Në Prishtinë s’ka më mbindërtime

Komuna e Prishtinës ende nuk e ka bërë evidentimin e të gjitha mbindërtimeve pa leje, ndërsa përfundimi i këtij procesi pritet të jetë në dhjetor të këtij viti.

Lajme

24/08/2014 18:41

Megjithatë, rreth 50 qytetar nga Komuna e Prishtinës, kanë aplikuar për legalizim të mbindërtimeve.

Muajt e fundit është parë gjithashtu se në Komunën e Prishtinës nuk ka pasur tentime të reja që të bëhen mbindërtime.

Kjo, sipas komunarëve, vjen si rezultat që kanë hasur në një vetëdijesim të qytetarëve ndërsa monitoruesit e komunave kanë thënë se zyrtarët komunal kanë përçuar një mesazh shumë të qartë dhe e kanë bërë si prioritet këtë punë. 

Fitore Pacolli, shefe e zyrës së kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë për KosovaPress se mbindërtimet ekzistuese pa leje kanë gjasa të legalizohen nëse kërkesat janë konform normave të Ligjit për Legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje dhe Udhëzimeve Administrative.

“Ne jemi në procesin e evidentimit të mbindërtimeve në Komunën e Prishtinës, procesi pritet të përfundoj diku ka fundi i muajit dhjetor kështu që në fund të vitit mund të dalim me një listë të mbindërtimeve dhe me numrin e saktë të mbindërtimeve në Komunën e Prishtinës… Nga të gjitha këto mbindërtime i kemi mbi 50 kërkesa për legalizim gjitha këto mbindërtime do të legalizohen sipas ligjit. Pra në qoftë se këto janë konform me ligjin i përmbushin kërkesat atë herë do të legalizohen por të gjitha do të trajtohen sipas ligjit të legalizimit”, ka thënë Pacolli.

Ajo ka shtuar se që nga qeverisja e Ahmetit në Prishtinë, nuk ka pasur tentime për mbindërtime.

Përkundrazi, sipas saj qytetarët-palët gjithmonë janë paraqitur në Drejtorinë e Urbanizmit që udhëhiqet nga Liburn Ali, me kërkesa për tu pajisur me leje të çfarëdo lloj natyre.

“Deri më tani nuk kemi pasur asnjë tentim për mbindërtim të ri. Përkundrazi qytetarët kanë ardhur në Komunën e Prishtinës, në drejtorinë e Urbanizmit kanë kërkuar lejen për ndërtim”, ka theksuar Pacolli.

Kjo gjë është vërejtur edhe nga qytetarët e Prishtinës dhe organizatat që merren me monitorimin e Komunës së Prishtinës.

 

Jetmir Bakija, nga Instituti Demokratik i Kosovës i cili e bënë monitorimin e Komunave, ka treguar për KosovaPress, se e kanë vërejtur që në Komunë nuk po tentohet të bëhen mbindërtime.

Ai ka deklaruar se zyrtarët komunal kanë përçuar një mesazh shumë të qartë dhe e kanë bërë si prioritet këtë punë.

Megjithatë, Bakija ka theksuar se parandalimi i mbi ndërtimeve nuk mjafton për kryeqytetin por thotë që duhet të ndërmerren hapa konkret për ta parandaluar ngarkimin e rrugëve, parkingjeve, etj.

“Edhe ne kemi vërejtur se janë parandaluar mbindërtimet për faktin se edhe Komuna e Prishtinës ka përçuar një mesazh shumë të qartë dhe e ka bërë si prioritet këtë punën që është një gjë për tu vlerësuar. Mirëpo, a mjafton kjo për qytetin e Prishtinës, jo se në Prishtinë disa lagje që janë tejet të ngarkuara ka pothuajse çdo ndërtesë ka një lloj mbindërtimi ose ka lëndë që nuk iu kanë përmbajtur lejes së ndërtimit apo planit ideor të ndërtimit. Kjo është shumë problem për disa arsye. E para është se një ndërtesë është e ndërtuar është më e lartë se që është paraparë është problem edhe ngarkimi i rrugëve sepse nuk ka parkingje të mjaftueshme e sidomos te ato ndërtesa ku janë ndërtuar parkingjet e pastaj janë kthyer në depo e nuk iu kanë lejuar banorëve”, ka thënë Bakija.

 

Disa nga zgjidhjet që duhet të bëhen sipas Jetmir Bakija, janë që së pari qyteti duhet të zgjerohet dhe të urbanizohen pjesët e tjera të Prishtinës, komuna të bëjë zgjidhje që të ndërtoj parkingje publike, të zgjidhet puna e mbledhjes së mbeturinave etj.

Kurse, Qemail Duriqi banor i Prishtinës, ka thënë se mbindërtimet janë kryer qe 15 vite dhe tash nuk janë duke u bërë më.

Ai ka theksuar se për të është e pa pranueshme që mbindërtimet aktuale të rrënohen pasi sipas tij këto masa është dashur që të ndërmerren me kohë e jo tani kur janë të përfunduara.

“Mbindërtimet janë kryer qe 15 vite, tash nuk kanë pare njerëzit se edhe tash kishin bo.. Jo s’ka tash mbindërtime se nuk kanë mjete as pare.. Nuk është në rregull tash i kanë kryer me kohë është dashtë me marrë masa nuk ka kur far kuptimi për mu është e pa pranueshme”, ka pohuar Duriqi.

Fitore Pacolli, nuk e ka bërë me dije numrin e rrënimeve të mbindërtimeve pa leje që janë bërë deri më tani në Prishtinë, duke thënë se shumica e mbindërtimeve kanë hyrë në procesin e legalizimit.

Ndryshe, kushtet për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje janë të cekura në Ligjin për Legalizimin e ndërtimeve pa leje.

Në nenin 19 të këtij ligji thuhet se ndërtimet të cilat kanë filluar pas hartës ortofoto digjitale të datës 30 gusht 2013, nuk kualifikohen për legalizim sipas këtij ligji, çdo ndërtim i filluar pas hyrjes në fuqi të këtij ligji do të trajtohet sipas Ligjit për Ndërtim dhe Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe brenda gjashtë muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Ministria duhet të nxjerrë një akt nënligjor për definimin e kërkesave themelore të shëndetit dhe sigurisë përmes së cilave do të bëhet vlerësimi i ndërtimeve të kompletuara pa leje, procedurave e ankesave të lejuara me këtë ligj si dhe çështjeve tjera të domosdoshme për implementimin e tërësishëm të këtij ligji.

Kurse në nenin 18 të këtij ligji thuhet se çdo ndërtim pa leje i shënuar në regjistrin shtetëror të cilit nuk i është dhënë vendimi për legalizim do të përfshihet në Listën e Rrënimeve dhe njoftimi për rrënim do të vendoset në ndërtimin pa leje.

Gjithashtu, çdo aplikues apo pasardhës i tij ligjor, i ndërtimit pa leje, i klasifikuar sipas paragrafit 1. të këtij neni do të rrënojë ndërtimin brenda tridhjetë ditësh pas pranimit të vendimit përfundimtar.

Nëse ndërtimi nuk rrënohet në pajtim me paragrafin 2. të këtij neni, Inspektorati Ndërtimor do të rrënojë atë brenda gjashtë muajsh dhe shpenzimet e rrënimit dhe të gjitha dëmtimet do të barten nga investitori.