“Ne ndikojmë në zhvillimin e vendit” – Bizneset kërkojnë përkrahje nga shteti
Në mungesë të përkrahjes nga shteti, bizneset e vogla në Kosovë po i shfrytëzojnë panairet për të promovuar produktet e tyre. Ata thonë se ndikimi i këtyre bizneseve është i madh në zhvillimin ekonomik të vendit, derisa paraqesin nevojën për mbështetje institucionale. Këto biznese tregojnë se interesimi i qytetarëve për produktet e tyre është i…
Lajme
Në mungesë të përkrahjes nga shteti, bizneset e vogla në Kosovë po i shfrytëzojnë panairet për të promovuar produktet e tyre. Ata thonë se ndikimi i këtyre bizneseve është i madh në zhvillimin ekonomik të vendit, derisa paraqesin nevojën për mbështetje institucionale.
Këto biznese tregojnë se interesimi i qytetarëve për produktet e tyre është i kënaqshëm, derisa shtojnë se edhe çmimet janë të arsyeshme.
Në panairin “Ekspos Deçani”, morën pjesë disa biznese nga vende të ndryshe të Kosovës, por edhe nga rajoni.
Përfaqësuesja e ëmbëltores “Cakes by Darina” nga Istogu, Kaltrina Arifaj tregoi se në këtë panair po marrin pjesë e disa lloje të ëmbëlsirave, por theksin e vë tek çokollata e Dubait. Për blerjen e këtij produkti, ajo potencoi se kërkesat po shënojnë rritje.
Përmes ekspozimit të artikujve në panair, Arfiaj pret që të rritet numri i klientëve, si dhe bashkëpunimi me biznese të tjera.
Ajo tha se duhet të ketë përkrahje nga shteti për bizneset e vogla, pasi sipas saj, ato kanë ndikim kyç në zhvillimin e vendit.
Ndërkaq, Besnik Tahirukaj në “Ekspos Deçani”, mori pjesë me disa lloje të mjaltit. Ai i tregoi edhe çmimet e tyre, derisa u shpreh se nuk është e mjaftueshme mbështetja e shtetit për zhvillimin e biznesit të tij.
Përveç bizneseve nga Kosova, në këtë panair morën pjesë edhe ato nga komuna e Pukës, Lezhës dhe Ulqinit.
Ardina Nikaj, asistente në një nga shoqatat për zbutje të varfërisë në qytetin e Pukës, mori pjesë në panair me disa produkte reçeli, bimë medicinale dhe pije alkoolike.
Ajo potencoi se çmimet i produkteve të ekspozuara janë të arsyeshme për vlerën që kanë. Nikaj tregoi se reçelet me bimë të buta kushtojnë 2 euro, ndërsa ata me bimë të egra 3 euro.
Nikaj theksoi se panairet janë frytdhënëse për bizneset, ngase u mundësohet reklamimi i produkteve.
Panairi tradicional veror “Ekspos Deçani” u mbajt për herë të 13-të dhe ishte i hapur dy ditë.