Nga “Iliria” te “Marshall Tito” – Reagime në Tetovë pas vendimit për ndryshimin e emrave të rrugëve

Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut ka marrë vendim një ditë më parë për të shfuqizuar emërtimin e disa rrugëve dhe sheshit të Tetovës, për çka ka nxitur reagime të shumta të partive opozitare shqiptare. Pas këtij vendimi, Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar seancë urgjente, duke kërkuar rikthimin e emrave të rrugëve. “Në vitin…

Lajme

18/06/2026 19:55

Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut ka marrë vendim një ditë më parë për të shfuqizuar emërtimin e disa rrugëve dhe sheshit të Tetovës, për çka ka nxitur reagime të shumta të partive opozitare shqiptare.

Pas këtij vendimi, Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar seancë urgjente, duke kërkuar rikthimin e emrave të rrugëve.

“Në vitin 2006, BDI e miratoi këtë vendim, me votim të gjithë këshilltarëve, të të gjitha etnive, me marrëveshje të plotë politike dhe me votim sipas parimit të badenterit, sot kërkojmë që ky vendim të ri-miratohet menjëherë, duke pasur parasysh se sipas regjistrimit të fundit, për këtë çështje nuk kërkohet më votim i dyfishtë me badenter në Këshillin e Komunës së Tetovës”, ka thënë këshilltari Berat Murati.

Megjithatë, reagimin e opozitës, Komuna e Tetovës e ka cilësuar si manipulues, ndërsa ka premtuar kthimin e emrave që Kushtetuesja i ka rrëzuar.

“Opinioni e di mirë se vendimi i Këshillit Komunal i vitit 2007 që kanë bërë riemërtimin e 11 rrugëve, gjegjësisht edhe të Sheshit Iliria, nuk ka hyrë në fuqi, shkaku se nuk ka pasur në atë kohë pëlqim nga Qeveria. Padyshim se këto do t’i kthejmë, por ne edhe rrugët tjera që janë pa emra do t’u vendosim emra të rinj”, ka thënë zëvendëskryetari i Tetovës, Albi Qamili.

Ndryshe, sipas vendimit, rrugët me emërtime shqipe, do të riemërtohen me emra të figurave maqedonase, ose ish-jugosllve.

Në fokus të vendimit janë emra si “Iliria”, “Dëshmorët e Kombit”, “Dervish Cara” dhe “Kongresi i Manastirit”. Për një pjesë të shqiptarëve të Tetovës, këto emërtime konsiderohen simbol i procesit të përfaqësimit më të drejtë të historisë dhe identitetit shqiptar në hapësirën publike pas Marrëveshja e Ohrit.

Emrat e vjetër do tu rikthehen edhe rrugëve “Kongresi i Manastirit”, “Dëshmorët e Kombit” dhe “Krushevska Republika” dhe do të quhen sipas politikanit dhe udhëheqësit ushtarak jugosllav, Ivo Llolla Ribar.

Në listë janë edhe dy rrugë që mbajnë emrat e dy figurave të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Abdyl dhe Sami Frashëri, tanimë këto emra do të zëvendësohen me emrat e vjetër të diktatorit rus “Lenin” dhe partizanit “Radovan Coniq”. Do të hiqet edhe emri i rrugës “Metodija Andonov Çento”, ndërsa tani do të quhet sipas partizanit slloven Boris Kidriç, si dhe do të shtohet edhe emri “Marshall Tito”.