Ndryshon rezultati pas numërimit në QKN në këtë komunë | Kandidati i PDK-së e rriti epërsinë ndaj atij të VV-së me 113 vota

Rezultatet e Qendrës Komunale të Numërimit (QKN) kanë sjellë ndryshime të vogla, por domethënëse, në garën për kryetar të Komunës së Kaçanikut. Sipas të dhënave të fundit, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sabedin Vishi, ka shënuar rritje të lehtë krahasuar me rezultatet preliminare të natës së zgjedhjeve. Ai tani ka arritur në 40.02%…

Lajme

17/10/2025 22:56

Rezultatet e Qendrës Komunale të Numërimit (QKN) kanë sjellë ndryshime të vogla, por domethënëse, në garën për kryetar të Komunës së Kaçanikut.

Sipas të dhënave të fundit, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sabedin Vishi, ka shënuar rritje të lehtë krahasuar me rezultatet preliminare të natës së zgjedhjeve. Ai tani ka arritur në 40.02% të votave, ose 6,572 vota, nga 39.86% (6,379 vota) që kishte më 12 tetor, transmeton lajmi.net.

Në anën tjetër, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Jeton Raka, ka pësuar një rënie të lehtë. Nga 37.86% (6,059 vota) sa kishte në rezultatet fillestare, ai tani ka 37.38% (6,139 vota) – duke ruajtur numrin e afërt të votave, por me ulje për shkak të ndryshimit të përqindjeve pas përfshirjes së kutive të reja të numëruara.

Edhe kandidati i subjektit “Vizioni për Zhvillimin e Kaçanikut”, Heset Malsiu, ka pësuar rritje të lehtë nga 14.15% (2,264 vota) në 14.44% (2,371 vota).

Ndërkohë, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Betim Shala, ka mbetur pothuajse në të njëjtin nivel – me 4.79% (787 vota) krahasuar me 4.87% (779 vota) në rezultatet preliminare. Të tjerët, përfshirë Shukri Lutën nga Lëvizja e Pavarur e Kaçanikut dhe Hafize Sallahin nga AAK, kanë shënuar rritje të vogël numerike, por pa ndikim të madh në përqindje.

Me këto rezultate, PDK ruan avantazhin ndaj Vetëvendosjes, ndërsa dallimi mes dy kandidatëve kryesorë mbetet rreth 400 vota.

Megjithatë, procesi ende nuk ka përfunduar – pasi duhet të numërohen edhe votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, që mund të sjellin lëvizje të vogla në përqindje.

Ndërkohë, është zyrtarizuar se Sabedin Vishi i PDK-së dhe Jeton Raka i Vetëvendosjes do të përballen në balotazhin që do të mbahet më 9 nëntor për të vendosur fituesin përfundimtar të garës në Kaçanik./lajmi.net/