Nga 500 mijë euro u rrit në 18.4 milionë sheshi “Xhorxh Bush”, Komuna e Prishtinës shkurtoi kundërligjshëm afatet për garim

Tenderi për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë ka kaluar nga një vlerë fillestare prej 500 mijë eurosh në 18.4 milionë euro. Komuna e Prishtinës ka vendosur afate të shkurtuara për dorëzimin e ofertave dhe kritere jashtëzakonisht të rrepta, duke ngritur dyshime për favorizim të mundshëm të kompanive të caktuara. Komuna e Prishtinës, e…

Lajme

16/08/2024 10:19

Tenderi për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë ka kaluar nga një vlerë fillestare prej 500 mijë eurosh në 18.4 milionë euro.

Komuna e Prishtinës ka vendosur afate të shkurtuara për dorëzimin e ofertave dhe kritere jashtëzakonisht të rrepta, duke ngritur dyshime për favorizim të mundshëm të kompanive të caktuara.

Komuna e Prishtinës, e drejtuar nga LDK-ja dhe Përparim Rama, ka hapur një tender në vlerë prej 18.4 milionë euro për ndërtimin e sheshit kryesor në kryeqytet. Demokracia.com ka zbuluar se prokurimi komunal nën drejtimin e Visar Shehut, ka bërë shkelje në fazën e ‘njoftim per kontrate’.

Vlera e parashikuar për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” është 18,400,000.00 euro, ndërsa afati i punimeve është përcaktuar të zgjasë 360 ditë nga momenti i nënshkrimit të kontratës.

Demokracia ka zbuluar se prokurimi komunal ka vendosur kritere shumë të vështira për t’u plotësuar dhe e ka shkurtuar afatin për pjesëmarrjen e kompanive të interesuara në procesin e tenderimit. Ky shkurtim i afatit është shkelje ligjore dhe ngre dyshime se ndonjë kompani mund të jetë informuar më herët nga Komuna e Prishtinës për të përgatitur dokumentacionin.

Ligji për Prokurimin Publik, në rastin e kontratave të mëdha të hapura kërkon që hapja e ofertave të bëhet në ditën kur përfundon afati për dorëzimin e tenderëve dhe ky afat duhet të jetë jo më pak se 40 ditë. Megjithatë, Komuna e Prishtinës ka caktuar një afat prej vetëm 21 ditësh. Tenderi është hapur të enjten dhe afati për dorëzimin e ofertave është deri më 6 shtator, ora 14:00, pra 21 ditë në total, shkruan Demokracia.com.

Neni 44 i Ligjit për Prokurimin Publik përcakton qartë afatet për pranimin e ofertave në kontratat publike të mëdha, duke specifikuar që për kontratat e mëdha, afati duhet të jetë jo më pak se 40 ditë.

Në këtë tender, përveç shkurtimit të afatit janë vendosur edhe kritere të rrepta që vështirësojnë konkurrencën e drejtë.

Për shembull: “Operatorët ekonomikë duhet të dorëzojnë një listë të punëtorëve teknikë me së paku 100 punëtorë, të nënshkruar dhe të vulosur, së bashku me kontratat e punës ose marrëveshjet për angazhim në këtë projekt. Nëse prezantohen kontrata të rregullta të punës, ato duhet të dëshmohen edhe me listën e administratës tatimore për tre muajt e fundit para publikimit të njoftimit për kontratë. Nëse prezantohen marrëveshje për angazhim, ato duhet të jenë të noterizuara në prani të palëve, ku specifikohet titulli dhe numri i aktivitetit të prokurimit”.

Gjithashtu, “operatori ekonomik duhet të dorëzojë “Planin Dinamik të Detajuar” për secilin pozicion të përshkruar në Paramasë, duke treguar datat e fillimit dhe përfundimit të punimeve, numrin e ditëve të nevojshme për përfundimin e çdo pozicioni, si dhe numrin e përgjithshëm të punëtorëve dhe stafit të angazhuar në punishte”.

Nëse nuk plotësohet plani dinamik, atëherë numri prej 100 punëtorëve është i panevojshëm, pasi kompania mund ta realizojë projektin edhe me më pak punëtorë.

Përveç kësaj, operatori ekonomik duhet të ketë kapital financiar të mjaftueshëm për realizimin e kontratës në vlerë prej 3,000,000.00 euro ose qasje në kredi të pakushtëzuar nga një bankë. Gjithashtu, duhet të ketë bazë për prodhimin e materialit të betonit dhe të zhavorit, si dhe të ofrojë dëshmi për qarkullim vjetor minimal prej 36,500,000.00 euro gjatë tre viteve të fundit. Kërkesat përfshijnë gjithashtu disa çertifikata ISO dhe përvoja të mëparshme në projekte të ngjashme me vlerë prej të paktën 27,500,000.00 euro.

Këto kritere përfshijnë gjithashtu kërkesa për çertifikata ISO, të cilat janë të panevojshme për këtë aktivitet të prokurimit dhe vështirë të sigurohen brenda periudhës së shkurtuar prej 21 ditësh.

Komuna e Prishtinës qysh në start ka vënë në lajthitje kompanitë që duan të marrin pjesë në këtë tender. Kjo pasi më 10 janar 2024, kishte bërë ‘njoftim paraprak’ për ‘Ndërtimi i sheshit Xhorxh Bush’. Aty ishte shkruar se tenderi do të hapet më datën 5 shkurt në një vlerë të parashikuar të kontratës prej 500 mijë eurosh. Njoftimi paraprak bëhet për tenderët e vlerës së madhe, në mënyrë që kompanitë e interesuara ta shohin atë dhe të përgatiten për tender, ndonëse në këto njoftime mungon specifikimi teknik.

Demokracia.com ka parë se në buxhetin e vitit 2024 është planifikuar ndërtimi i këtij sheshi dhe në buxhet figuron vetëm shuma në një vlerë prej 500 mijë eurosh. Se kah do t’i marrë komuna mjetet e tjera mbetet që ajo të dalë me një sqarim, por meqë planifikimi është që ndërtimi të bëhet për një vit, atëherë do të preken shumë projekte të tjera kapitale të planifikuara në vitin 2024.

Projektin për ndërtimin e këtij sheshi e ka bërë kompania “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” (SHAK), që udhëhiqet nga Astrit Nixha.