Nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb, Kushtetueses i kërkohet vendimi para seancës konstituive
Gjykatës Kushtetuese po i kërkohet të ketë vendimmarrje për çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb në Kuvendin e Kosovës, para thirrjes së seancës konstituive për legjislaturën e dhjetë. Në organin më të lartë juridik në vend thonë se ankesa e Listës Serbe është në procedurë të shqyrtimit, ani pse kanë kaluar mbi tre…
Lajme
Gjykatës Kushtetuese po i kërkohet të ketë vendimmarrje për çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb në Kuvendin e Kosovës, para thirrjes së seancës konstituive për legjislaturën e dhjetë.
Në organin më të lartë juridik në vend thonë se ankesa e Listës Serbe është në procedurë të shqyrtimit, ani pse kanë kaluar mbi tre muaj që kur e njëjta është parashtruar.
Në partinë që ka fituar zgjedhjet e 28 dhjetorit, nuk tregojnë nëse do të insistojnë sërish në zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar, mirëpo thonë se vendimi i Kushtetueses do qartësonte situatën e veprimit në seancën konstituive. Vendim të shpejtë nga Kushtetuesja kërkojnë edhe në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Lista Serbe, në aneksin e parashtruar në Kushtetuese në tetor të vitit 2025, insiston se pozita e nënkryetarit të Kuvendit i takon këtij subjekti politik, pasi sipas tyre, përfaqësojnë shumicën e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë.
Në Kushtetuese thonë se vendimi do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra nga Lista Serbe.
“Kjo lëndë aktualisht është në procedurë të shqyrtimit. Vendimi do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese për KosovaPress.
Ndërkohë, deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, thotë se ndonëse një sqarim nga gjykata për procedurën e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb do të ishte në favor të procesit, institucionet duhet të vazhdojnë punën sipas rregullave dhe procedurave në fuqi.
Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, e konsideron të domosdoshëm interpretimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar në legjislaturën e kaluar. Ai ngre dilema se zgjedhja e tij ka qenë antikushtetuese, andaj sipas tij, një vendim i Kushtetueses do të ishte i favorshëm për ta qartësuar situatën për të ardhmen.
KP ka kontaktuar edhe Nenad Rashiq, i cili ka fituar një ulëse në Kuvend pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, për të kuptuar nëse do të kandidojë sërish për nënkryetar, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.
Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka fituar mbi 51 për qind të votave. E njëjta ka fituar 57 deputetë në Kuvend dhe së bashku me minoritet jo-serb mund të formojë qeverinë.