“Nga 430 mijë në 1 milion euro”, bizneset në Kosovë përballen me rritje drastike të çmimit të energjisë
“Nëse vitin e kaluar kemi paguar fatura me vlerë 430 mijë euro, tash mund të jetë 800 deri në 1 milion euro”, kështu e përshkruan gjendjen aktuale Shaqir Palushi, pronar i një kompanie në Kosovë, vetëm një ditë para hyrjes në fuqi të obligimit për dalje në tregun e lirë të energjisë elektrike. Nga 1…

Lajme
“Nëse vitin e kaluar kemi paguar fatura me vlerë 430 mijë euro, tash mund të jetë 800 deri në 1 milion euro”, kështu e përshkruan gjendjen aktuale Shaqir Palushi, pronar i një kompanie në Kosovë, vetëm një ditë para hyrjes në fuqi të obligimit për dalje në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Nga 1 gushti 2025, të gjithë konsumatorët që nuk kanë lidhur kontrata me furnizues të licencuar do të kalojnë automatikisht nën furnizim të përkohshëm nga KEK, si Furnizues i Mundësisë së Fundit.
Lidhur me këtë çështje, KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Qeverinë e Kosovës dhe në KEDS, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kësaj teme.
Palushi thotë se kontratat kanë ardhur me vonesë dhe çmimet janë shumë më të larta se më parë. Ai ka lidhur kontratë tremujore me KESCO-n, por me çmim jo fiks, i lidhur me bursën hungareze dhe marzhat e furnizuesit.
“Ne në fakt dje e kemi nënshkruar një kontratë tremujore me KESCO-n. Çmim fiks nuk do të kemi, sipas marrëveshjes është çmimi i bursës hungareze plus marzhat e parapara nga ky operator. Por, përveç kësaj ne jemi të obliguar, madje sot të bëjmë një parapagim sa mesatarja e faturës, e që ka vlerën rreth 99 mijë euro, që në fakt nëse bazohemi nga faturat e vitit të kaluar për periudhën e njëjtë i bien rreth 150 për qind më e lartë. Çmimi nuk është fiks, por variabel, por gjithsesi është çmim së paku 150 qind më i lartë…Nëse vitin e kaluar, përgjatë gjithë vitit kemi paguar fatura me vlerë 430 mijë euro, tash, sipas parashikimit domethënë, se nuk është fikse, mund të jetë 800 deri në 1 milion euro. E mira është që jo të gjithë kompanitë duket sa kam informacione e kanë nënshkruar me KESCO-un dhe ne kështu do të kemi brenda këtyre tre muajve do të shohim edhe faturat, për shembull, do t’i krahasojmë çmimin që do ta kemi ne si kompani dhe kompanitë tjera do të do të marrin nga operatorët e tjerë dhe do të shohim”, thotë Palushi.
Palushi kritikon mungesën e seriozitetit nga ana e operatorëve përgjatë muajve të kaluar, duke thënë se ofertat konkrete kanë ardhur vetëm ditët e fundit para afatit.
Ai poashtu shprehet i zhgënjyer edhe për mosrealizimin e kërkesave për shtyrje gjashtëmujore që do t’i lejonin kompanive të investonin në energji të ripërtëritshme. Derisa shton se, mbetet të shihet, nëse do të realizohen disa premtime që janë bërë publike nga ana e qeverisë, se do të ketë subvencionim për kompani, të cilët do të investojnë në energji të ripërtëritshme.
Sipas Palushit, përveç rritjes së çmimit, bizneset po përballen edhe me barrë financiare të menjëhershme për shkak të kushteve kontraktuale që kërkojnë pagesa paraprake të konsiderueshme.
“Por, vetëm javën e fundit ka pas oferta serioze prej së paku tre operatorëve. Prej marsit kur jemi informuar që do të ketë detyrim për dalje në treg të lirë, d.m.th për pesë-gjashtë muaj apo sa kanë kaluar, vetëm kjo java e fundit ka qenë serioze nga ana e operatorëve, të cilët kanë qenë gatshëm edhe KEK-u, dhe një kompani tjetër na kanë ofruar mundësi të nënshkrimit, por jo edhe më herët, kështu që kjo ka qenë edhe shqetësimi ynë kryesor që ne në treg lirë po dalim, po treg të lirë s’ka… Poashtu, jo (nuk kemi fatura për dy muajt e fundit) dhe edhe ky shqetësim është për neve, por duket kjo ka qenë taktikë e tyre e ZRRE-së, ka qenë e vetëdijshme nga ana e tyre që ne mos të shqetësohemi me faturat që do t’i marrim. Jam i sigurt se i kanë shtyrë mos dërgimin e faturave. Kjo do të jetë edhe një ngarkesë edhe më e madhe për shumë kompani, do të paguajnë për dy muaj dhe obligimi që është parapagimi, brenda pak ditëve ne do të detyrohemi të paguajmë tri fatura, dy të kaluara dhe kjo është parapagimi, do të jetë edhe një ngarkesë për shumë kompani”,thekson Palushi.
Derisa, zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) e ka bërë të qartë se nuk do të ketë shtyrje të afatit për daljen në tregun e lirë. Sipas tyre, vendimi është në përputhje të plotë me ligjin dhe ka për qëllim liberalizimin e tregut dhe krijimin e konkurrencës së ndershme.
“Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për dalje në treg të lirë të konsumatorëve që nuk i plotësojnë kushtet për shërbim universal është plotësisht në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike si dhe me kuadrin rregullativ në fuqi. Ky vendim ka për qëllim zbatimin e detyrimeve ligjore për liberalizimin e tregut dhe krijimin e një mjedisi konkurrues, transparent dhe jo-diskriminues. ZRRE është duke monitoruar me kujdes zbatimin e këtij vendimi dhe zhvillimet në treg, ky vendim nuk munde te shtyhet, pasi zbatimi i tij përbën një obligim ligjor i cili nuk mund të shtyhet mbi baza të kërkesave të palëve të interesit”,thuhet në një përgjigje me shkrim nga ZRrE.
Në anën tjetër drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Kushtrim Ahmeti e quan situatën kritike. Sipas tij, mungesa e transparencës, oferta të vonuara dhe çmime të paqëndrueshme rrezikojnë seriozisht qëndrueshmërinë e bizneseve në vend.
Ai thekson se shumë kompani kanë pezulluar investimet dhe disa kanë filluar të shkurtojnë numrin e punëtorëve, duke paralajmëruar largime të mundshme nga tregu kosovar. Ai përmendi edhe shqetësime për rritje të çmimit të energjisë, duke dhënë shembuj nga kompanitë që kanë ofertuar.
“Problemi kryesor është padyshim furnizimi. Tashmë kemi paralajmërime që si të përfundon periudha e korrikut, bizneset që nuk kanë nënshkruar kontrata me një nga kompanitë, meqenëse është numër i vogël të cilat janë të licensuara për furnizim me energji elektrike në tregun e hapur do të mbesin pa furnizim me energji. Ky është problemi kryesor aktual dhe është më urgjente. Ne jemi duke kërkuar nga institucionet duke përfshirë edhe ZRrE-në që të shtyjë këtë proces, sepse ka një numër të madh të parregullsive dhe shkeljeve ligjore që janë bërë gjatë gjithë procesit. KEK-u ka ofruar si furnitor i fundit të energjisë, kemi KESCO-n i cili ka ofertuar me çmimin prej 260 eurove megavatin, dje ka nisur ofertimin kompania e vëllait të shefit të kabinetit të kryeministrit që ka marrë këto ditë licensen nga ZRrE për furnizim me energji, vlera nëse nuk gaboj është rreth 230 euro për megavat, është disafish çmimi më i shtrenjtë, sesa që kanë paguar deri sot bizneset. Askush nuk është kundër procesit të liberalizimit të energjisë elektrike, është proces që e kemi mbështetur, ne jemi pro liberalizmit të tregut, por jo në këtë formë që është bërë deri tani, ka numër të madh të shkeljeve, jo të bëhet në mënyrë të menjëhershme”,thotë Ahmeti.
Ai thotë se përveç barrës financiare, mungesa e funksionimit të Kuvendit po e pamundëson edhe dorëzimin e peticioneve dhe ankesave të komunitetit të bizneseve.
Poashtu në përgjigjen me shkrim nga ZRrE thuhet se deri më 24 korrik 2025, gjithsej 9 mijë e 367 pika matëse janë jashtë sistemit të furnizimit universal. 7 mijë 169 prej tyre aktualisht furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF), ndërsa pjesa tjetër ka lidhur kontrata me kompani të licencuara.
Sipas ZRRE-së, mbi 7 kompani janë aktive në tregun e lirë dhe të gatshme të nënshkruajnë kontrata me konsumatorët.
“Deri më datën 24.07.2025, në tregun e lirë të energjisë elektrike në Republikën e Kosovës janë 9,367 pika matëse që furnizohen jashtë sistemit të furnizimit universal. Prej tyre, 7,169 pika matëse furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF), ndërsa pjesa tjetër janë konsumatorë që kanë lidhur kontrata me furnizues të licencuar komercial, të cilët operojnë në tregun e lirë në bazë të kushteve të dakorduara kontraktuale….Të gjitha kompanitë që janë të licencuara nga ZRRE për aktivitetin e furnizimit me energji elektrike kanë të drejtë të operojnë në tregun e lirë dhe të ofrojnë kontrata për konsumatorët që nuk janë më pjesë e furnizimit me shërbim universal. Aktualisht mbi 7 kompani furnizuese janë aktive, duke nënshkruar kontrata ose duke qenë në proces të nënshkrimit të kontratave me konsumatorë të tregut të lirë. Konsumatorët janë të lirë të zgjedhin furnizuesin që u ofron kushtet më të favorshme”, thuhet mes tjerash në përgjigjen me shkrim nga ZRrE.
ZRRE dje ka njoftuar bizneset lidhur me përfundimin e periudhës së furnizimit të garantuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF).
Sipas ZRRE-së të gjithë konsumatorët që aktualisht furnizohen me energji elektrike nga (KEK) si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF), se periudha maksimale e këtij furnizimi të garantuar përfundon më 30.07.2025, për konsumatorët që kanë shfrytëzuar këtë shërbim nga data 1 qershor 2025, transmeton KosovaPress.
Po ashtu edhe KEK ditë më parë ka njoftuar se 30 korriku është data e fundit që do të furnizojë me energji elektrike të gjithë konsumatorët që nuk kanë gjetur furnizues në treg të hapur, ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Në anën tjetër, më 12 qershor 2025 Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji në mbledhjen e saj ka caktuar subjektin juridik KEK – si Furnizues të Mundësisë së Fundit për periudhë gjashtë (6) mujore, nga 31.07.2025 deri më 30.01.2026./kp