Nëna Kumrie vazhdon të kërkojë drejtësi për djalin: E vrasin një jetim dhe s’mbajnë asnjë ditë burg, tmerr çfarë shteti ka këtu

Kumrie Temaj është nëna e cila ndër vite po kërkon drejtësi për djalin e saj Jeton Temaj. Nëna Kumrie vazhdimisht endet dyerve të drejtësisë kosovare, duke mos rreshtur së kërkuari drejtësi për djalin e saj. Ajo në shumë raste ka rrëfyer për rastin tragjik të djalit të saj, ku thekson se ende nuk e di…

Lajme

18/06/2024 14:52

Kumrie Temaj është nëna e cila ndër vite po kërkon drejtësi për djalin e saj Jeton Temaj.

Nëna Kumrie vazhdimisht endet dyerve të drejtësisë kosovare, duke mos rreshtur së kërkuari drejtësi për djalin e saj.

Ajo në shumë raste ka rrëfyer për rastin tragjik të djalit të saj, ku thekson se ende nuk e di arsyen se pse siç tha ajo, ia vranë djalin.

Më 27 maj 2022 ajo kuptoi se djali i saj kishte ndërruar jetë në rrethana të dyshimtë, ndërsa në momentin kur është kthyer rezultati i autopsisë së tij ishte theksuar se “Vdekja e të ndjerit është vdekje e dhunshme dhe ka ardhë si rrjedhojë e gjakderdhjes në mes të  cipave mbështjellëse të trurit të madh dhe në indin trunor”.

Nëna Kumrie është e bindur se të birin e saj e vranë. Edhe sot ajo është përballur me drejtësinë, në emër të birit të saj.

Sot pati rikonstruktium të rastit, ndërsa ekipi i lajmi.net, ka përcjellur nga afër zhvillimet.

Me këtë rast rikonstruktuimi ka dështuar. E gjithë kjo në mungesë të veturës e cila konsiderohet edhe si prova kyçe në këtë rast.

“Unë po kërkoj drejtësi për djalin tim, por drejtësi nuk ka këtu, ta vrasin një jetim, dhe të mos mbajnë asnjë ditë burg, e tmerrshme çfarë ligji çfarë shteti ka këtu”- ka deklaruar Temaj.

Ajo thotë se i pandehuri e ka fshehur veturën “që e ka vrarë djalin e saj”.

“Plus i pandehuri më thoshte sille veturën, ai e di se ku e ka lënë veturën… të kishte pasur djali vëlla a motër kishte qenë më ndryshe, por ai ka qenë jetim, e kam rritur vetëm unë vetë. ”-tha Temaj.

Ajo pretendon se polici nga Klina Sami Kamberaj, ka ndërhyrë që rasti të mbulohet.

“Polici Sami Kamberaj ka mbuluar rastin e djalit tim.”- ka deklaruar Temaj.

“Në 18 e 17 minuta e kom thirr e kom vet djali jem ku je, ka thënë jam te shitorja me Eraj Temaj, Murat Temaj, këta janë vëllezër dhe djalin e mixhes Behar Temaj, dhe Smajl Gashin. S’janë bërë 30 minuta e kam thirr edhe një herë në telefon. Fjalët e tij të mramat, Jeton i thash ku je mam? Tha jam me qeta 4 personat, ma telefonin djalit ia kanë nal”, kishte thënë nëna e të ndjerit në gjykatë.

Ndryshe, sipas aktakuzës, i akuzuari Eraj Temaj, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, sepse më 27 maj 2022, rreth orës 21:14 në fshatin Shtupel të Klinës, nga pakujdesia kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik apo transportin rrugor dhe rrezikoi jetën e njerëzve, e cila rezultoi me vdekjen e këmbësorit tani të ndjerit J.T.

Në aktakuzë thuhet se  derisa i pandehuri Temaj, ishte duke qëndruar në rrugë së bashku me shokët e tij, në një moment niset me automjetin e tij me qëllim që ta largojë veturën nga rruga, aty viktima J.T., njëri nga shokët e të pandehurit ishte ulur mbi bagazh të automjetit, i akuzuari Temaj nuk e vëren fare këmbësorin e ulur mbi bagazh të veturës së tij dhe gjatë lëvizjes së veturës J.T  humb stabilitetin e tij fiksues dhe për pasojë rrëshqet dhe bie në sipërfaqe të fortë asfalt duke rënë me kokë, me ç‘rast pëson lëndime të rënda trupore, ku gjatë trajtimit mjekësor pranë QKUK-së, në Prishtinë, i njëjti ndërron jetë më datë 16 korrik 2022, si pasojë e aksidentit./Lajmi.net/