Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi merr sot detyrën e tij
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi do të pranoj sot detyrën e tij nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj. Ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës do të bëhet sot duke filluar nga ora 11:00 në objektin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Zejnulla Gashi është emëruar të martën kryeprokuror i Shtetit, pasi ushtruesja…
Lajme
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi do të pranoj sot detyrën e tij nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj.
Ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës do të bëhet sot duke filluar nga ora 11:00 në objektin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Zejnulla Gashi është emëruar të martën kryeprokuror i Shtetit, pasi ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e nënshkroi dekretin për emërimin e tij në detyrën e udhëheqësit më të lartë të sistemit prokurorial në vend.
Emërimi i Gashit vjen pasi Kosova kishte qenë pa kryeprokuror për gati katër vjet.
Haxhiu e priti të martën në takim Gashin, ku ia dorëzoi dekretin për emërimin e tij, pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte propozuar atë pas një konkursi disa mujor, i cili është kundërshtuar nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj.
Këshilli Prokurorial tha se me nënshkrimin e dekretit nga Haxhiu, është përmbyllur procedura kushtetuese dhe ligjore të emërimit të tij në krye të sistemit prokurorial të Kosovës.
Gashi do të jetë kryeprokuror i Shtetit për një mandat shtatë vjeçar.
Kosova ka qenë pa kryeprokuror të Shtetit qëkurse Aleksandër Lumezit i mbaroi mandati më 2022.
Në mungesë të një kryeprokurori me mandat të plotë gjatë kësaj kohë, detyrën e tij e kishin ushtuar Besim Kelmendi dhe Agron Qalaj.
Presidentja e atëhershme Vjosa Osmani nuk e kishte dekretuar Blerim Isufajn për këtë pozitë kur Këshilli Prokurorial ia propozoi më 2023, me arsyetimin se ishin gjetur disa shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes.
Bashkësia ndërkombëtare e kishte kritikuar mënyrën e përzgjedhjes së Isufajt nga KPK-ja, dhe me raste ka kërkuar që procesi të kthehet në pikën zero. /Lajmi.net/