Nëse Amerika tërheq trupat, rikthimi i luftës mes Serbisë dhe Kosovës – i pashmangshëm

Një postim i senatorit amerikan, Davide Perdue, ku bëri thirrje që SHBA të shqyrtojë pranin e trupave amerikane në Kosovë, ka bërë që në Shtëpinë e Bardhë të shtohen zërat për mbështetjen e këtij mendimi.

Lajme

11/03/2020 12:13

Krejt kjo si pasojë e kokëfortësisë së qeverisë “Kurti” për mos-heqjen e taksës.

Senatori Perdue, përmes një postimi në Tëitter, shkroi se për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lexo edhe:

Të gjithë kundër Albin Kurtit!

Kokëfortësinë e qeverisë “Kurti”, për mos heqje të taksës po e shohin si  të rrezikshme edhe analistët në vend.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami thotë për lajmi.net se nëse eventualisht Amerika tërheq trupat nga Kosova, atëherë rikthimi i luftës mes Serbisë dhe shqiptarëve është i pashmangshëm.

Derisa shton se ai nuk beson që SHBA do të tërheq trupat nga Kosova, përkundër presionit për heqje të taksës, kjo për shkak siç tha ai, të pozitës gjeo-politike dhe gjeo-stragjedike të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi në Ballkan.

“Nëse trupat amerikane tërhiqen nga Kosova rikthimi i luftës është i pashmangshëm, lufta mes Serbisë dhe shqiptarëve. Prandaj pavarësisht retorikës dhe deklaratave të cilat me  apo pa të drejtë japin zyrtarët amerikan për heqjen e taksës, unë nuk mendoj se trupat amerikane do të tërhiqen nga Kosova. Me vetë faktin se mu në kufirin e Kosovës e kemi Serbisë, kur dihet ndikimi i Rusisë në shtetin serb është jashtëzakonisht i madh. Pavarësisht asaj se a rrezikohet Kosova që të largohen trupat amerikane unë nuk e besoj. Pavarësisht rrethanave dhe presionit që po bie mbi qeverinë aktuale që të hiqet taksa pa kushte, ky është vendim politik i qeverisë të cilën nuk mund ta komentoj, por sa i përket tërheqjes së trupave amerikane mendimi im është se nuk tërhiqen, jo për shkak të Kosovës por për shkak të pozitës gjeo-politike dhe gjeo-stragjedike të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi në Ballkan”, tha Islami.

Edhe njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë në Kosovë, Ramadan Qehaja, thotë për lajmi.net se nuk beson se SHBA-të do të tërheqin trupat nga Kosova.

Qehaja tutje thotë se Kosova nuk do të vijë në këtë gjendje që të lejojë tërheqjen e këtyre forcave, aq më pak për shkak të asaj që duhet të kemi një siguri të tërësishme si shtet.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me prezencën e vetë kanë edhe interesat e veta në Kosovë aspektin gjeo-strategjik.

“Po kujtoj së pari se ne duhet të kemi një bashkëpunim të ngushtë me Shtete e Bashkuara të Amerikës, për shkaqe tashmë të njohura, për së pari për atë se e kemi një bashkëpunëtor strategjik dhe duhet të kem kujdes shumë se si sillemi dhe çfarë masa po ndërmarrin që kanë të bëjnë me çështjen e bisedimeve e të tjera. Mirëpo sa  përket çështje së tërheqjes se trupave amerikane nga “Bondsteel” apo nga Kosova, unë si njohës i çështjeve ushtarake, nuk besoj se kjo do të ndodh dhe nuk e di se kush dhe në çfarë konteksti e ka thënë këtë, aq më pak se Shtetet e Bashkuara të Amerikës me prezencën e vetë kanë edhe interesat e veta këtu në aspektin gjeo-strategjik, që ato të jenë prezentë këtu dhe në anën tjetër janë në kuadër të NATO-s, përkatësisht në kuadër të KFOR-it, prandaj unë nuk besoj se kjo do të ndodh.  Unë thash për mendimin tim, pavarësisht çka ka thënë senatori. Kjo nuk do të ndodh sepse ne nuk do të vijmë në këtë gjendje që të tërhiqen këto forca nga Kosova aq më pak për shkak të asaj që duhet të kemi një sigurt të tërësishme këtu në Kosovë si shtet”, ka thënë Qehaja.

Brengosës faktin që niveli i përshkallëzimit të raporteve Kosovë –Amerikë kanë mbrri deri në këtë pikë sa tërheqja e trupave është opsion në agjendën amerikanë, po e sheh, analisti politik Shkodran Ramadani.

Ai thotë se tërheqja e trupave amerikane në Kosovë do të sillte pasoja të shumta, nga ato të sigurisë, politikës e zhvillimit ekonomik.

“Është shumë brengosëse fakti që niveli i përshkallëzimit të raporteve Kosovë –Amerikë kanë mbrri deri në këtë pikë sa tërheqja e trupave është opsion në agjendën amerikanë, kjo nuk do të thotë se do të tërhiqen, por ky është një alarm, i cili duhet të shqetësoj qytetarët e Kosovës dhe të shtyj qeverinë e Kosovës që të rikuperojë raportin tashmë të dëmtuar seriozisht me amerikanët. Ky është lajm shumë i keq që tashmë djali i presidentit Trump, veç e ka konfirmuar atë që tha senatori, pas Grenellit, dhe janë shtuar zërat në Shtëpinë e Bardhë së duhet tërhequr trupat. Kjo do të sjellë pasoja të shumta, prej atyre të sigurisë e deri tek ato politike dhe të zhvillimit ekonomik, prandaj duhet pasur kujdes shumë se çfarë vendime do të marrë qeveria e Kosovës”, ka thënë Ramadani.

Kujtojmë, se senatori Perdue, tha se është në dorë të Kosovës të shfuqizojë tarifën e vendosur ndaj Serbisë.

“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me progresin e bërë historik, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha detyrat e vendosura ndaj Serbisë. Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, atëherë SHBA. duhet të rishqyrtojë praninë e saj atje”, ka shkruar ai

E këtë thirrje të Perdue, e ka përkrahur edhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Postimin e senatorit nga Georgia, Grenell e ka ripostuar në profilin e tij në Tëitter. Pas Grenell, një thirrje për tërheqje të trupave amerikane nga Kosova e bëri edhe Donald John Trump, djali i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Trump në Tëitter shkroi se pajtohet me mendimin e senatorit amerikan, teksa ka thënë se ka ardhur koha që këta trupa të rikthehen në SHBA.

“Pajtohem. Aktualisht janë 650 trupa në Kosova. Është koha për t’i kthyer në shtëpi”, ka shkruar Donald Trump Junior. /Lajmi.net/