Në ditëlindjen e Kadaresë, Qosja shkruan për të: Sa domethënëse do të ishte të ngrinim një dolli së bashku
Akademiku dhe shkrimtari i njohur, Rexhep Qosja, ka kujtuar autorin e madh shqiptar, Ismail Kadarenë në ditëlindjen e 90-të të tij, datë kjo që ka thënë se është ditëlindja e një krijuesi të jashtëzakonshëm Ai ka thënë se Kadare, është një nga emrat më përfaqësues të letërsisë shqipe, që thotë se e futi përvojën historike,…
Lajme
Akademiku dhe shkrimtari i njohur, Rexhep Qosja, ka kujtuar autorin e madh shqiptar, Ismail Kadarenë në ditëlindjen e 90-të të tij, datë kjo që ka thënë se është ditëlindja e një krijuesi të jashtëzakonshëm
Ai ka thënë se Kadare, është një nga emrat më përfaqësues të letërsisë shqipe, që thotë se e futi përvojën historike, mitike dhe etike të shqiptarëve në hartën e madhe të letërsisë evropiane dhe botërore.
Qosja ka thënë se ata të dy janë njohur dhe janë afruar qysh në vitet shtatëdhjetë, ndërsa ka treguar se kanë qenë miq, bashkëbisedues, lexues dhe kritikë të njëri-tjetrit.
“Ne, të dy, secili në anën e vet të kufirit që na ndante, u përballëm me fate të ndryshme, të rënda dhe shpeshherë të padrejta. Rrethanat historike, politike dhe shoqërore, të cilat nuk i zgjodhëm ne, por që na u imponuan, na vunë përballë provave morale dhe intelektuale që kërkonin jo vetëm qëndresë, por edhe vendime të vështira personale. Kërkimi i azilit politik nga Ismail Kadare në Francë, në vitin 1990, u keqkuptua nga shumëkush që nuk e kuptonte peshën morale të asaj kohe. Në disa paraqitje publike në medie, dhe veçanërisht në një deklaratë të dhënë për Zërin e Amerikës, unë arsyetova se si ky akt nuk ishte arratisje nga atdheu, por refuzim i një sistemi që i kishte vënë kufij të padukshëm, por të hekurt, mendimit të lirë. Kadare nuk iku për të shpëtuar veten, por për të shpëtuar veprën dhe lirinë e saj. Azili i tij ishte akt intelektual dhe etik: zgjedhja e fjalës së lirë përballë dhunës së heshtur të diktaturës. Historia e ka vërtetuar se shkrimtari që kërkon liri nuk e braktis kombin; ai i shërben atij në mënyrën më të lartë të mundshme”, ka shkruar Qosja.
Ai ka thënë se ata të dy, kishin pasur me njëri-tjetrin edhe mospajtime e polemika.
“Polemika jonë më e njohur lidhej me çështjen e identitetit të shqiptarëve. Ishin mendime të ndryshme, argumente të ndryshme, këndvështrime të ndryshme mbi të njëjtën çështje themelore. Këto mospajtime nuk ishin personale; ato ishin intelektuale dhe kulturore. Megjithatë, siç ndodh ndonjëherë në jetën njerëzore, ato lanë pasoja edhe në raportin tonë personal. Shoqëria jonë u zbeh dhe rrugët tona, mjerisht, nuk u takuan më”, ka shtuar Qosja.
Ai ka theksuar se madhështia e Kadaresë si shkrimtar dhe rëndësia e tij historike për kulturën shqiptare, janë përtej çdo mospajtimi.
“Ismail Kadare ishte dhe mbetet para së gjithash shkrimtar i kombit të vet. Ai e deshi Shqipërinë jo në mënyrë deklarative, por krijuese. Ai e deshi atë duke e shndërruar historinë, dramën dhe shpirtin shqiptar në letërsi të madhe”, ka shtuar Qosja.
Ai ka treguar se në qershor të këtij viti, do t’i mbush 90 vjeç, ndërsa ka thënë se do të ishte shumë domethënese dhe njerëzore që në moshën e njëjtë, të rrallë, të ngrinin një dolli së bashku, për dy jetë të kaluara mes librave, polemikave, dashurisë për gjuhën dhe për kulturën shqiptare.
Kjo ka thënë se do të mbetet peng i tij njerëzor, por jo kulturor, qytetërues sepse dialogu i tyre sipas tij vazhdon ndërmjet veprave të tyre.
“Ismail Kadare sot nuk ka nevojë për lavde të rastit. Ai ka nevojë për lexim, rilexim dhe kuptim. Ai ka nevojë që vepra e tij të trajtohet me seriozitet shkencor dhe me ndjeshmëri kulturore. Brezat që vijnë mund ta lexojnë ndryshe, por gjithmonë do ta lexojnë. Dhe adhurojnë. Ndarja e tij nga jeta, po rithem, është vetëm ndarje trupore. Emri, vepra dhe mendimi i tij, po rithem, janë të gjithmonshëm. Në këtë 90-vjetor të lindjes së tij, Ismail Kadare, po rithem, mbetet personalitet madhor historik i kulturës shqiptare, një nga figurat që do të vazhdojë të na sfidojë, të na shqetësojë dhe të na frymëzojë. Të kujtoj me mall e nderim miku im, Ismail Kadare. Gjithmonësia jote në shpirtin e në mendjen time është gjithmonësi, përjetësi, amshim. Është gjithmonësi madhështore: është e kaluar, e sotme dhe e ardhme”, ka shtuar Qosja. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: