Në kujtim të Ismail Kadare, jeta dhe vepra e gjeniut të letrave

I lindur në qytetin e vogël në malet e jugut të Shqipërisë, Gjirokastër, e me jehonë në shumë shtete të botës, Ismail Kadare ishte ndër ambasadorët më të mirë të vendit që arriti të ngrisë çështjen shqiptare në botë përmes letërsisë. Autori lindi në dekadën e tretë të shekullit që lamë pas, gjegjësisht më 1936…

ShowBiz

02/07/2024 14:04

I lindur në qytetin e vogël në malet e jugut të Shqipërisë, Gjirokastër, e me jehonë në shumë shtete të botës, Ismail Kadare ishte ndër ambasadorët më të mirë të vendit që arriti të ngrisë çështjen shqiptare në botë përmes letërsisë.

Autori lindi në dekadën e tretë të shekullit që lamë pas, gjegjësisht më 1936 dhe vdiq në përvjetorin e ditëlindjes së tij më 1 korrik 2024, në moshën 88 vjeçare, shkruan lajmi.net.

Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Gjirokastër ndërsa studimet për Gjuhë dhe Letërsi i përfundoi në Universitetin e Tiranës. Në prag të vijimit të studimeve në ish-Bashkimin Sovjetik në Moskë, Kadare, botoi romanin e tij të parë të titulluar “Mjegullat e Tiranës”. Në Moskë për dy vite radhazi në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki.

Shkaktar i ndërprerjes së studimeve të tij në Moskë u bënë marrëdhëniet e atëhershme mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Kthimi në Shqipëri pasoi me punën e tij në fushën e gazetarisë për një periudhë të caktuar kohore ku punoi edhe si redaktorë i gazetës “Drita”.

Vepra e Kadaresë u përkthye në 45 shtete të botës dhe u shtri mbi novelën, romanin dhe tregimin.

Në vitet e 50-ta emri i Kadaresë u lakua për pjesën e poezisë, ndërsa, vitet e 60-ta sjellën në jetën e krijimtarisë së tij, prozën. Duke qenë se veprën “Qyteti pa reklama” si të tillë nuk mund t’a botonte vendosi t’a shkëpuste një pjesë të saj të cilën e botoi në vitin 1962 te “Zëri i Rinisë”. Sapo doli nga shtypi u ndalua, si vepër dekadente.

Tridhjetë vite të karrierës së tij i jetoi nën pushtimin komunist, periudhë kjo në të cilën u shkruan veprat; “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Dimri i madh” e “Ura me tri harqe”.

Krijimtaria:

Gjenerali i ushtrisë së vdekur; Bëhet fjalë për një gjeneral dhe një prift italian të cilët vijnë në Shqipëri për të marrë eshtrat e ushtarëve italianë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është vepra e autorit më e vlerësuar nga kritika dhe krijimi që e bëri të njohur jashtë qarqeve shqiptare.

Kështjellla: Ballafaqimi mes shqiptarëve dhe turqve dhe lufta si zgjidhja e fundit e turqve për të marrë kështjellën nga duart e të parëve. Romani kthen sytë nga mesjeta shqiptare.

Kronikë në Gur; E botuar në vitin 1971, shënon një nga veprat më të rëndësishme të autorit; sepse kap raportin që fëmija krijon me botën, përmes një projeksioni autobiografik të autorit me ngjyrime edhe të qytetit të Gjirokastrës.

Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është edhe romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981).

Një ndër fushat më pak të lakuara të veprimtarisë së Kadaresë janë përkthimet, hulli të cilën e nisi më 1955, kur shqipëroi poemat Lisi, Fëminija, Në pyllin afër fronit, Katjusha, Pranvera, etj. të shkrimtarit rus M. Isakovski. Autorë të tjerë të shqipëruar prej tij janë: Eskili, Heminguej, Pushkini, Majakovski, Eminescu, Gogol, Esenin, Mihallkov, Shçipaçov, Mickieviç, Buske, Sendrar, Bodler, Andrade, Vijon, Kejler, Seferis, Kavafis, Elitis, Li Bo, Du Fu, Jan Czjun, etj.

Letërsia e Ismail Kadaresë edhe pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar mes rreshtave.

Kadare la pas vetes edhe një sërë veprash të tjera dhe një numër të konsiderueshëm çmimesh për karrierën e tij të bujshme letrare.

Pas Gjergj Fishtës është shqiptari i parë i cili do të nominohet për çmimin Nobel. Kadare u nominua 15 herë për këtë çmim i cili cilësohet si më i larti për arritjet më të mëdha letrare për një ose disa shkrimtarë.

Ndonëse nuk pati fatin të jetë laureat për çmimin Nobel, ai u dekorua në vitin 2005 me çmimin “The Booker Prize Man”. Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë.

Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabuçhi.

Kadare vdiq mëngjesin e djeshëm rreth orës 08:50, ndërroi jetë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza nga një arrest kardio-respirator.

Lajmin të ditur për mediat e bëri shtëpia botuese e letrave të tij “Onufri”, përmes një postimi në Facebook.

Për vdekjen e gjeniut të letrave shqiptare shkruan edhe mediat e mëdha botërore si “The Guardian”, ”Le Monde”, “The New York Times”, “The Washington Post”.

Me rastin e vdekjes së tij, Shqipëria ka shpallur dy ditë zie, 2 dhe 3 korrik, ndërsa në Kosovë shënohet ditë zie dita e nesërme.

Lamtumira e fundit artistit të madh do t’i jepet nesër në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë duke filluar nga ora 9:00.

Ismail Kadare do të mbetet emri i preferuar i letërsisë shqipe për shumë gjenerata, edhe atëherë kur ai s’do të jetë më të shkruaj perlat e tij të mrekullueshme letrare./Lajmi.net/