Në Vetëvendosje bie heshtja nga pakënaqësia e zgjedhjes së Dimal Bashës, s’e merr asnjë urim nga njerëzit kyç të partisë
Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha dje është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës pas 4 muajsh bllokadë, që nga seanca e parë konstituive e Kuvendit e cila u mbajt me 15 prill. Basha me 73 vota pro, 48 nga partia e tij si dhe disa deputetë të PDK-së e AAK-së, arriti të zgjidhet i pari…

Lajme
Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha dje është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës pas 4 muajsh bllokadë, që nga seanca e parë konstituive e Kuvendit e cila u mbajt me 15 prill.
Basha me 73 vota pro, 48 nga partia e tij si dhe disa deputetë të PDK-së e AAK-së, arriti të zgjidhet i pari i Kuvendit të Kosovës, shkruan lajmi.net.
Ndonëse një moment shumë i rëndësishëm si për shtetin e Kosovës, ashtu edhe për Bashën dhe vetë partinë e tij, Vetëvendosjen, duket se bashkëpartiakët e tij nuk u ndanë shumë të kënaqur me këtë sukses.
Figurat kyçe të partisë, kryetari i VV-së, Albin Kurti, ish kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i partisë, Glauk Konjufca, deputetja e VV-së dhe kandidatja për kryetare të Kuvendit për disa seanca radhazi, Albulena Haxhiu nuk e uruan Bashën për pozitën që e mori.
Kurti, Konjufca, Haxhiu e të gjithë pjesëtarët e tjerë të partisë në pushtet, nuk e lejojnë asnjë mundësi të iu “ik” për të bërë postime në rrjete sociale, por që për këtë nuk e bënë.
Biles, Albulena Haxhiu komentoi edhe për mosvotimin e deputetit serb, Nenad Rashiq nga opozita si nënkryetar i Kuvendit, gjë që e bllokoi edhe konstituimin e Kuvendit përsëri, por nuk e shkroi asnjë fjalë për Dimal Bashën.
Për Bashën gjetën kohë ta urojnë edhe disa nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Kosovë, si ai i Gjermanisë Jorn Rohde dhe ai i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves por jo kolegët e tij.
Zgjedhja e Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit erdhi pas disa rundesh votime, ku VV në vazhdimësi pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese i propozoi disa emra por që nuk i morën dot 61 vota.
Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla, Hekuran Murati, Arbërie Nagavci nuk arritën të bëhen kryetarë të Kuvendit, e nëse kjo do të ndodhte Kurti ndoshta do të kishte një urim për ta. /Lajmi.net/