Nesër rikthehet Kuvendi pas ‘pauzës’ 48-orëshe: VV pa numra, Haxhiu s’ka përkrahje

Të dielën do të vazhdojë seanca konstituive pas dështimit të radhës që ndodhi të premten. Lëvizja Vetëvendosje sërish do të ketë të drejtën të nominojë një emër për kryetar Kuvendi, mirëpo nuk duket se ka ndryshim nga seanca e kaluar. Albulena u propozua për herën e katër të premten, por sërish u refuzua nga deputetët…

Lajme

26/04/2025 16:31

Të dielën do të vazhdojë seanca konstituive pas dështimit të radhës që ndodhi të premten. Lëvizja Vetëvendosje sërish do të ketë të drejtën të nominojë një emër për kryetar Kuvendi, mirëpo nuk duket se ka ndryshim nga seanca e kaluar.

Albulena u propozua për herën e katër të premten, por sërish u refuzua nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Sërish, për herën e katërt me radhë, vetëm 57 deputetë votuan pro saj.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka treguar ndonjë shenjë se do ta ndryshojë emrin e kandidates për kryetare, mirëpo pas dështimit për ta zgjedhur Haxhiun të premten, paralajmëroi se do t’i shqyrtojë edhe zgjedhjet e reja.

Partitë e tjera shqiptare kanë kërkuar nga VV-ja që të gjejë një kandidat tjetër që arrin të marrë vota edhe nga deputetët tjerë, por partia e parë nuk duket që është e interesuar për një gjë të tillë.

Fatmir Limaj i Nismës tha se VV-ja duhet të lëshojë rrugë, meqë po shihet se nuk i ka numrat. Në media kishte raportime se VV-ja dhe Nisma janë marrë vesh për një koalicion qeverisës, mirëpo kjo nuk po shihet në horizont.

Mimoza Kusari-Lila, ish-shefe e grupit parlamentar të VV-së, tha se nëse nuk zgjidhet kryetari i Kuvendit të dielën, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Edhe PDK-ja me kryetarin Memli Krasniqi i ka përmendur zgjedhjet e reja si opsion i mundshëm, madje duke kërkuar edhe datën 15 qershor si ditë të zgjedhjeve.

Sidoqoftë, Kushtetuta nuk parasheh ndonjë afat kufizues për seancën konstituive, me kusht që ajo të mos ndëpritet për më shumë se 48 orë, cikël ky që po vazhdon për më shumë se një javë. Zgjedhjet e reja, gjithashtu, s’mund të shpallen pa pasur konstituim të Kuvendit.