Ndikimi i serialeve në personalitetin e adoleshentëve në Kosovë
Që nga paslufta televizionet kanë ‘bombarduar’ shikuesit me telenovela, metodë kjo e përdorur për tërheqjen sa më të madhe të audiencës.
ShowBiz
Por sa janë përfitimet e qytetarëve kundrejt efekteve negative që mund të kenë ato, sidomos tek adoleshentët që janë në kulmin e formimit të personalitetit.
Duke pasur parasysh transmetimin në televizionet tona të këtij fenomeni, portali Arbresh.info mori në pyetje sociologun Fadil Maloku, psikologun Prof. Dashamir Bërxulli po ashtu edhe drejtorin e RTK, Lorik Arifaj.
Sociologu Fadil Maloku për këtë fenomen në shoqërinë tonë thotë se, serialet gjithsesi janë një mekanizëm apo një faktor shume i rëndësishëm në “dizajnin” e personaliteteve sidomos tek adoleshentët!
“Publiku kosovar, duke qenë i bombarduar nga të gjitha llojet e kiç serialeve, që në Sociologjinë e Kulturës identifikohen, apo njihen si kategoria e periferisë ka mbetur nën mëshirën e tyre”.
Ndërsa drejtori i televizionit publik, RTK Lorik Arifaj thotë se, telenovelat zakonisht kanë ndikim të madh në audiencë. Në veçanti shikues më besnikë janë femrat në mesin e të cilave amviset.
Ndikimi i tyre edhe në hulumtimet që janë bërë në mbarë botën është i madh dhe me tendenca negative sidomos tek adoleshentët.
Arifaj thotë se ato kontribuojnë në sjelljen e individit, në konflikte me familjen dhe në jetën bashkëshortore.
Ekziston një tendencë e kopjimit të sjelljeve të personazheve dhe praktikimit të sjelljes së njëjtë tek individët e caktuar në shoqëri e që shpesh është sjellje konfliktuoze, thotë Arifaj.
“Andaj e shoh shumë të arsyeshme që televizionet duhet të fokusojnë programin e tyre më shumë tek aspekti edukativ dhe kulturor i mirëfilltë. Kjo është edhe një prej arsyeve pse RTK nuk transmeton seriale latine apo turke, thotë Arifaj”.
Televizioni duhet të jetë katalizator për edukimin e brezave e jo faktor që kontribuon në devijimin e tyre shoqëror, përfundoi Lorik Arifaj .
Edhe profesori i katedrës së psikologjisë, Dashamir Berxulli lidhur me këtë fenomen për portalin Arbresh.info thotë se, televizionet kombëtare duhet të kenë elemente më shumë edukative e kulturore, të jenë modele për shoqërinë.
“Koha që e kalojnë para televizionit do të ishte më mirë të ishte me programe artistike me vlera se sa me seriale që zakonisht janë të drejtuar për të kaluar kohen e lirë”.
Sa i përket adoleshenteve thotë se shikimi i këtyre serialeve është edhe mungesa e arsimimit”, thotë profesor Bërxulli.
Sipas profesorit dhe psikologut do të ishte më e preferueshme që adoleshentët të lexojnë libra qoftë shkollorë apo jashtë-shkollorë.
“Kjo është një çështje që ka të bëj me arsimimin, mirëpo adoleshentët është më mirë të lexojnë libra qoftë shkollor apo jashtë shkollor, apo libra me vlera artistike edhe libra me vlera kombëtare, është më mirë se sa shikimi i serialeve”.
Bërxulli vë re një aspekt pozitiv të serialeve që është largimi i të rinjve nga dukuritë negative.
Ndërkohë që as qytetarët nuk janë të kënaqur me transmetimin e telenovelave, ku thonë se po imponohen nga ana e televizioneve shqiptare.