Nekrologji – Pak fjalë për profesorin tim të ndjerë Masar Stavileci
Masar Stavileci sot nuk i mungon vetëm djalit të vet, për të cilin më ka folur kohët e fundit shumë, edhe për çështjen e banimit të tij në një banesë të përbashkët me të, edhe për banesën e tij me qira, edhe për sinqeritetin e tij, edhe për punën e tij, edhe për kohën e gjumit dhe të zgjimit të tij.
Opinion
Shkruan: Berat Armagedoni
Në vitin 2002 pata ardhur në Prishtinë për të studiuar në vitin akademik 2002/03. Në afatin e parë të regjistrimit të studentëve në Universitetin e Prishtinës ia pata mësyrë Psikologjisë dhe pata rënë në kokërr të shpinës për dy pikë (64 i arrita, 66 sa duheshin për pranim, jo). Për këto dy pikë nuk jam pranuar aty ku ia pata mësyrë për herë të parë.
Më patën thënë disa konkurro prapë se, qe besa, të regjistrojmë herën e dytë, se herën e parë provimi u anulua në tërësi sepse, u tha, u publikua ndërkohë edhe në medie, se pati shumë parregullsi. Dhe, ashtu sikurse më thanë, edhe bëra: konkurrova edhe herën e dytë po në Psikologji një javë më pas dhe, prapë e njëjta llogari, por e llogaritur me vlerë tjetër e me numra të tjerë e shumë të vegjël, me 0.47, e që me 0.50 pranoheshin. Kështu që, afati i parë, i regjistrimit të studentëve në UP, më shkoi huq.
U ftoha, sikurse sot që u mërdhiva krejt nga ky mot i vrenjtur e me shi, prej studimeve, prej Prishtinës dhe prej Universitetit të Prishtinës. S’ia mësyj Prishtinës më, thashë. Po ashtu, thashë, tash ia mësyj Zvicrës. Nëse jo Zvicrës, nëse s’më lë baba Rasim, punës në depo të materialeve ndërtimore, shitores e kafesë, s’duhet t’i ndahem asnjë ditë.
Kisha këtë mendje, të të bërit biznes, sepse s’shihja dikë në fshatin tim të lindjes, në Caravik, që kishte bërë para e që kishte kryer edhe fakultet. E shihja, në gjithë fshatin, vetëm një njeri, xhaxhanë tim, Maliq Dakajn, i cili i kishte mbaruar studimet në Juridik dhe, jo me punën në fakultet, por me biznes ishte bërë milioner. Prandaj, pyesja veten: pse më duhej arsimimi kur, mundësinë e kisha të bëhesha milioner vetëm duke ndjekur rrugën e xhaxhait ose, për të pasur një jetë mesatare, atë të të atit. Megjithatë, pavarësisht mosinteresimit më për jetë studentore, babai ngulte këmbë të regjistrohesha diku, në ndonjë fakultet, çfarëdo qoftë ai, qoftë Fizikë, qoftë Matematikë, të cilat s’i njihja hiq.
Dhe një ditë prej ditësh, kur afati i dytë për regjistrimin e studentëve në UP ishte hapur, e çon Zoti Sali Bashotën e na vjen në dyqan. Duke ndenjur me të, ngrënë e pirë bashkë, pasi merr vesh se nuk jam pranuar në fakultet, më thotë se në këtë afat janë disa vende të lira në Letërsi dhe në Gjuhë. I kujtohet se në Filologji është edhe një drejtim i ri, që quhet Letërsi e Përgjithshme dhe Krahasimtare dhe që e vlerëson, atëkohë ngutshëm, drejtim me perspektivë. S’i them asgjë aty, edhe pse më thotë se pas pak ditësh mbyllet konkursi e, nëse e ke ndërmend të konkurrosh, “konkurro e mos u vono”.
Letërsi ose Gjuhë, – i mendoja herë pas here ende pa konkurruar këto të dyja, kështu të ndara, edhe të bëra bashkë. Pastaj, edhe atë drejtimin të cilin profesor Saliu e quajti me perspektivë: Letërsinë e Përgjithshme dhe Krahasimtare. Më bindin, më shumë familjarët, mëmë e atë, t’ia mësyj edhe një herë Universitetit të Prishtinës.
