Nesër në Mitrovicë fillon Festivali Tradicional i Komedisë

10:07 | 29 Maj 2016

Për herë të tetë me radhë, në Mitrovicë do të fillojë edicioni i tetë i Festivalit Tradicional të Komedisë, me karakter garues, në të cilin do të marrin pjesë trupa teatrale nga të gjitha trojet shqiptare.

 

Drejtori i Festivalit, njëherësh themelues i tij, Halit Barani, rikujton se në Festival mund të marrin pjesë vetëm trupat teatrale që kanë përgatitur shfaqje të autorëve shqiptarë.

Sipas tij, qëllimi i organizimit të këtij Festivali është nxitja e krijimtarisë artistike teatrore, zbulimi dhe inkurajimi i talenteve të rinj në fushën e komedisë, që konsiderohet një investim në të ardhmen.

Sipas një njoftimi të Komunës së Mitrovicës, Festivali Tradicional i Komedisë në Mitrovicë zgjatë gjashtë ditë. Natën e parë të festivalit do ta hapë Teatri i Ëndrrave nga Suhareka, me Komedinë “Dera”, të autorit dhe regjisoritAstrit Bytyqi.

Të gjitha shfaqjet fillojnë në ora 19:30, në sallën e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë Ibrit./kl