Ndërroi jetë 32 vjeçari që plagosi të dashurën e tij në Ferizaj

Një incident i rëndë me armë zjarri ndodhi mbrëmë rreth orës 22:00, ku një 32-vjeçar plagosi një grua 24-vjeçare dhe më pas qëlloi veten. Viktima (L.U.) ka pësuar plagë në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa i dyshuari Valon Krasniqi ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve. “Lidhur me rastin e datës 10.04.2026…

Lajme

11/04/2026 10:07

Një incident i rëndë me armë zjarri ndodhi mbrëmë rreth orës 22:00, ku një 32-vjeçar plagosi një grua 24-vjeçare dhe më pas qëlloi veten.

Viktima (L.U.) ka pësuar plagë në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa i dyshuari Valon Krasniqi ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve.

“Lidhur me rastin e datës 10.04.2026 në Ferizaj, ku mbetën të plagosur dy persona, ju njoftojmë si në vijim: Më 10.04.2026, rreth orës 22:00, është raportuar rasti ku kanë mbetur të plagosur dy persona: L. U. (24-vjeçare), femër, kosovare, dhe V. K. (32-vjeçar), mashkull, kosovar.

Viktima e rastit, L. U., pasi ka pranuar ndihmën e parë në Emergjencën e Ferizajt, është dërguar për trajtim të mëtejshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku ndodhet ende nën përkujdesjen e mjekëve. Ndërsa personi V. K., i cili në këtë rast ishte në cilësinë e të dyshuarit dhe po trajtohej në QKUK në Prishtinë, si pasojë e lëndimeve të marra, më 11.04.2026, rreth orës 04:05, sipas informatës së pranuar nga QKUK në Prishtinë, ka ndërruar jetë.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për obduksion. Rasti fillimisht është cilësuar si “Vrasje e mbetur në tentativë”, ndërsa pas rrethanave të reja, mbetet në kompetencë të prokurorit për cilësimin e mëtejshëm ligjor”, ka bërë të ditur për IndeksOnline zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajit, Kanun Veseli.