“Në mes qytetarëve nuk ka pasur tensione prej vitesh” Pas largimit gradual të KFOR-it, analistët: Ka ardhur koha që ura të hapet për automjete
Kanë kaluar dhjetë ditë prej kur misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR njoftoi se ka nisur “tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme”, nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Kjo vjen pasi përgjegjësia për sigurinë dhe menaxhimin e urës ka kaluar te Policia e Kosovës, ndërsa KFOR-i po zvogëlon gradualisht praninë…
Lajme
Kanë kaluar dhjetë ditë prej kur misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR njoftoi se ka nisur “tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme”, nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Kjo vjen pasi përgjegjësia për sigurinë dhe menaxhimin e urës ka kaluar te Policia e Kosovës, ndërsa KFOR-i po zvogëlon gradualisht praninë e tij të përhershme në këtë pikë.
Por, si po shihet ky zhvillim nga qytetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Mitrovicën e Veriut?
Betim Osmani, pjesë e Iniciativës Qytetare në Mitrovicën e Veriut, e sheh kalimin gradual të përgjegjësisë nga KFOR-i, te institucionet vendore si një hap të rëndësishëm për afrimin e dy pjesëve të këtij qyteti.
“Besoj që ka ardhur koha, edhe pse kjo kohë ka qenë normale edhe shumë më herët. Po, më në fund domethënë është marrë ky vendim edhe Bashkimi Evropian besoj edhe NATO e ka ikë neutralitetin që e ka pasur për Kosovën, ku edhe Bashkimi Evropian në përgjithësi nuk e ka e vlerësonte domethënë angazhimin e institucioneve tona për integrim në veri…. Domethënë, veriu ka nevojë për investime që kanë munguar tani 27 vite. Jo vetëm në investime në rikthimin e qytetarëve të komunitetit shqiptar sidomos, por edhe të rindërtimit edhe të integrimit të arsimit, shëndetësisë që qytetarët e veriut vuajnë edhe kanë vuajtur tani 27 vjet pa këto shërbime cilësore siç i kanë pjesa më e madhe e Kosovës”, tha ai.
Për të, lëvizja e KFOR-it nga ura është edhe një sinjal se përgjegjësia për sigurinë në këtë pikë mund t’u afrohet gjithnjë e më shumë institucioneve vendore.
“Kjo është hap gradual, besoj që tendën që e kanë pasur, siç e keni parë më herët e kanë pasur tendën Carabinierët aty veç e kanë hequr. Ka raste që nuk po janë këtu, besoj që shumë shpejt, sidomos tash masi veç po përfundon domethënë sezona e verës deri në fund të vitit besoj që do të lirohet edhe do të fillojë qarkullimi i edhe i automjeteve”, u shpreh ai.
Dhe një nga arsyet që ai sheh për këtë është pikërisht mungesa e incidenteve serioze në këtë zonë gjatë viteve të fundit.
“Tension në veri edhe tek ura nuk ka pasur mos them me vite. Domethënë nuk ka arsye që ata të rrinë këtu. Mjafton të shtohet numri i policisë ose i patrullave të policisë ose edhe i KFOR-it në veri edhe kjo do të do të mjaftonte. Nuk është logjike, ne i kemi mos gabofsha edhe katër ura të tjera vetëm në një afërsi shumë të afërt të lumit Ibër që e bashkon jugun me veriun, nuk ka probleme”, tha ai.
Derisa Osmani e sheh largimin gradual të njësive si një hap drejt hapjes së urës, Skender Sadiku nga Iniciativa Qytetare në Mitrovicë të Veriut, thotë se pret që procesi të vazhdojë pavarësisht trysnive të mundshme politike.
“Shpresoj që politikanët janë të njohur për lojërat e tyre politike, për nevojat e tyre, mirëpo të drejtat universale, të drejtat elementare njerëzore janë lëvizja e lirë. Dhe ne duhet, në Republikën tonë të re, ta marrim përgjegjësinë. Këtu flas për komunitetin shqiptar dhe t’ua garantojmë të gjithëve lëvizjen e lirë… Shpresoj që urat, ndërtimi i tyre dhe ura si urë janë të ndërtuara që të komunikojnë kultura, njerëz. Dhe shpresoj që së fundmi të gjitha rrethanat janë që urat të hapen. Fatmirësisht nuk ka telashe, po dikush jeton prej telasheve, ata janë politikanët, dhe shpresoj që nuk kanë forcë që ta ndalin këtë proces i cili është normal”, ka deklaruar Sadiku.
