​Nesër seanca, a pritet LVV ta zgjedh kryeparlamentarin?

Nesër do të mbahet seanca konstituive, ku në rend dite është zgjedhja e kryeparlamentarit të ri. Propozimi i takon partisë më të votuar në zgjedhjet e shkurtit, për çka sipas IKD-së pritet se do të ketë zvarritje të konstituimit të kuvendit. Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj thotë se…

Lajme

14/04/2025 18:27

Nesër do të mbahet seanca konstituive, ku në rend dite është zgjedhja e kryeparlamentarit të ri. Propozimi i takon partisë më të votuar në zgjedhjet e shkurtit, për çka sipas IKD-së pritet se do të ketë zvarritje të konstituimit të kuvendit.

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj thotë se numri i deputetëve aktual që pritet të votojnë nesër është 56, bashkë me deputetët e komuniteteve jo-shumicë.

Seanca e nesërme do të drejtohet nga deputeti më i vjetër i ndihmuar nga deputet më i ri. Rendi i cili është përcaktuar përmes kryesisë së kuvendit përbën katër pika.

“Përfshihet formimi i komisionit të përkohshëm për verifikim të kuorumit edhe të mandatit të deputetëve, betimi i deputetëve. Në ndërkohë pas kryerjes së këtyre dy ceremonive formale dhe solemne bëhet propozimi i kryetarit të kuvendit që sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese por edhe Kushtetutës së Kosovës, i takon propozimi partisë më të madhe politike që ka dalë në zgjedhjet e fundit. Më pastaj në bllok zgjedhën tre nënkryetarët nga partitë shqiptare, në ndërkohë janë edhe dy nënkryetarë të cilët duhet të zgjidhen nga radhët e komuniteteve jo-shumicë”,deklaron ai.

Për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit kërkohen 61 vota, po ashtu edhe për nënkryetarët e parlamentit.

Një ndryshim që ka ndodhur në rregulloren e re të Kuvendit në legjislaturën e kaluar është se nga kjo mbledhje konstituive nuk mund të ketë ndërprerje për pushim më shumë se 48 orë.

“Në rast se seanca konstitutive e nesërme dështon të mbahet, në kuptimin që nuk arrin të zgjedh kryetarin e kuvendit, atëherë kuvendi nuk duhet të pauzojë më shumë se 48 orë të ardhshme…Lëvizja Vetëvendosje tanimë nuk e ka shumicën e nevojshme për t’i themeluar institucionet. Kjo do të varet, do të shihet nesër. Por, aktualisht nuk vërehet se i ka numrat për ta konstituar kuvendin por më pastaj për ta formuar qeverinë. Sepse nga letra që i është dërguar kryetarit të LDK-së nuk është vërejtur që ka ndonjë përgjigje pozitive që atij kryeministrit aktual, kandidatit të LVV-së t’i kthejë një përgjigje pozitive, t’i jap edhe 20 votat e LDK-së kjo parti në mënyrë që të mos ta ketë problem shumicën e nevojshme”,shton Jakaj.

Sipas hulumtuesit të IKD-së, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme për formimin e institucioneve.

“Numri i deputetëve aktual që pritet ta votojnë qeverinë mund të sillet 48 edhe gjashtë nga deputetet të komuniteteve jo-shumicë që janë deklaruar tashmë se do ta votojnë qeverinë Kurti. Nuk vërehet që i kanë më shumë se 54, maksimumi në 56 vota Lëvizja Vetëvendosje dhe komunitetet jo-shumicë që nuk janë serbë në Kuvendin e Kosovës. Mbi këtë arsye ne presim nesër që të ketë një zvarritje sa i përket konstituimit të kuvendit dhe formimit të qeverisë. Por më së shumti formimit të qeverisë ku ka një hendek të madh ndërmjet partive që deri më tani ishin opozitare dhe tanimë janë parti parlamentare”,përfundon ai.

Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, rrjedhimisht do t’i ketë 48 deputetë. PDK-ja është e dyta me 20.95 për qind, përkatësisht 24 deputetë, LDK-ja e treta me 18.27 për qind apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind, respektivisht 8 deputetë.

Ulëse në Kuvend kanë fituar 10 deputetë nga minoritetet jo serbe, ndërkaq, serbëve u takojnë gjithashtu 10 ulëse. Sipas rezultateve, një ulëse e ka fituar politikani serb dhe ministri në detyrë në Qeverinë Kurti 2, Nenad Rashiq dhe 9 ulëse Lista Serbe.