Në Kosovë 35 pacientë me COVID-19 në gjendje të rëndë shëndetësore

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar njofton se në klinikat dhe spitalet në Kosovë janë të shtrirë 929 pacientë, prej tyre 723 të konfirmuar me koronavirus.

Lajme

23/08/2021 11:53

Sipas njoftimit ditor, 35 pacientë janë në gjendje të rënduar shëndetësore, ndërkaq 688 po trajtohen me oksigjeno-terapi.

Në Qendrën Klinike Universitare, në Klinikën Infektive janë të shtrirë 125 pacientë, në Klinikën Infektive 2 (Mjekësia Sportive) 92 pacientë, në atë të Pulmologjisë 51 pacientë, në Klinikën Infektive 3 (Interno) 28 pacientë, në Gjinekologji po trajtohen 20 pacientë dhe në Pediatri 13 pacientë.

Ndërkaq, sa i përket spitaleve të përgjithshme, numri më i madh i pacientëve po marrin trajtim në spitalin e Pejës, përkatësisht 140 pacientë. Në spitalin e Gjakovës janë 121 pacientë, në atë të Prizrenit 118 pacientë, në Gjilan po trajtohen 110 pacientë, në Ferizaj 70 pacientë, në Mitrovicë 22 pacientë dhe në spitalin e Vushtrrisë janë të shtrirë 15 pacientë.

Në Kosovë, javëve të fundit është rënduar situata epidemiologjike. Sipas autoriteteve, 99 për qind e rasteve të reja janë me variantin Delta të koronavirusit, që është variant më ngjitës se varianti fillestar i COVID-19.

Të dielën, më 22 gusht, Kosova regjistroi 11 viktima dhe 1.682 raste me COVID-19.

Që prej marsit të vitit 2020, deri më 22 gusht 2021, në Kosovë janë shënuar 129.309 raste. Prej tyre, 2.326 kanë vdekur dhe 107.288 janë shëruar. /Lajmi.net/