Në mes të Prishtinës së re, gjurmë nga Prishtina e vjetër (FOTO/VIDEO)
Trashëgimia arkeologjike e Kosovës paraqet një thesar të çmuar të vendit tonë. Por ajo qëndron e fshehur fare pranë syve tanë. Një e tillë është edhe prapa ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
ShowBiz
Në ditët e sotme ende hasim gjurmë e rrënoja të së kaluarës. Ato janë dëshmi arkeologjike, të cilat hyjnë në listën e mbrojtjes së monumenteve, raporton lajmi.net.
Ndoshta pak kush e di se një e tillë ndodhet prapa ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në Prishtinë. Ajo është e mbuluar me bar, por megjithatë është aty si dëshmi për të kaluarën e kryeqytetit.
Megjithëkëtë, edhe ai grumbull gurësh që dëshmon qytetërimin e vjetër prishtinas, tashmë gëzon mbrojtjen e shtetit. Kjo konfirmohet nga Haxhi Mehmetaj, arkeolog nga Instituti Arkeologjik i Kosovës.
Mehmetaj thotë për lajmi.net se edhe kjo rrënojë e cila gjendet brenda rrethojës së Parlamentit të Kosovës, është e klasifikuar dhe regjistruar në listën e mbrojtjes së monumenteve.
Mehmetaj thotë se kjo, në dukje rrënojë e mbetur, është pjesë e një objekti të ‘Prishtinës së vjetër’.
“Sipas të gjitha gjasave, ky mund të jetë një mur apo një themel i hamamit që ka qenë këtu”, thotë ai.
Por megjithatë, Mehmetaj shprehet se muri tregon për Prishtinën e vjetër e cila sipas tij, fatkeqësisht është shkatërruar që nga lufta e dytë botërore.
“E ky shkatërrim ka vazhduar me trende më të vogla e më të mëdha deri në ditët e sotme”.
Arkeologu gjithashtu beson se gjurmë të tilla duhet ruajtur edhe si kujtim nga Prishtina e dikurshme që të jenë dëshmi për gjeneratat e reja.
“Ky mur duhet të ruhet si kujtesë e Prishtinës së vjetër e cila sipas të gjitha gjasave, ishte e banuar që në kohën e gurit.”
Mehmetaj është i bindur se ky monument do të ishte një fakt i mirë për të treguar zhvillimin e Prishtinës gjatë shekujve.
“Ne si Institut Arkeologjik i Kosovës, së shpejti do të hartojmë projektin ku parashihen edhe gërmime arkeologjike, konservime dhe restaurime, në mënyrë që ky mur i Prishtinës mesjetare, të ruhet dhe të tregojë vazhdimësinë e Prishtinës nga neoliti deri më sot”.
Mehmetaj tregon se duke u bazuar në bisedat që ka pasur me shumë prishtinas të vjetër dhe nga fotografitë që i ka bërë vetë, ka nxjerrë përfundimin se pjesa ku sot gjendet Parlamenti i Kosovës, ka pasur shumë themele të objekteve të Prishtinës.
“Janë gjetur shumë fragmente të qeramikës, e madje edhe varreza. Kjo pjesë tregon një historik të rëndësishëm, por fatkeqësisht ka mbetur vetëm ky mur që duhet të ruhet me xhelozi dhe t’iu tregohet gjeneratave të ardhshme”, thotë Mehmetaj.
Rrënoja e mbetur i përket kohës së Prishtinës mesjetare. Edhe pse tashmë e harruar, zbulimi i zanafillës së saj do të mbetet e vlefshme për të gjitha grupmoshat që janë kureshtarë të njohin trashëgiminë e pasur arkeologjike të vendit tonë. /Lajmi.net