Vij për të tretën herë në Prishtinë.
I trokas në derë dashamirëses së letërsisë – Filologjisë – Letërsisë së Përgjithshme dhe Krahasimtare. Konkurroj në këtë degë dhe pranohem. Edhe po mos ta plotësoja të gjithë testin vetë, do të më ndihmonte profesor Saliu po të ishte nevoja, por meqë patëm konkurruar pak veta, edhe u patëm pranuar, po ashtu, pak. Sa e kujtoj, ishim gjithsejtë 30. Kam qenë i 14-ti në listën e të pranuarve.
Ndërkohë, pasi regjistroj semestrin dhe pajisem me indeks, vjen tetori dhe koha e mbajtjes së ligjëratave. I pari profesor që vjen të na ligjërojë, vjen profesor Masar Stavileci. Një njeri i kulturuar, i dashur, një që të gjithë studentët i kishte dashamirë, që nuk bënte dallim për asnjërin për asnjë gjë, që shumicën prej tyre i njihte prej nga vinin sapo dëgjonte theksin e tyre ose mbiemrin e tyre; një profesor që vazhdimisht i hiqte dhe i vinte syzet kur debatonim për letërsinë; një profesor që orën mësimore e fillonte me kohë dhe e zgjaste po aq sa ishte paraparë. Pra, profesor Masari na vjen i pari dhe na ligjëron për letërsinë e krahasuar, për të cilën lëndë kishte specializuar në Francë.
Që në orën e parë na jep syllabusin e lëndës dhe na njofton për kursin që do ta zhvillojmë jo në një semestër, por në dy semestra. Po ashtu, na njofton se shef i kësaj dege është ai dhe se është iniciatori kryesor për themelimin e saj. Na bën me dije, ndër të tjera, se ne jemi gjenerata e dytë e kësaj dege se, së këndejmi, nëse jemi të interesuar për studime, kjo është një prej atyre fushave të veçanta të letërsisë, e cila ta jep mundësinë që botën t’ia ofrosh vendit dhe vendin t’ia ofrosh botës.
Çdo ligjëratë e tij, ato që i mbanim në katin përdhes të Fakultetit të Filologjisë, në pjesën e Departamentit të Gjuhës Gjermane, ishte më e këndshme se tjetra. Interesimi i tij, për ne studentët e tij, ishte jo vetëm dhënia e informacionit teorik për letërsinë e krahasuar, por edhe ai praktik: vazhdimisht na jepte detyra, klase dhe shtëpi, ushtrime stilistike dhe punime seminari, me bazë të krahasimit ndërmjet veprave të autorëve shqiptarë dhe të atyre të letërsisë botërore. Na jepte sugjerime edhe për përdorimin e literaturës, edhe për gjetjen e saj, edhe për analizimin e veprave në një punim seminari e diplome.
Profesor Masari më kishte në qejf dhe e kisha në qejf edhe sa isha student i tij, edhe kur nuk ishte më në Filologji; kur themeluesin e kësaj dege e nxorën nga fakulteti; kur ai u bë rektor i Kolegjit AAB e dekan i një dege në këtë kolegj; kur në Filologji, pas pak vitesh të largimit të tij, e mbyllën edhe degën që kishte themeluar vetë ai. Dmth., jeta e kësaj dege të letërsisë, mjaft me interes për studimet tona, u shua para se të shuhet jeta e profesor Masarit. Ajo degë, prej asaj dite që atij iu ndërpre marrëdhënia e punës në Filologji, mori teposhtë dhe shkoi drejt mbylljes.
Sot Filologjisë i mungon Departamenti i Letërsisë së Përgjithshme dhe Krahasimtare.
Sot Filologjisë, letërsisë, dashamirësve të artit e të shkencës së letërsisë, i mungon profesor Masar Stavileci.
Na mungon njohësi dhe studiuesi i iluminizmit ndër shqiptarë.
Na mungon iniciuesi i studimeve të letërsisë së krahasuar, po ndër shqiptarë.
