Ndjehen Prishtinas

PDK mbylli fushatën në Prishtinë. Hashim Thaçi kërkoi nga qytetarët ta ndërrojnë qeverisjen në Kryeqytet dhe u shpreh i bindur për fitoren e Kandidatit të tij Agim Çeku. Edhe këtu, premtoi rritje 100 për qind të pagave.

Lajme

31/10/2013 19:41

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, duke e vlerësuar Prishtinën si qendër të ndryshimeve në historinë e Kosovës, kërkoi nga qytetarët të bëjnë edhe një ndryshim, duke ndërruar qeverisjen në Kryeqytet.

Ai e ka përfunduar fushatën zgjedhore në Prishtinë, duke i uruar fitoren kandidatit të kësaj partie për Kryetar të Komunës, Agim Çekut.

Thaçi ka thënë se PDK gjatë këtyre zgjedhjeve do të dalë fituese në shumicën e komunave të Kosovës, duke përfshirë edhe Prishtinën.

“Ne do të dalim fitues në shumicën e komunave të Kosovës, ndërsa në Prishtinë jam i entuziazmuar me mbështetjen që e kemi, kështu që i nderuar zoti Çeku, urime fitorja”.

Thaçi e cilësoi Prishtinën si qendër e të gjithë Kosovës dhe shtëpi të çdonjërit që jeton në këtë qytet, duke thënë se tashmë edhe ai ka filluar të ndjehet prishtinas.

“Prishtina gjithmonë ka qenë epiqendër e ndryshimeve. Prishtina ishte vatër e rezistencës për Kosovën Republikë, Prishtina e shembi komunizmin në Kosovë, i priu lëvizjeve për liri dhe pavarësi.”

“PDK do ta bëjë Prishtinën një Kryeqytet që çdo qytetar do të ndihet i dinjitetshëm”.

Thaçi përveç që ka premtuar investime në të gjitha fushat në Kryeqytet, ai ka premtuar edhe rritjen 100 për qind të pagave në sektorin publik.

Ndërsa Kandidati i PDK’së për Kryetar të Prishtinës, Agim Çeku, ka deklaruar se hallet me të cilat përballet sot Kryeqyteti do të zhduken për t’u kthyer në avantazh.

“Ne gjatë kësaj fushate ndjellim besim, shpresë dhe optimizëm, andaj jam i sigurt se më 3 nëntor do të korrim fitore”.

“Ne gjatë këtyre 30 ditëve fushatë kemi parë se me sa halle përballet Prishtina. Ne duhet të punojmë shumë, që me mund dhe me djersë që të ndryshojmë Prishtinën, dhe për ta bërë atë europiane”.

“Por, gjatë këtyre ditëve kemi parë se sa shumë potencial qëndron në Prishtinë. Dhe këto potenciale janë shumë më të mëdha se sa pengesat që paraqiten. Pikërisht tek ky potencial ne e mbështesin programin tonë. Ne programin tonë e mbështesim në shërbim, zhvillim dhe promovim”.