Nga 80 mijë në 107 mijë euro: Tenderi i Donika Gërvallës për inventar me “artikuj anonimë” e fryrje çmimesh
Ministria e Drejtësisë kishte planifikuar 80 mijë euro për furnizim me inventar, por kontrata përfundoi në mbi 107 mijë euro. Në dokumentet zyrtare të tenderit nuk janë bërë publike përshkrimet konkrete të produkteve që do të blihen, pasi janë listuar vetëm si “Artikulli 1”, “Artikulli 2” e deri te “Artikulli 37”, të shoqëruara me sasi…
Lajme
Ministria e Drejtësisë kishte planifikuar 80 mijë euro për furnizim me inventar, por kontrata përfundoi në mbi 107 mijë euro. Në dokumentet zyrtare të tenderit nuk janë bërë publike përshkrimet konkrete të produkteve që do të blihen, pasi janë listuar vetëm si “Artikulli 1”, “Artikulli 2” e deri te “Artikulli 37”, të shoqëruara me sasi dhe çmime.
Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka nënshkruar një kontratë për furnizim me inventar për Ministrinë dhe njësitë e saj, ku vlera finale e tenderit ka rezultuar dukshëm më e lartë se ajo e planifikuar fillimisht.
Sipas dokumenteve zyrtare të prokurimit, vlera e parashikuar e kontratës ishte 80 mijë euro, shkruan demokracia.com.
Megjithatë, kontrata është nënshkruar më 12 maj 2026 në shumën prej 107 mijë e 75 eurosh, apo mbi 27 mijë euro më shumë se planifikimi fillestar.
Tenderi i është dhënë kompanisë “Mobelland” SH.P.K nga Suhareka, ndërsa në garë kanë marrë pjesë katër operatorë ekonomikë, prej të cilëve tre janë shpallur të përgjegjshëm.

“Furnizimi me inventar për Ministria e Drejtësisë dhe njësitë e saj Data e nënshkrimit te kontratës: 12.05.2026 . Numri i tenderëve te pranuar: 4 . Numri i tenderëve te përgjegjshëm: 3. Emri zyrtar: “Mobelland” SH.P.K. Vlera e përgjithshme e kontratës 107,075.00 euro. Vlera e parashikuar e kontratës: 80,000.00 euro”.

Por përtej rritjes së vlerës së kontratës, ajo që bie më shumë në sy në këtë tender është mungesa e transparencës për inventarin që do të blihet me paratë publike.
Në dokumentet e publikuara nga Ministria e Drejtësisë nuk figuron asnjë përshkrim konkret për produktet që do të furnizohen.
Në vend të emërtimeve të qarta për inventarin, dokumenti përmban vetëm formulime të përgjithshme si “Artikulli 1”, “Artikulli 2”, “Artikulli 3” e deri te “Artikulli 37”, të shoqëruara me sasi dhe çmime, por pa sqaruar se për çfarë pajisjesh apo mobiliesh bëhet fjalë.

Në listë figurojnë qindra copë inventar të planifikuara për furnizim, përfshirë artikuj me 332 copë, 346 copë, 167 copë apo edhe 140 copë, por publiku nuk ka asnjë informacion konkret nëse këto produkte janë tavolina, karrige, dollapë, pajisje zyre apo inventar tjetër.
Mungesa e specifikimeve teknike dhe përshkrimeve të detajuara e bën të pamundur verifikimin publik të çmimeve dhe krahasimin e tyre me tregun, duke ngritur pikëpyetje nëse kemi të bëjmë me çmime të fryra apo me mungesë të transparencës në mënyrën se si po shpenzohen paratë publike.
Dokumentet e tenderit publikojnë vetëm numra artikujsh, sasi dhe vlera financiare, ndërsa pjesa thelbësore, çfarë konkretisht po blihet me mbi 107 mijë euro mbetet e paqartë.
