Nderohet “legjenda e rock-ut shqiptar” Shemsi Krasniqi – Shemi
Në një atmosferë të mbushur me emocione, kujtime dhe mirënjohje, u bashkuan familjarë, miq dhe dashamirë të artit për të nderuar jetën dhe veprën e një artisti që la gjurmë të thella në muzikën shqiptare. Bëhet fjalë për vokalistin e grupit “Ilirët”, Shemsi Krasniqi, i njohur nga më të dashurit e tij dhe publiku i…
ShowBiz
Në një atmosferë të mbushur me emocione, kujtime dhe mirënjohje, u bashkuan familjarë, miq dhe dashamirë të artit për të nderuar jetën dhe veprën e një artisti që la gjurmë të thella në muzikën shqiptare.
Bëhet fjalë për vokalistin e grupit “Ilirët”, Shemsi Krasniqi, i njohur nga më të dashurit e tij dhe publiku i gjerë si Shemi.
Në mbledhjen komemorative të mbajtur sot në Teatrin Kombëtar, në mes të pikëllimit, Naser Gjinovci, vokalisti i grupit “Minatori” zbuloi historinë se si shoku dhe kolegu i tij, Krasniqi “fitoi” zërin e tij karakteristik.
“Çfarëdo që të them për Shemin është pak. Ka qenë një personalitet, një njeri apo si themi ne një ‘racë e rrallë’. Një prej karakteristikave identifikuese të Shemit ka qenë zëri tij i vrazhdë, të cilin unë e quaja zë me ‘pak zall të imët’, që atë e mori kur operoi bajamet. Ky ishte fati i madh i tij, sepse fitoi identitet në këndim. Një zë të vrazhdë me një timbër të mrekullueshëm dhe me një ambitus të lartë të zërit. Deri në ditën e sotshme, kjo karakterizoi Shemin”, tha ai.
Nipi i të ndjerit, Kastriot Grajqevci, dha një fjalë lamtumire, duke e cilësuar atë si një person që i takonte popullit, e jo vetëm familjes së tij.
“Dajë, ti nuk ishe vetëm pjesë e familjes sonë, ti ishte zë i njerëzve. Sot kur po ta lexoj këtë mesazh, me zemër të thyer, po kujtoj edhe më fortë sa i ke takuar këtij vendi, dhe sa shumë ky vend ty të ka dashtë. Ti ke ditur të mbash shpirtin e popullit me këngë, me i dhënë zë asaj që na lidh dhe nuk na lëshon kurrë dhe sot kur na mungon fizikisht, na mbetet ajo që u vdes kurrë: zëri i tij, kënga e tij dhe gjurma e tij në zemrat tona. Shemi na la trashëgimi që nuk shuhet me kohë, sepse ajo është e ndërtuar me guxim, me dinjitet dhe me dashuri të madhe me njerëzit e vet”, tha ai.
Ndërsa ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, teksa ngushëllonte familjarët dhe komunitetin artistik të të ndjerit, e quajti atë “ikonë të rock-ut shqiptar” dhe theksoi se muzika e tij preku shoqërinë në një kohë jo të lehtë.
“Shemin e gjenim në muzikë, në televizion, në qytet dhe në kujtesën tonë kolektive, tash e tutje sidomos. Kontributi i tij, përveç artistik, ishte edhe shoqëror. Aktiviteti i tij me grupin ‘Ilirët’ ka arritur të jetë përbashkëues për të gjithë ne nëpër periudhat më të vështira që kemi përjetuar si popull gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta. Edhe avant garde, edhe patriotik, Shemi ishte ikonë e rock-ut shqiptar. Mungesa e tij do të rëndojë mbi të gjithë ne”, tha ai.
Shemsi Krasniqi – Shemi u gjet i pajetë dje në banesën e tij, ndërsa rrethanat e vdekjes nuk u lajmëruan nga autoritetet përkatëse.