Ndryshojnë rregullat e “Prishtina Parking” – Ja si janë gjobat dhe kur mund t’u bllokohet vetura
Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka hartuar ndryshimet dhe plotësimet e Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve në Komunën e Prishtinës, duke paraparë ndryshime në mënyrën e bllokimit dhe zhvendosjes së automjeteve, pagesën e parkingut, përgjegjësitë e ndërmarrjes “Prishtina Parking” dhe masat ndaj shkelësve. Ndryshimet synojnë harmonizimin e rregullores me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme…
Lajme
Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka hartuar ndryshimet dhe plotësimet e Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve në Komunën e Prishtinës, duke paraparë ndryshime në mënyrën e bllokimit dhe zhvendosjes së automjeteve, pagesën e parkingut, përgjegjësitë e ndërmarrjes “Prishtina Parking” dhe masat ndaj shkelësve.
Ndryshimet synojnë harmonizimin e rregullores me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, P.A.nr.02/2025, si dhe me legjislacionin në fuqi.
“Merimanga” dhe bllokimi i veturave vetëm me urdhër të Inspeksionit
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me kompetencat për bllokimin dhe zhvendosjen e automjeteve.
Sipas ndryshimit të Nenit 22, stafi i “Prishtina Parking” nuk do të mund të veprojë në mënyrë autonome për bllokimin apo zhvendosjen e automjeteve.
Bllokimi i automjetit nga stafi i “Prishtina Parking” do të mund të bëhet vetëm me urdhër të Inspektorit Komunal përkatës, në rastet kur shfrytëzuesi nuk e ka kryer pagesën brenda 15 minutave dhe pasi në automjet të jetë vendosur një paralajmërim i dukshëm.
Ndërkaq, zhvendosja e automjeteve të parkuara në mënyrë të kundërligjshme, e njohur si “Merimanga”, do të bëhet vetëm me urdhër të Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Prishtinës.
Në këtë proces, “Prishtina Parking” do të ketë rol në mbështetjen teknike dhe logjistike.
Katër mënyra për pagesën e parkingut
Ndryshimet përcaktojnë edhe mënyra alternative për pagesën e parkingut publik.
Pagesa do të mund të kryhet përmes aplikacioneve mobile të miratuara, me para në dorë te operatorët e kontraktuar përmes biletës fizike, me kartela bankare në pikat e autorizuara, si dhe përmes ueb-platformës zyrtare të ndërmarrjes.
“Prishtina Parking” obligohet që në çdo zonë të parkingut të garantojë funksionalitetin e së paku dy mënyrave të ndryshme të pagesës.
Në rast se pajisjet për pagesë nuk funksionojnë, kjo do të konsiderohet pamundësi objektive për kryerjen e pagesës dhe qytetarëve nuk do të mund t’u shqiptohen tarifa shtesë, përcjell Telegrafi.
Rregullorja parasheh edhe rimbursimin e mjeteve në rast të gabimeve teknike gjatë pagesës, nëse gabimi nuk është shkaktuar qëllimisht nga qytetari. Në këto raste, ndërmarrja duhet ta realizojë rimbursimin brenda 15 ditësh nga paraqitja e kërkesës.
Sa u përket dëmeve në automjete, “Prishtina Parking” do të mbajë përgjegjësi në rastet kur dëmi shkaktohet nga neglizhenca, mungesa e mirëmbajtjes apo mosrespektimi i standardeve të sigurisë nga stafi i saj.
Në zonat rezidenciale, sipas rregullores së propozuar, vetëm banorët e regjistruar do të mund t’i shfrytëzojnë vendparkimet pa kufizim.
Personat që nuk janë rezidentë do të mund t’i përdorin këto hapësira vetëm deri në orarin e përcaktuar nga “Prishtina Parking”, i cili do të jetë i shënuar në tabelën hyrëse të zonës.
Ndërmarrjes i është lënë afat prej gjashtë muajsh që, përmes akteve publike, të përcaktojë metodën dhe kushtet për shfrytëzimin e parkingjeve gjatë vizitave familjare të banorëve rezidentë.
Ndryshime janë paraparë edhe për parkingjet private. Kërkesa për leje mund të bëhet edhe për parcela që sipas planit rregullues kanë destinim tjetër, nëse leja është e përkohshme dhe nuk pengon realizimin e planit rregullues.
Këto janë gjobat e parapara për parkim të parregullt
Rregullorja e ndryshuar përcakton edhe masat financiare për shkeljet e rregullave të parkimit.
Sipas ndryshimeve:
- 30 euro – parkim i papaguar;
- 30 euro – parkim i parregullt;
- 50 euro – parkim në trotuar;
- 50 euro – parkim në rrugë të lagjeve, rrugë të parkingjeve publike dhe rrugë të ndërtesave;
- 50 euro – parkim në hapësira publike të padedikuara, si hyrje ndërtesash, hapësira pranë kontejnerëve, fusha sportive dhe kënde lojërash;
- 100 euro – parkim në hapësira të gjelbra;
- 100 euro – parkim në sheshe.
Për personat juridikë që operojnë parkingje pa leje janë paraparë gjoba nga 150 deri në 1,000 euro.
Në rast të përsëritjes së shkeljes, parashihet urdhër për mbylljen e parkingut. Nëse aktiviteti vazhdon edhe pas vendimit për mbyllje, rregullorja parasheh konfiskimin e automjeteve që ndodhen në atë hapësirë.