Ndryshimi i Ligjit për Veteranë hap Kutinë e Pandorës
Inicimi i ndryshimit të Ligjit për Veteranët në këtë kohë po shihet si hapje e Kutisë së Pandorës.
Lajme
Deputetët e pozitës dhe opozitës thonë se nuk ka ligj që nuk mund të ndryshohet dhe plotësohet, por që aktualisht nuk është momenti i duhur për të nisur plotësim ndryshimin e një ligji i cili ende nuk ka hyrë në fuqi.
Iniciativën për të ndryshuar dhe plotësuar Ligjin për veteranët e ka marrë Grupi Parlamentar i AAK-së.
Deputeti i kësaj partie, Rrustem Berisha tha sot se ligji aktual për veteranët e UÇK-së ka mangësi të shumta dhe nuk i trajton të gjitha kategoritë në mënyrë meritore. Iniciativën e AAK-së deri më tani, Berisha tha se e kanë nënshkruar vetëm deputetët e AAK-së, por presin që kësaj nisme t’i bashkëngjiten edhe deputetët e partive tjera.
“Arsyet e pakënaqësive në radhë të parë është fakti se ligji i cili nuk i trajton këto kategori në mënyrë meritore. Ligji i veteranëve, i miratuar në vitin 2014, që nuk i trajton mirë këto kategori. E para, ky ligj nuk është gjithëpërfshirës dhe është përjashtues për një kategori të luftës. E dyta, nuk i trajton mirë luftëtarët të cilët kanë luftuar gjatë viteve ’97-’98 dhe detyron zinxhirin komandues që të bëjnë shkelje të vazhdueshme të këtij ligji për të mos u konfrontuar me veteranët, sepse me këtë ligj është paraparë që luftëtar veteran është vetëm ai që e ka pritur përfundimin e luftës”, theksoi Berisha.
Megjithëse nuk e sheh të panevojshëm plotësim-ndryshimin e këtij ligji, kryetari i Komisionit për Verifikimin e veteranëve të UÇK-së, Agim Çeku thotë se inicimi i plotësim-ndryshimit të këtij ligji do të hapte një Kuti të Pandorës dhe do ta ndërpriste procesin e publikimit të listave.
“Unë mendoj se e kishim hapur një Kuti të Pandorës tani, në këtë përfundim të procesit. Tani është vonë, nuk është koha, nuk po them që nuk ka nevojë, nuk po them që nuk ka hapësirë, nuk ka paqartësi në këtë ligj, por ky ligj edhe ashtu si është, është aprovuar nga ky parlament, shumica e deputetëve që propozojnë kanë votuar për këtë ligj. Atëherë ta përmbyllim këtë proces dhe pastaj ta shohim ku jemi dhe t’i bëjmë ndryshimet”, tha Çeku.
Çeku thotë se nuk është që nuk ka nevojë të plotësohet dhe ndryshohet ky ligj, por e vlerëson se nuk është momenti i duhur, meqë listat janë duke u publikuar. Ai thekson se do të duhej plotësuar dhe ndryshuar, ose para fillimit të procesit të verifikimit ose pasi të përfundojë ky proces.
Në anën tjetër, edhe opozita mendon se ligji ka nevojë për plotësim-ndryshim, por e theksojnë momentin si jo të duhur që tani, në mes të procesit të verifikimit kur po publikohen listat, të bëhet një gjë e tillë.
Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi thotë se ata si grup parlamentar dhe ai si deputet qysh në fillim e kanë bërë të ditur si të nevojshme një diçka të tillë.
“Po, është e nevojshme të amendamentohet, nuk e di sa është koha e duhur tani kur publikimi i listave ka ndodhur për gjysmën, ndërsa për të tjerët jo. Nuk do ta vlerësoja si momentin më të mirë për amendamentimin e ligjit tani, por kjo nuk nënkupton që jemi herët dhe nuk nënkupton që nuk duhet të amendamentohet. Edhe një herë duhet të vëmë në pah se krejt këto probleme që kanë të bëjnë me listat burojnë nga problemet që ka ligji brenda tërësisë së tij. Pra, krejt këto parregullsi tani në publikimin e listave, ose paqartësi, burojnë nga paqartësitë që janë brenda ligjit. Nevoja më kryesore për të ndryshuar është këtu, përcaktimi i kritereve për ata që kanë të drejtë të gëzojnë statusin e veteranit”, tha Selimi.
Moment jo të duhur për plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji e vlerëson edhe pozita. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se tani për tani është e nevojshme që t’i përfitojnë beneficionet ish-luftëtarët e UÇK-së, derisa pas këtij procesi mund të plotësohet dhe ndryshohet, çka edhe do ta përkrahnin.
“Dua të them se nuk ka asnjë ligj i cili është i përsosur dhe për këtë arsye janë të parapara procedurat apo janë të lejuara iniciativat për plotësim-ndryshim jo vetëm të këtij ligji, por të çdo ligji. Prandaj absolutisht jemi të angazhuar, të interesuar që veteranët e luftës t’i marrin beneficionet e tyre, të fillojë zbatimi i këtij ligji dhe në të ardhmen absolutisht nuk e kontestojmë fare, po përkundrazi do ta përkrahim çdo nismë, çdo plotësim ndryshim që është më i mirë se ky ekzistuesi ne do ta përkrahim”, tha Grabovci.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari tha se ai është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë ata që janë të interesuar ta kenë një ligj që i mbron dhe u jep vendin meritor kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.
“Ligjin që e kemi hartuar ne ekspertët dhe OVL-UÇK-së, mendoj se ka qenë ligj i mirë që i zgjidh problemet e këtyre kategorive, e në veçanti çështjen e veteranëve. Mirëpo, ai ligj, kisha thënë lirisht, është masakruar, pasi ka pësuar ndryshime në zyrën ligjore të Qeverisë së Kosovës. Mirëpo ndryshime ka pësuar edhe nga deputetët e Kuvendit. Janë disa gjëra që ne nuk jemi pajtuar dhe ne kemi reaguar. Kemi reaguar edhe për shkak të periudhës që në ligjin që kemi hartuar bashkë me ekspertët, me çka nuk jemi akorduar me periudhën që duhet të jetë nga vitit 1991 deri në vitin 1999”, tha Jashari për KosovaPress nëpërmjet telefonit.
Ligji për veteranët ende nuk ka hyrë në fuqi, meqë ende nuk ka përfunduar publikimi i listave të veteranëve, invalidëve, dëshmorëve dhe pjesëtarëve në luftën e UÇK-së. Mirëpo, për procesin e verifikimit ka pasur shumë pakënaqësi që prej nisjes së publikimit të listës nga Zona Operative e Llapit dhe të zonave tjera.