Sipas tij, në Mitrovicën e Veriut ka çështje shumë më të rëndësishme për t’u trajtuar sesa vetë ura. Ai ka përmendur problemet me të cilat përballen banorët e veriut në shërbimet shëndetësore dhe infrastrukturë.
Për qytetarët që kalojnë përmes urës, ndryshimet në sigurinë dhe mënyrën e qarkullimit janë vërejtur gjatë periudhës së fundit.
Sadri Imeri thotë se ura mbetet një pikë e rëndësishme për lidhjen e dy pjesëve të qytetit dhe pret që të rikthehet edhe qarkullimi i automjeteve.
“Sigurisht që është më mirë, që është më e lehtë, është më e lirshme. Kjo është urë që është në qendër të qytetit, e lidh qendrën e qytetit. Ka edhe disa ura të tjera, mirëpo nuk e kryejnë rolin e njëjtë si kjo e mëhershmja. Po besoj që shumë shpejt ka me u rregulluar kjo punë edhe ka me u liruar qarkullimi i veturave”, ka thënë Imeri.
Imeri kujton se në të kaluarën kalimi në këtë pjesë të qytetit ishte shoqëruar me vështirësi dhe pasiguri.
“Për shembull, në atë kohë ka qenë kur kanë qenë ato bandat serbe e ka qenë shumë e vështirë me kaluar andej. Ka pasur edhe pengesa kështu më të vrazhda dhe s’ka pasur siguri andej. Tash nuk ka problem, qarkullohet normalisht, shumë mirë. Besoj që brenda dy-tri jave ka me u liruar”, ka deklaruar Imeri.
Edhe Sylejman Curri e kthen vëmendjen te siguria, por këtë herë nga përvoja e tij si qytetar.
Ai thotë se prania e Policisë së Kosovës ka ndryshuar mënyrën se si ai e përjeton këtë pjesë të qytetit.
“Tash mendoj që është shumë mirë. Jo pak, po shumë. Se na, ne si qytetarëve na ka lehtësu punën 100 për qind. 100 për qind na ka lehtësu punën, se përpara nuk kemi guxu me dalë atje. Edhe pse edhe atëherë kemi pas pengesa, tash dalim lirë, çka ka me u tutë prej askujt. Policia e ka nën kontroll atë pjesë 100 për qind dhe shumë më lehtë është edhe më mirë”, ka thënë Curri.
Curri thotë se ndryshimi në situatën e sigurisë është veçanërisht i dukshëm krahasuar me vitet e kaluara.
“Çdo ditë më herët, asnjëherë nuk e kanë kontrolluar atë pjesë, as nuk i kanë marrë asnjë armë. Tash, çdo herë grupe-grupe po marrin armë. Më herët s’i ka pa askujt. 100 herë më herët, në rrethinë të furrës e në rrethinë të policisë, kanë dalë me automata, kanë gjuajtë, s’kanë guxu kësaj ane me shku. Tash nuk ka shansë, nuk ka shansë”, ka deklaruar Curri.
Ndërkohë, një ditë më parë, më 20 gusht, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka kërkuar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që KFOR-i ta ndalë zvogëlimin gradual të pranisë së tij në urën kryesore mbi Ibër.
Vuçiq ka thënë se tërheqja e KFOR-it nga ura në këtë moment mund të krijojë, siç është shprehur ai, “kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës.
Ndërkohë, NATO vlerëson se çdo vendim për rihapjen e mundshme të urës mbi lumin Ibër për trafik të veturave duhet “adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale”.
“KFOR-i po ashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian të mund të lëvizin përpara”, tha një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë.
Ura kryesore mbi Ibër aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë. Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në korrik të vitit 2024 hapjen e saj edhe për qarkullimin e automjeteve, një nismë që shkaktoi tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.