Ndjeheni të fryrë në mëngjes? Këto janë ushqimet që duhet të hani në mëngjes

Nëse në darkë keni ngrënë diçka që iu ka bërë të ndjeheni të fryrë të nesërmen në mëngjes, atëherë ky është mëngjesi i duhur për juve.

Lifestyle

07/11/2021 16:47

Gjëja e fundit për të cilën dëshironi të shqetësoheni para një dite të ngarkuar është barku i fryrë ose dhimbja e stomakut. Fryrja e barkut mund të lidhet me një numër faktorësh, prandaj është ide e mirë të gjendet shkaku kryesor i problemit.

Mënyra se si ushqehemi, ndonjëherë mund të shkaktojë shqetësime dhe ënjtje në stomak, prandaj kemi mbledhur një listë me ushqime që iu ndihmojnë me fryrjen në mëngjes:

Ananasi

Natriumi i tepërt mund të jetë një nga shkaktarët se pse ju ndiheni të fryrë. Në këtë rast, dietologët rekomandojnë të shtoni në mëngjesin tuaj një ushqim me sasi të larët kaliumi, si ananasi. Kaliumi është antidot i natriumit në trupin tuaj dhe do të ndihmojë në largimin e ujit, duke larguar kështu edhe fryrjen. Enzima e quajtur bromelainë në ananas, mund të ndihmojë gjithashtu sistemin tretës të funksionojë më mirë dhe të largojë fryrjen e barkut.

Tërshëra

Tërshëra është një drith i pasur me vitamina, minerale dhe fibër, tri përbërës kyç për një tretje të mirë. Nëse kapsllëku është shkaku i drejtpërdrejtë i fryrjes së barkut, atëherë fibrat e patretshme që gjenden në tërshërë ju vijnë në ndihmë. Fibrat e patretshme tek tërshëra pastrojnë të gjithë sistemin tretës dhe vënë në lëvizje zorrët. Lëvizshmëria e rregullt e zorrëve ndihmon në eliminimin e toksinave nga organizmi duke larguar kështu edhe fryrjen e barkut.

Bananet

Kaliumi në banane mund të ndihmojë në rregullimin e natriumit të tepërt në trupin tuaj dhe të largojnë ndjesinë e fryrjes. Dhe nëse jeni kaps, fibra e tretshme në banane mund t’ju ndihmojnë me jashtëqitjen.

Këshillë: Zgjidhni një banane pak më të gjelbërt, sepse përmbajnë më shumë fibra të tretshme dhe prebiotikë miqësorë për zorrët.

Uji

Nëse trupi juaj mban ujë nga vakti i kripur i një nate më parë, uji mund të ndihmojë në largimin e lëngjeve të tepërta. Uji mund të ndihmojë gjithashtu nëse fryrja juaj shkaktohet nga kapsllëku. Fibrat e tretshme thithin ujin, i cili tenton të zbusë jashtëqitjen dhe e bën më të lehtë procesin. Pra, nëse po konsumoni shumë fibra, sigurohuni që të pini mjaftueshëm ujë.

Uji i arrës së kokosit

Kokosi është i mbushur me kalium dhe pirja e ujit të kokosit mund të ndihmojë në largimin e fryrjes së barkut. Ju gjithashtu mund të provoni të përgatisni një pije të shijshme me ujë kokosi, banane, ananas dhe disa zarzavate për të larguar fryrjen e barkut. /Lajmi.net/