Na mungon përkthyesi i “Neverisë” së Sartrit.
Përkthyesi i romanit të Modianos “Që të mos humbësh në lagje”.
Autori i “Apologjisë së çështjes shqiptare”.
Autori i “Iluminizmit shqiptar”.
Autori i “Iluminizmit në letërsinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare”.
Autori i “Temës letrare franceze”.
Përgatitësi i “Çështjes kombëtare dhe vetëdijes kritike” dhe përkushtuesi i saj.
Përkthyesi i tekstit shkollor frëng “Gjuha frënge : për klasën VI të shkollës fillore”.
Profesori i AAB-së.
Kryeredaktori i revistës “Thesis Kosova”.
Njohësi i mirë i gjuhës shqipe.
Njohësi i shkëlqyeshëm i gjuhës frënge.
Na mungon profesor Masari, kultura e përshëndetjes së tij dhe gjuha e tij.
Por, profesor Masari na mungon vetëm fizikisht. Atë e kemi të pranishëm në dhoma dite, në dhoma gjumi, në biblioteka.
Ai na ka lënë këto shenja kulturore (libra) me të cilat mund ta kujtojmë gjatë.
Ai nuk prodhoi shumë, por prodhimin e kishte cilësor.
Masar Stavileci sot nuk i mungon vetëm djalit të vet, për të cilin më ka folur kohët e fundit shumë, edhe për çështjen e banimit të tij në një banesë të përbashkët me të, edhe për banesën e tij me qira, edhe për sinqeritetin e tij, edhe për punën e tij, edhe për kohën e gjumit dhe të zgjimit të tij.
Masar Stavileci sot nuk i mungon vetëm Blerandit dhe familjes Stavileci.
Masar Stavileci sot na mungon të gjithëve.
Masar Stavilecin sot dikush e kujton për diçka të madhe e dikush tjetër për diçka të vogël e shumë njerëzore.
Nuk do ta shoh më teksa parakalon kah restoranti “Amaro” dhe, afër tij, të shkojë të qethet te berberi.
Nuk do ta shoh më me libra në dorë.
Nuk do të ndalet as të pijë kafe me mua, as të më dhurojë libër tjetër as të përkthyer nga frëngjishtja në shqipe, as të shkruar ndonjë tjetër nga vetë dorë e mendje e tij.
Do t’i mungojë edhe Sadik Zeqirit, me të cilin kuvendonte në mëngjeset e hershme të Prishtinës, po në “Amaro”, rrallëherë edhe në “Edi”, për Gjakovën, për kulturën, për mediet, për politikën, për shkencën për çfarë jo tjetër.
Nuk do të më ankohet kurrë për shëndetin e vet.
As nuk do ta më qajë hallin për shëndetin tim.
Profesor Masari nuk do ndalet më të më flasë se si një botues i Shqipërisë ia ka vjedhur përkthimin e tij të parë, të vitit 1966, të romanit “Neverija” të Sartrit që kishte sjell në shqip dhe që nuk i ishte përgjigjur asnjëherë njerëzishëm.
Megjithatë, për profesor Masarin do të vazhdojnë të shkruajnë ata që e njohën, ata që punonin me të, ata që i kanë dhe do t’i lexojnë studimet e tij.
Do të shkruajnë edhe ata që kanë moshë më të madhe se ai, po aq sa ai dhe më të vogël se ai.
Do të na flasin shkurt e shqip, siç na ka folur profesor Qosja në “Dëshmitar në kohë historike” për të, për punën e tij, për punimin e doktoraturës së tij, për sulmin në zemër që kishte pësuar në kohën kur e shkruante këtë disertacion në vitin 1984 e kur përgatitej ta mbronte po në këtë vit.
Njerëzit si profesor Masar Stavileci nuk vdesin kurrë!
Ndjesë pastë profesori im!
Ngushëllime Blerandit!
Ngushëllime familjes Stavileci!
Profesorëve të Filologjisë!
Atyre të Filozofisë!
Të tjerëve të AAB-së!
Të gjithë atyre që e njohën!
Paqe për shpirtin e tij!
Amin!
Amen!