“Nëna Natyrë” shton turistët në Hawaii

Nëna Natyrë e ka bërë Hawaiin vend atraktiv për turistët! Por, kësaj radhe nuk bëhet fjalë për plazhet dhe ujin që e shijojnë miliona turistë gjatë vitit, por për flakët dhe llavën e vullkanit Kilauea në Ishullin e Madh (Big Island).

Lajme

30/10/2014 15:54

Banorët e një fshati Pahoa, të kërcënuar nga erupsioni i vullkanit, tashmë janë evakuuar, pasi rrjedha e llavës ka arritur të mërkurën në mbrëmje në oborret e shtëpive të tyre, disa prej të cilave kanë marrë flakë dhe janë shndërruar në hi.  

“Hawaii Herald Tribune”, raporton se banorët kanë qëndruar derisa llava ka zbritur në rrugët e fshatit (me shpejtësi 9 km/h), kanë shikuar djegien e disa shtëpive, ndërsa  zjarrfikësit nuk kanë bërë përpjekje për të ndalur flakët.

Për banorët ky “akt përmbyllës” ka qenë i dhimbshëm, por sipas kësaj gazete, shumë turistë nga e gjithë bota kanë arritur në Pahoa për të parë “bukurinë” në Big Island.       

“Unë dua të rri këtu derisa të vije llava të më merr shtëpinë”, tha Denise Lagrimas, derisa mbante nga shtëpia disa kuti kartoni në të cilat kishte futur fotografi, gota, lugë dhe gjësende tjera me vlerë për familjen e saj.  

Rreth 800 banorët në Pahoa ishin paralajmëruar që prej një muaji për t’u përgatitur për atë që ishte  përshkruar si një “fatkeqësi e ngadalshme në lëvizje”, por një pjesë e tyre kishin pritur momentin e fundit.  

Ndërkohë, ditëve të fundit, restorantet dhe kafenetë e vendbanimeve përreth janë mbushur përplot me turistë, të cilët kishin ardhur për të incizuar rrjedhën e llavës dhe për të bërë foto me “bukurinë natyrore” në Big Island, raporton Khon TV, transmeton lajmi.net

Llava nga Kilauea ka filluar të rrjedh më 27 qershor, por në vend që të rrjedh në jug, në rrugën e saj të zakonshme në drejtim të oqeanit (ku tani askush nuk jeton), ajo hapi rrugën në verilindje, në drejtim të fshatit Pahoa.  

Kilauea është një nga vullkanet më aktive në botë dhe shpërthimet aty janë të vazhdueshme që nga viti 1983. /lajmi.net/