shkatërruar” karrierën e ndërtuar të tij.
Madje ai tha se ai s’do të ndalet të bëjë muzikë, pavarësisht këtyre tendencave.
Duhet theksuar se në vazhdimësi Noizy kërkohej për lëndim të rëndë trupor derisa tani si përfundim del se Medi kishte pësuar lëndim të lehtë trupor.
Madje ishte vetë Medi që pati deklaruar se problemi i tij me Noizyn kishte ekzistuar edhe më parë dhe se reperi Stresi më pas ua kishte mundësuar takimin në diskotekën e Pejës.
Në vazhdimësi deklarime të shumta të bëra nga artistët kanë qenë që Noizy të lirohet dhe se do të dëshmohet se ai s’ka të bëjë me rastin e potencuar nga autoritetet e Kosovës.
Për kërkimin dhe arrestimin e Noizyt kërkesat kishin shkuar edhe më lart se Prokuroria, anipse rrahje të shumta ndodhin në Kosovë dhe Shqipëri, por nuk bëhen kërkesa për ekstradim- ashtu siç u bë në rastin e reperit./Lajmi.net/