Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan aludohet për shkelje etike – Rektori “ua merr inati” profesorëve dhe i çon në komision disiplinor, kamerat tregojnë diçka tjetër

Incizimet e kamerave të sigurisë të objektit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan u paraqitën edhe si prova në Prokurorinë Themelore të Gjilanit, pasi u aludua për një shkelje etike, respektivisht keqpërdorimi i kartelave të hyrje daljeve nga katër profesorë të këtij Universiteti, përfshirë këtu Ardian Eminin dhe Kastriot Dërmakun, shkruan lajmi.net. Fillimisht stafi menaxherial…

Lajme

16/05/2025 11:08

Incizimet e kamerave të sigurisë të objektit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan u paraqitën edhe si prova në Prokurorinë Themelore të Gjilanit, pasi u aludua për një shkelje etike, respektivisht keqpërdorimi i kartelave të hyrje daljeve nga katër profesorë të këtij Universiteti, përfshirë këtu Ardian Eminin dhe Kastriot Dërmakun, shkruan lajmi.net.

Fillimisht stafi menaxherial i këtij Universiteti kishte marrë vendim që të formoj një komision disiplinor ndaj profesorëve për këtë çështje, mirëpo këtë çështje Prokuroria Themelore në Gjilan ka vlerësuar se dënimi me “vërejtje me shkrim” është vendim i kundërligjshëm.

Profesori Ardian Emini për gazetarin lajmi.net Selim Miftarin, tha që provat e kamerave të sigurisë u manipuluan nga stafi menaxherial i Universitetit.

Mirëpo, duket se kandidatura e Ardian Eminit për pozitën dekan në këtë Universitet i pengoi rektorit Artan Dërmaku. Aty filluan edhe çarjet e raporteve mes tyre, sipas Eminit.

E zgjedhjes së dekanatit, profesori Ardian Emini inicoi padi, pasi sipas tij në këtë proces kishte shkelje të shumta procedurale.

Në anën tjetër, më vonë ata u përballen edhe me akuzat për keqpërdorimin e kartelave të hyrje-daljeve. Për këtë profesori thotë që nuk iu paraqiten provat se për çfarë po akuzoheshin.

Profesori Emini thotë që nuk duron që të serviloset, qysh sipas tij është mësuar rektori Artan Dërmaku, madje ka garë në stafin akademik se kush t’i japë darkë i pari rektorit.

Akuza bazë që u është bërë profesorëve Emini dhe Dërmaku është se të dy përdoren kartelat e hyrje-daljeve të njëri-tjetrit në Universitet, mirëpo pajisja për verifikimin e tyre kishte probleme teknike, këtë e thotë Emini e madje e ka konfirmuar edhe Universiteti i Gjilanit në një njoftim.

Me të njëjtën akuzë u përball edhe profesori tjetër, Kastriot Dërmaku.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka pushuar hetimet ndaj dy profesorëve Dërmaku dhe Emini, për arsye se siç thuhet në vendimin e siguruar nga lajmi.net, thuhet se nuk ekziston dyshimi për mashtrim në vendin e punës.

Lajmi.net ka kërkuar edhe intervistë me rektorin e këtij Universiteti Artan Dërmakun, mirëpo i njëjti ka udhëzuar ekipin që të dërgoj pyetje me shkrim për të gjitha çështjet.

Edhe pse vet Universiteti siç shihet (dok), kishte njoftuar se ka probleme me sistemin e menaxhimit të hyrje-daljes së punëtorëve, në një përgjigje për lajmi.net rektori e thotë të kundërtën.

Universiteti ka apeluar vendimin e Gjykatës Themelore, duke pritur vendimin e Apelit.