Ndërtimi i Klinikës së Ortopedisë i nënshtrohet auditimit nga ZKA

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2024/2025, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e projektit “Ndërtimi i Klinikës së Ortopedisë” në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Auditimi do të përfshijë të gjitha fazat e projektit, nga inicimi i kërkesës, zhvillimi i procedurave dhe zbatimi i kontratave, deri te pranimi…

Lajme

03/02/2025 19:07

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2024/2025, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e projektit “Ndërtimi i Klinikës së Ortopedisë” në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Auditimi do të përfshijë të gjitha fazat e projektit, nga inicimi i kërkesës, zhvillimi i procedurave dhe zbatimi i kontratave, deri te pranimi teknik dhe funksionalizimi i klinikës.

Sipas ZAK-së ky projekt ka filluar në vitin 2018, por deri në tetor të vitit 2024 nuk është finalizuar dhe vënë në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

“Auditimi do të vlerësojë nëse projektimi, menaxhimi dhe zbatimi i kontratave për ndërtimin e Klinikës së Ortopedisë janë realizuar në përputhje me standardet ligjore si dhe nëse burimet publike janë përdorur në mënyrë të drejtë, transparente dhe të përgjegjshme”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se përmes këtij auditimi ZKA-ja synon të vlerësojë nëse Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka siguruar se planifikimi, zhvillimi i procedurave dhe menaxhimi i kontratave ishte transparent, efikas dhe janë monitoruar si duhet.

Në fund thuhet se ky auditim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të ZKA-së për të rritur llogaridhënien dhe transparencën në menaxhimin e projekteve kapitale dhe fondeve publike.