Ndërkombëtarët do ta dëmtojnë Vetëvendosjen në zgjedhje

Deputeti i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, pohon se VV është e gatshme për zgjedhje kurdo që të mbahen. Por, ai bën një deklaratë interesante: Thotë se ndërkombëtarët do ta dëmtojnë Vetëvendosjen që të fitojë në zgjedhjet parlamentare.

Lajme

03/02/2014 20:58

Deputeti i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, ka deklaruar se partia e tij ka një disfavor të madh me Serbinë, e për këtë shkak nuk shkojnë mirë me ndërkombëtarët.

Sipas tij, kjo po e dëmton nëpër zgjedhje Vetëvendosjen.

Kështu ka deklaruara ai në emisionin Zona B, në Klan Kosova.

I pyetur se pse kjo parti ka rënie rreth 13 për qind, Krasniqi ka deklaruar se faktor i vetëm është ai ndërkombëtar.

“Unë mendoj se neve na dëmton më shumë faktori ndërkombëtar. Ne nuk e refuzojmë faktorin ndërkombëtar, por jemi në disfavor shumë të madh me Serbinë.”

“Për shembull, ndërkombëtarët i thërrasin tanët  me gisht, u thonë hajde… Në holl të Kuvendit 100 herë kanë ardhur dhe ua kanë bërë me gisht. U kemi thënë ne me ju nuk kemi punë.”

“Ata do të na dëmtojnë edhe në zgjedhjet qendrore, mbaje mend. Faktori ndërkombëtar mund të themi gjithçka që është e mundshme, që Vetëvendosja mos të fitojë, për arsye të komoditetit të vet, edhe në stabilitetin e vet. Ata nuk duan”.

Florin Krasniqi, më tutje, duke folur në Zonën B në Klan Kosova, ka deklaruar se Vetëvendosje është e gatshme kurdo për zgjedhje.

Por, sipas tij, sa më herët që mbahen ato, është më mirë.

“Ne jemi në çdo kohë dhe çdoherë të gatshëm për zgjedhje. Kemi qenë prej fillimit. Sa më shpejtë që kish rënë kjo Qeveri, do të ishte më mirë për Kosovën.”

“Në qoftë se zgjedhjet mbahen në qershor, është shumë më mirë se ne shtator, kemi pak ditë më pak për të bërë dëm kjo Qeveri.”

“Në qoftë se mbahen në mars, është shumë më mirë. Ne jemi për zgjedhje sa më shpejtë të mundshme”.

Florin Krasniqi, po ashtu, ka folur për të ardhmen e tij në Vetëvendosje.

“Unë e kam filluar karrierën time politike në Vetëvendosje dhe do ta përfundoj karrierën time politike në Vetëvendosje. Vetëm në qoftë se Vetëvendosje kalon në anën e djathtë, atëherë nuk do të jem pjesë e saj”.