Ndeshja e penalltive: Gjilani merr tri pikë ndaj Dukagjinit
Tri penallti kanë vendosur fatin e takimit mes Gjilanit dhe Dukagjinit.

Sport
Skuadra e Gjilanit ka marrë pikë të plota në kuadër të xhiros së 21-të të Superligës së Kosovës, duke mposhtur Dukagjinin 2:1, shkruan lajmi.net.
Ndeshja e luajtur në qytetin e Gjilanit u vendos nga tri penallti; të tria të konvertuara në gola.
Gerhard Progni kaloi ‘Skifterat’ në epërsi në minutën e 24’, duke qëlluar saktë nga pika e bardhë.
Në minutën e 57’ të ndeshjes, Dukagjini gjeti golin, por ai gol u anulua, me gjyqtarin që befasishëm dha penallti në favor të Dukagjinit. Edhe nga aty, mysafirët qëlluan saktë dhe me Mentor Zhdrellën barazuan shifrat në 1:1.
Gjilani, ndonëse me një lojtar më pak nga fundi i pjesës së parë (Enea Koliçi u ndëshkua me të kuq), arriti të rikthente epërsinë.
Progni realizoi golin e dytë nga penalltia e dytë për Gjilanin në këtë ndeshje, në minutën e 65’.
Me këtë fitore, Gjilani barazon pikët me Ballkanin në krye të tabelës dhe vazhdon garën për titull. Dukagjini mbetet me 18 pikë në pozitën e parafundit./ Lajmi.net/